Historitë e vrasjeve/ Lirohet nga burgu “Çipuri” i bandës së Gaxhait

0
50

Me nofkën “Çipuri” ka bërë emër mes bandave të vitit 1997 në Vlorë, por ndikimi i Armando Sulejmanit nuk ka rënë ende, megjithëse kanë kaluar 26 vjet nga viti i mbrapshtë. Dy javë pasi u arrestua me bujë nga policia gjatë një operacioni në Durrës, Sulejmani është liruar nga gjykata, megjithëse në shpinë mban një të kaluar plot ngjarje kriminale.

Anëtari i bandës së Gaxhait ishte duke udhëtuar me një makinë me targa të vjedhura kur u ndalua nga policia. Ai ishte në zonën e Spitallës kur iu kërkua të ndalojë nga forcat “Shqiponja”.

48-vjeçari nga Vlora, nuk iu bind urdhrit të policisë dhe tentoi të largohet me shpejtësi. Vetëm pas sakrificës së policëve që vepruan shpejt u bë i mundur ndalimi dhe kapja e tij. Dyshimet e para ishin se “Çipuri” nuk kishte dalë rastësisht i vetëm me automjetin tip Mercedes Benz me targa të vjedhura. Mendohej se ai po përgatitej të kryente një krim të rëndë, gjë që nuk u arrit të verifikohej.

Pasi kaluan dy muaj, nga arrestimi prokurori Gent Xholi kërkoi në fillim që Çipuri të mbahej në burg, por më pas u tërhoq nga kërkesa e tij. Në njoftimin që gjykata shpërndau për mediat veçohet qëndrimi i prokurorit si më poshtë:

“Prokurori pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Genti Xholi, gjatë gjykimit, në seancë gjyqësore, hoqi dorë nga ankimi i ushtruar”

Për pasojë, gjykata vendosi ta lirojë 48-vjeçarin që mendohet se është një nga njerëzit më të rrezikshëm në botën e krimit. Tani ndaj tij është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur” çdo datë 7 dhe 17 të muajit.

Dy atentatet ndaj Çipurit

Armando Sulejmani mbeti i plagosur me dy plumba gjatë një atentati në vitin 2019. Atëherë ai u ndalua nga policia e Vlorës për akuzën e “Armëbajtjes pa lejë”, pasi në trup iu gjet një pistoletë pa leje. Çipuri mori vetëm dy plumba nga atentati një në dorë dhe një në këmbë. Të vrarë mbetën Arjan Hasani dhe Orest Rexho. Trupat e tyre i shërbyen si mburojë nga breshëria e plumbave që lëshuan atentatorët.

Nga aktet e ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se Orest Rexho mori 19 plumba, ndërsa 14 plumba automatiku ka marrë në trup viktima tjetër Arjan Hasani.

Sulmi ndaj të treve ka qenë i shpejtë dhe personat që ndodheshin brenda në makinë s’kanë pasur asnjë mundësi për të reaguar, për shkak se janë gjetur befasisht përballë breshërive të automatikut.

Atëherë u raportua se Sulejmani qëndronte i fshehur dhe bënte një jetë mes Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Ai lëvizte gjithmonë i armatosur dhe shpesh herë përdorte kunatin e tij Orest Rexho, si taksist duke e transportuar nga njëra bazë në tjetrën.

Atentati tjetër iu bë në vitin 2016 në hyrje të pallatit ku banonte në Vlorë pasi u qëllua nga dy persona. Armando Sulejmani plagoset më 23 maj të vitit 2016. Ai u qëllua nga një plumb në krah, në hyrje të pallatit ku banonte. Policia tha atë kohë se autorët mund të kishin qenë vrasës me pagesë, por amatorë. Vetë “Çipuri”, në atë kohë 39 vjeç, deklaroi se nuk i ka njohur personat që i bënë atentat, pasi ata kanë qenë të maskuar.

Pjesëmarrja në vrasjen e Elton Tatos

Më 26 qershor të vitit 2002, rreth orës 15:00, në afërsi të ish-lokal “Zyrih”, në lagjen “Skelë” të qytetit të Vlorës, ka mbetur i vrarë me armë zjarri Elton Tato. Në ngjarje u akuzuan se morën pjesë dy ish-anëtarë të bandës së Gaxhait, Sokol Sinomataj, i njohur si “Buzëderri”, dhe Armando Sulejmani, i njohur si “Çipuri”. Ditën e ngjarjes është realizuar edhe këqyrja e një kanali të shkarkimit të ujërave të zeza që kalon përmes lagjes “Pavarësia” dhe derdhet në vendin e quajtur “Aulona” ku është gjetur një armë zjarri automatik kallashnikov me tytë të prerë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomataj, për shkak të një konflikti të mëparshëm me Elton Tato dhe Robert Borakun, u ka lindur mendimi kriminal për vrasjen e tyre.

Ditën e ngjarjes ata kanë pikasur se shtetasit Elton Tato e Robert Boraku ishin duke parë një ndeshje futbolli tek ish- disko “Delfini”. Ky fakt i ka çuar ata në marrjen e vendimit për vrasjen e tyre dhe me këtë rast ata kanë parkuar në afërsi të ish-lokal “Zyrihu”, pranë ish-diskos, në drejtimin veriperëndimor të tij, makinën tip “Toyota”, pronë e Armandos, duke pritur mbarimin e ndeshjes dhe me këtë rast daljen e Elton Tatos e Robert Borakut.

Sokol Sinomataj ka qëndruar brenda në makinë, i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa Armando Sulejmani ka qëndruar në sheshin përpara lokal “Zyrihu”. Në përfundim të ndeshjes, Eltoni e Roberti kanë dalë nga disko dhe pasi kanë hipur në makinën e tyre, kanë lëvizur para lokal “Zyrihu” me drejtim për nga qendra e qytetit dhe kanë ndaluar përbri trotuarit ku qëndronte në këmbë Armando Sulejmani.

Pasi kanë ndaluar automjetin Armando ka nisur të bisedojë me Robertin, i cili ka hapur derën e makinës. Armando u ka kërkuar që të shkonin së bashku deri të makina e tij, e parkuar 30 metër larg vendit ku po zhvillohej biseda. Gjatë ecjes, Elton Tato e Robert Boraku e kanë vendosur në mes Armando Sulejmanin, ndërsa Eltoni ia mbante pistoletën të drejtuar në kokë.

Pasi kanë përshkruar një distancë rruge përpara bar “Zyriut”, në momentin që po i afroheshin automjetit “Toyota”, Armando i ka bërë thirrje Sokol Sinomatajt që gjendej brenda në pritje të viktimave , duke i thënë: “O Sokol qëlloi vriti….”.

Me këtë thirrje, Sokoli ka dalë menjëherë nga makina dhe me armën tip automatik ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të Eltonit e Robertit, ku si pasojë ka mbetur i vdekur në vend Elton Tato, ndërsa Robert Boraku është larguar me vrap në drejtim të pallateve në anën tjetër të rrugës duke iu shpëtuar plumbave. Pas kësaj Sokoli i ndjekur pas edhe nga Armando është larguar me armë në dorë në drejtim të rrugës ku ndodhet selia e Partisë Demokratike. Pasi kanë përshkruar një distancë të shkurtër autori ka hedhur në një kanal armën, me të cilën realizuan krimin. Për këtë vrasje Armando Sulejmani është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” ndërsa Sokol Sinomataj me 20 vite burgim.

E shkuara pranë Gaxhait, kundër Zani Çaushit

Shkak i atentateve ndaj Çipurit janë historitë e hakmarrjeve që kanë nisur mes dy bandave rivale “Gaxhai” dhe atë të Zani Çaushit. Në qytetin e Vlorës në atë kohë sundonin tre grupe; i pari grupi i Xhelitajve në Lagjen “Çentrale”, i dyti grupi i Zanit në Lagjen “Çole” dhe i treti grupi i “Gaxhait”, ku ishin anëtarë Armando Sulejmani “Çipuri”, Sokol Sinomati “Buzderri”, Edmond Leskaj, Gazmend Nebiu ose (Kakami) si dhe disa persona të tjerë, tashmë të vdekur apo të paidentifikuar.

Nga ana tjetër Sulejmani, si ish-anëtar i bandës së Gaxhait ka pasur konflikte edhe me familjen Llanaj. Nga të dy palët kanë ndodhur ngjarje kriminale, derisa në vitin 2015, ndodhi masakra e Çoles, ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj.

Një nga të arrestuarit për masakrën është Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt. Këtij të fundit iu bë një atentat mafioz në vitin 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here