Situatë e tensionuar në kufi/ Kosova thirrje qytetarëve të shmangin “me çdo kusht” kalimin në Serbi

0
79

Mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi që nga mesnata ka bërë të ditur Zyra e Kosovës në Serbi.

Pamjet tregojnë autobusët me targa të Kosovës në resht të cilat, ndodhen jashtë kufirit të Serbisë dhe nuk i lejojnë të lëvizin. Sipas një qytetari të Kosovës, kanë 12 orë që presin dhe brenda autobusëve ka fëmijë e familjarë, të cilët kërkojnë ndihmë, pasi nuk po e përballojnë dot këtë lodhje.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Ministria e Punëve të Brendshme, kanë dalë me një njoftim rreth situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi.

Përmes një njoftimi këto dy institucione kanë kërkuar nga qytetarët që të ndjekim me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.”- thuhet në njoftim.

Thirrja vjen pasi sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova.

Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here