Rindërtimi i pandërtuar po kap vlerën 1 miliardë euro!

0
77

Nga Dorjan Teliti

Rindërtimi do të hyjë në historinë e vendit si një prej proceseve më të gjata, në emër të të cilit janë kryer dhe po bëhen abuzime të paimagjinueshme!

Mungesë transparence, përdorim joefiçient i parasë publike, procedura prokurimi klienteliste shpeshherë pa garë me justifikimin e emergjencës, monitorim i cekët dhe mungesë totale informacioni mbi ecurinë e procesit, kosto sociale të pallogaritshme si pasojë e zvarritjes së procesit, etj, janë vetëm disa nga shqetësimet kryesore që po shoqërojnë këtë proces.

Premtimi: Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria u zotua që çdo familje e prekur do të strehohej në shtëpitë e reja brenda një, maksimumi 2 viteve. Me fjalë të tjera, procesi i rindërtimit do mbyllej brenda vitit 2021.

Fakti 1: Jemi në vitin e pestë dhe familjet jo vetëm që ende nuk kanë marrë “çelësat” por as nuk dihet se kur do të ndodhë diçka e tillë. Të pakët në numër dhe të vetmit fatlumë kanë qenë ata që morën shtëpi të ndërtuara dhe dhuruara nga donatorë të huaj.

Fakti 2: Gjatë periudhës 2020-2023 qeveria ka paguar 920 milionë euro për këtë proces nga paratë e buxhetit, ndërkohë që 65 milionë euro të tjera priten të paguhen edhe këtë vit.

Pyetje: Ç’u bë dhe ç’po bëhet me pothuajse 1 miliardë euro të rindërtimit? Pse nuk përfundojnë godinat e banimit? Kush dhe pse po e zvarrit këtë proces?

Pyetje: Pse për një kullë 30-katëshe punimet zgjasin as tre vjet, ndërkohë që për banesat në godina pak katëshe të gjynafqarëve jemi në vitin e pestë dhe ende nuk dihet se edhe sa muaj apo vite do duhen që të përfundojnë së ndërtuari?

Pyetje: Kush do të japë llogari e kush do të mbajë përgjegjësi për rreth 100 milionë euro faturë financiare për bonuset e qirave, ndërkohë që nëse ky proces do ishte mbyllur në respekt të premtimit qeveritar, kjo kosto do ishte disa herë më e ulët?

I bëjmë thirrje qeverisë të bëjë transparencën e munguar mbi këtë proces jetik për qindra e mijëra familje dhe njëkohësisht të mbyllë një ditë e më parë punimet që zvarriten pafundësisht nga kalendat e korridoret e pushtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here