Nga Oerd Bylykbashi
Pika 2 e nenit 148/dh të Kushtetutës, e shtuar me reformën e “famshme” në drejtësi në 22 korrik 2016 përcakton se:
“Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 VJET, PA TË DREJTË RIEMËRIMI.”
Kushtetuta është fare e qartë. Nuk ka vend për interpretim. Dhe absolutisht ka qenë e menduar për të qenë kështu dhe nuk është harresë e kushtetutëbërësit.
Kryeprokurori i SPAK dha dy argumenta “dërrmues” për pretendimin e trupës së prokurorëve të SPAK pse këta prokurorë duhet të qëndrojnë në detyrë pa afat, ose së paku të kenë të drejtë të riemërohen për mandat tjetër 9-vjeçar:
– Një prokuror dashurohet me çështjen, e njeh në detaj edhe në 12 të natës, por vjen fundi i mandatit dhe detyrohet ta lejë çështjen. Prokurori tjetër që do ta zëvendësojë nuk ka të njëjtën “dashuri” për çështjen.
– Zhvillimet e krimit po zgjasin afatet e hetimit të çështjeve dhe duhet me shumë kohë nga një prokuror.
Hetimi nuk është çështje “dashurie”, përndryshe kjo është një dashuri morboze. Hetimi është çështje ligji, procedure, provash, objektiviteti dhe drejtësie.
Afatet e hetimit janë shumë më të shkurtra se 9 vitet e mandatit të një prokurori të SPAK. Pra koha i del dhebi tepron. Mos e dhëntë Zoti t’i shkojë kujt në mendje të zgjasë hetimet e një çështjeje deri në 9 vjet. As diktaturat nuk e çojnë në mend.
Kanë 3 vjet që hetojnë liderin e opozitës pa regjistruar asnjë akuzë, ama e arrestuan. Nuk e arrestuan pse mund te kryejë sërish krimin, mund te prishë provat apo se mund të largohet, por për ta ndëshkuar pse kundërshtoi si antikushtetuese kufizimet e lirisë së një deputeti të zgjedhur nga populli. Sa kohë mund ta mbajnë peng duke e penguar të drejtojë opozitën? Mos vallë deri në zgjedhjet e pranverës 2025? Apo deri kur të vijë momenti që të bëjë betimin si deputet i zgjedhur dhe të pengohet të marrë mandatin e për ta zëvendësuar me një masë arresti siç po ndodh me kryetarin e zgjedhur me votë të bashkisë së Himarës?
Nëse do të plotësohej ky pretendim i 17 prokurorëve, do të forcohej rreziku që kam denoncuar në 2016 si nënkryetar i Komisionit te Reformës në Drejtësi kur debatoheshin amendamentet, që ky organ rrezikon të kthehet jo thjesht në një korporatë, por në një vëllazëri të rrezikshme. Selektiviteti nën ndikimin e korrupsionit, politikës, apo thjesht se këta prokurorë vendosin ata se kush do të jetë politika dhe jo votuesit me votë, janë rreziqe të rënda që qëndrojnë pas kësaj porte.
Kjo do të ishte një ndërhyrje serioze me 94 vota në Kushtetutë që do ta përkeqësonte arkitekturën kushtetuese të Drejtësisë që edhe kështu siç është, ka difekte të rënda.
Por pa u lodhur më tej, përgjigjen pse SPAK e kanë gabim pretendimin që të kenë të drejtë riemërimi, e ka dhënë në 2008 Komisioni i Venecias kur u vu mandat 5-vjeçar për
Prokurorin e Përgjithshëm e që na shtyu ne 2016 që mandati i prokurorit të SPAK të ishte i gjatë 9 vjet dhe pa riemërim:
“Neni 9 që ndryshon nenin 149
20. Formulimi i ri parashikon që Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit për një mandat pesë vjeçar me të drejtë riemërimi. Ky amendament duket një hap prapa dhe rrezikon të komprometojë paanshmërinë e Prokurorit të Përgjithshëm, veçanërisht në periudhën kur ai ose ajo kërkon rizgjedhjen. Do të ishte e preferueshme një afat më i gjatë pa mundësinë për t’u riemëruar. Në një Opinion mbi projekt-amendamentet e Kushtetutës së Ukrainës (CDL-AD(2008)029, paragrafi 33) Komisioni i Venecias deklaroi: “Sipas seksionit 3 të propozuar, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm do të zgjatet nga 5 në 7 vjet. Ky afat më i gjatë duhet të zvogëlojë politizimin e funksioni dhe mund të jetë një garanci për paanshmërinë e Prokurorit të Përgjithshëm. Prandaj, duket një hap në drejtimin e duhur. Do të duket edhe më mirë të parashikohet që Prokurori i Përgjithshëm mund të qëndrojë në detyrë deri në mbushjen e moshës së pensionit ose, nëse preferohet një mandat i kufizuar, të përjashtohet mundësia e riemërimit, siç është rasti për gjyqtarët kushtetues sipas nenit 148 të Kushtetutës [së Ukrainës]. Përndryshe, Prokurori i Përgjithshëm mund të ndikohet në mënyrë të padrejtë në vendimet e tij ose të saj nga dëshira për t’u rizgjedhur.”
Kaq mjafton!