Mes drejtorëve të Bashkisë Tiranë që kanë marrë pjesë në tendera fiktivë nuk janë vetëm Taulant Tushe, Maringlen Qato dhe Redi Molla. Një nga personat e dosjes “5D”, e përfshirë në skemën korruptive bashkë me ish-drejtorë dhe ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë është Eglantina Zere.
Zere, një nga të ‘përkëdhelurat’ e bashkisë së kryeqytetit më parë ka qenë në krye të Tirana Parking dhe më pas ka kaluar në drejtorinë e gjelbërimit. Sipas njoftimit fillestar të SPAK Zere akuzohej se ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.
“Janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k”, e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.
Shtetasja Eglantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhametllari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.”, njoftoi dje SPAK për Zeren”. Lapsi.al ka arritur të sigurojë bisedat që figurojnë në dosjen e gjykatës ku ajo i drejtohet administratorit të kompanisë fituese 5D me termin “LAL” (shiko poshte në fund të shkrimit).
Sipas veprës së kryer ajo duhet të kishte pasur të njëjtin fat si homologët e saj drejtorë, por ajo nuk përfundoi në pranga si pasojë e disa kushteve lehtësuese.
E para se ishte femër, e dyta se shuma e tenderit që ajo kishte manipuluar nuk ishte e madhe dhe së treti se ishte e martuar dhe kishte në përgjegjësi një fëmijë të vogël, vendosi gjykata. Për këto arsye vendimi për të, nga një tjetër gjyqtare femër, Rudina Palloj, ishte vetëm pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje./ Lapsi/