Prokuroria zbardh detaje të rënda: Çfarë i tha Alma Arrazi kunatës përpara aktit tragjik

0
50

Prokuroria e Shkodrës në një komunikim për mediat ka ndarë më shumë detaje rreth tragjedisë në familjen Arrazi, ku deri më tanë janë gjetur trupat e dy fëmijëve, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijës së tretë.

Prokuroria e qytetit verior ka zbardhur të plotë itenerarin e Alma Arrazit, përpara se të ndërmerrte aktin e rëndë.

Sipas Prokurorisë, nga kamerat e sigurisë pasditen 2 majit Alma Arrazi bashkë me 3 fëmijët ka pirë kafe me kunatën, motrën e burrit. Bashkë me të kanë qëndruar për rreth 2 orë, dhe pasi ka dalë jashtë, e ka informuar se do ta merrte i vëllai me taksi dhe do të shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej.

Prokuroria thotë se deri në këtë fazë janë krijuar ‘dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Erdgys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

  • Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.A.

Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, shtetasi E.A., i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij A.A., bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur. Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja A.A. me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja A.A. i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja A.A. bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.

Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që shtetasja A.A. del me kunatën e saj. Më pas, duket shtetasja A.A. së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perendimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024.

Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve A.A. e datëlindjes 15.11.1985, E.A. e datëlindjes 20.10.2015, G.A e datëlindjes 17.09.2015 dhe A.A. i datëlindjes 27.03.2021. Rezulton se në datën 04:05.2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se ështe gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njesia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015. Është bërë kqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë kosntatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme.

Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit E.A., si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.
Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të shtetases A.A. dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale.”, njofton Prokuroria.

  • Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë

Është gjetur një tjetër trup në lumin Buna, që dyshohet se i përket një prej fëmijëve të 39-vjeçares Alma Arrazi që dyshohet se u mbyt bashke me tre fëmijët disa ditë më parë. Ky është fëmija i dytë që gjendet, pas vajzës 9-vjeçare Ergesa që u gjet dy ditë më parë dhe u përcoll sot për në banesën e fundit.

Lajmi është konfirmuar dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se sipas skenës që ka rindërtuar Policia, në të njëjtën zonë pritet të jenë të pajetë dhe trupi i fëmijës së tretë dhe i 39-vjeçares Alma Arrazi (Bushati).

“Sa është gjetur dhe trupi i një prej dy fëmijëve të tjerë dhe natyrshëm sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarje tepër të rëndë, dyshohet se dhe trupi i nënës dhe fëmijës tjetër të jetë po në këtë zonë. Kështu që policia, RENEA, forcat kombëtare dhe peshkatarët do të vazhdojnë non stop për të gjetur dy të tjerët.” – tha Balla.

Mësohet se trupi i pajetë i gjetur sot i përket vajzës 6-vjeçares, teksa polumbarët e RENEA-së vazhdojnë kërkimet për gjetjen e djalit 3-vjeçar dhe trupin e 39-vjeçares Alma Arrazi.

Për ngjarjen e rëndë është arrestuar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Almës dhe babai i tre fëmijëve të mbytur. Ai akuzohet se ka shtyrë gruan me fëmijët drejt vetëvrasjes.

Nga familja e Almës, motra e saj, u ka thënë hetuesve se Erdgys Arrazi ushtronte dhune fizike e psikologjike ndaj 39-vjeçares e fëmijëve dhe vetëflijimi dyshohet se është pasojë e dhunës në familje. Dyshohet se Erdgys Arrazi e tradhëtonte bashkëshorten e tij, për të cilën Alma kishte marrë dijeni. Madje pretendohet se Erdgysi e nxirrte live të dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës 9-vjeçe, Ergesës.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se Alma Arrazi është hedhur nga ura e lumit të Bunës mbrëmjen e 2 majit bashkë me tre fëmijët e saj. Në kamerat e sigurisë, 39-vjeçarja është parë se para vetëflijimit, ka pirë kafe me kunatën, me të cilët është ndarë qetësisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here