Ndërkohë që retorika e qeverisë e paraqet sektorin publik si udhëheqës të dixhitalizimit në shërbime dhe pagesa, realiteti është shumë më kompleks. Institucionet dhe kompanitë publike në sportelet e tyre vazhdojnë të ofrojnë vetëm pagesa cash. Dixhitalizimi i shërbimeve shpeshherë ka krijuar më shumë probleme dhe vonesa, sesa lehtësi në marrjen e tyre nga qytetarët për arsye të mos integrimit të këtyre shërbimeve të dixhitalizuara me shërbimet e pagesave që janë të nevojshme për kryerjen e tyre.
Ersuin Shehu
Paradoksi i mbretërimit të parasë cash në shërbimet e pagesave të sektorit publik nuk është një rast i izoluar. Pothuajse në të gjitha kompanitë apo institucionet publike që ofrojnë shërbime arkëtimit të pagesave, e vetmja mundësi është pagesa me para cash.
Në fakt, pagesa e pensioneve, në masën dërrmuese, vazhdon të bëhet në formë cash, nëpërmjet sporteleve të Postës Shqiptare.
Pensionistët e kanë mundësinë për të kërkuar që pagesa e pensionit t’u bëhet në një llogari bankare, duke paraqitur një kërkesë për këtë qëllim pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Megjithatë, nga përvoja, zhvendosja kërkon kohë dhe shpesh ka shkaktuar vonesa në pagesën e pensionit në llogarinë e re.
Pavarësisht se kjo është një masë realisht e madhe njerëzish (Shqipëria ka sot rreth 650.000 pensionistë dhe numri është në rritje – nuk kemi një shifër të saktë të atyre që kanë arritur të kenë një pagesë në llogari bankare të pensionit te tyre, por gjithsesi masa më e madhe e merr në sportelet e Postës Shqiptare dhe paguhet në cash).
Por nuk është vetëm Posta dhe pensionet, edhe në sportelet e Furnizuesit të Shërbimit Universal paguhet vetëm me cash. Në sportelet e Ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve paguhet vetëm me cash.
Qeveria ka paralajmëruar se së shpejti, të gjitha pensionet do të paguhen në llogari bankare, por ende nuk ka shpallur një afat për këtë gjë dhe nuk e ka detajuar si do të ndodhë ky proces dhe për më tepër nuk dihet se çfarë ndikimi do të ketë kjo mbi Postën Shqiptare, e cila ka Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) si klientin e saj më të madh, prej ku realizon një pjesë të madhe të të ardhurave nga shërbimet financiare.
Zhvendosja e pensioneve në banka pritet të pasojë miratimin e ligjit të ri për llogarinë e pagesave me shërbime bazike, që parashikon ofrimin e shërbimeve më të rëndësishme të pagesave falas për shtresa të veçanta të popullsisë, duke përfshirë pensionistët.
Ndërkohë që shumë shpesh, drejtues të qeverisë kanë tërhequr vëmendjen e sektorit bankar për prapambetje në rrugën e dixhitalizimit, fakti është se e vetmja rrugë për pagesa jo cash të detyrimeve ndaj sektorit publik është ajo që mundëson sektori bankar dhe financiar.
Fakti është se pagesat elektronike për faturat apo shërbimet e tjera të kompanive dhe institucioneve publike ofrohen në forma jo cash, vetëm nëpërmjet shërbimit të bankave apo institucioneve financiare jobanka.
e-Albania, ende pa pagesa online
Në verën e vitit 2022, portali i shërbimeve dixhitale publike, e-Albania, pësoi një sulm të rëndë kibernetik që shkaktoi jo vetëm vjedhjen e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, por edhe mungesë disajavore të ofrimit të shërbimeve publike nga kjo platformë.
Deri në momentin e sulmit, nëpërmjet e-Albania mund të kryheshin pagesa për shërbime të veçanta publike, të ofruara vetëm nga një bankë tregtare, nëpërmjet një POS virtual (shërbimit e-commerce). Por, pas sulmit kibernetik, edhe kjo mundësi e vetme u pezullua, madje vetë banka në fjalë u bë objekt i një sulmi serioz kibernetik.
Një nga hipotezat që u diskutua në shtyp, ishte se sulmi mund të ketë ardhur pikërisht për shkak të ndërveprimit me platformën e-Albania.
Që atëherë, kryerja e pagesave të shërbimeve publike nga platforma e-Albania është ende e pamundur dhe qytetarët apo subjektet që marrin shërbimet e platformës duhet t’i kryejnë pagesat për shërbimet në sportelet e institucioneve financiare, të bëjnë vetë dërgimin elektronik të provës së pagesës së kryer dhe më pas të presin konfirmimin e pagesës për entin publik përkatës, proces i cili bëhet me rakordim manual të llogarisë përkatëse me dokumentin e dërguar nga qytetari për shërbimin që pretendon të marrë.
Prej muajit mars, ndonëse njëra nga bankat tregtare në vend po reklamon mundësinë e kryerjes së pagesave në e-Albania nëpërmjet aplikacionit të saj të internet banking, për disa shërbime të veçanta, një informacion i tillë nuk jepet në portalin e-Albania, ndërsa në praktikë kryerja e pagesave nëpërmjet faqes rezulton e pamundur.
Nëse zgjedh një shërbim dhe klikon butonin “paguaj”, ai thjesht të drejton përsëri në faqen kryesore (home page) të portalit.
Pra aktualisht, alternativa e vetme ngelet kryerja e pagesës së shërbimit në sportelet e bankave apo institucioneve financiare dhe ngarkimi përsëri i dokumentit që vërteton pagesën në e-Albania dhe pritja e dërgimit të konfirmimit të pagesës në institucionin publik.
Kjo, në rastin më të mirë shkakton vonesa të gjata në marrjen e shërbimit, por nuk janë të rralla edhe rastet kur kërkohet ende më shumë komunikim mes qytetarit e platformës, duke zhvlerësuar totalisht avantazhet që ofron një proces i ofrimit të shërbimit të dixhitalizuar.
Në fund të vitit 2022, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit pati njoftuar se pagesat, duke nisur nga fillimi i këtij viti do të kryheshin sipas një shërbimi të ri, që shmangte ndërveprimin direkt mes sistemeve të bankave dhe portalit e-Albania, për shkak të problemeve të lidhura me sigurinë kibernetike.
Skema parashikonte që portali do të gjeneronte një mandat pagese, me anë të të cilit qytetari do të mund të kryente pagesën me shërbimin e-banking të bankës së tij. Me kryerjen e pagesës, konfirmimi do t’i dërgohej automatikisht e pa ndërhyrjen e qytetarit sistemit të e-Albania, për t’i hapur rrugë marrjes së shërbimit nga subjekti kërkues.
“Qytetarëve dhe bizneseve do t’u jepet mundësia që për çdo shërbim publik të kërkuar të mund të përzgjedhin vetë bankën e nivelit të dytë, tek e cila kanë një llogari dhe nga ku mund të kryejnë pagesat / detyrimet, nëpërmjet instrumenteve dixhitalë që ofron banka e përzgjedhur nga ai / ajo vetë.
Banka do të njihet direkt me këto të dhëna dhe pas kryerjes së pagesës, institucioni për të cilin qytetari apo biznesi ka kërkuar shërbim, do të marrë në kohë reale konfirmimin e kryerjes me sukses të pagesës, që të vijojë paralelisht me dhënien e shërbimit.
Ky proces bashkëpunimi ka nisur, i nxitur nga kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve dhe bizneseve për të përfituar edhe me pagesat elektronike për shërbimet publike online”, – thuhej në njoftimin e AKSHI, në nëntor 2022.
Por, ky projekt deri tani nuk ka dhënë asnjë rezultat të prekshëm, të paktën deri tani. Episodet e përsëritura të sulmeve kibernetike, me sa duket kanë bërë që vëmendja të përqendrohet në garantimin e elementeve të sigurisë të sistemeve ekzistuese, pa bërë të mundur deri më tani integrime të sistemeve ndërinstitucionale.
Kjo do të mund të arrihet kur të gjithë këto institucione të kenë një nivel të njëjtë të sigurisë kibernetike, për të mos krijuar “vrima” prej ku do të mund të penetronin “hackers” nga një sistem i një institucioni në një tjetër.
Vitin e kaluar, Ministria e Financave dërgoi një ftesë për oferta te disa kompani të teknologjisë së informacionit, me qëllim ndërtimin e një sistemi për ngritjen dhe mirëmbajtjen e një platforme publike të pagesave elektronike.
Megjithatë, Ministria e Financave refuzoi të jepte informacion zyrtar për një procedurë të tillë dhe nuk është ende e qartë se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare për kryerjen e pagesave online për shërbimet publike.