Rudolf Hes, historia e vërtetë e shfarosësit të Aushvicit

0
134

Ai duhej të bëhej prift. I ati i tij, Franc Hes, një biznesmen i vogël nga Baden-Baden, ishte përpjekur t’ia transmetonte që në fëmijëri zellin e tij fetar. Nëse do t’ia kishte dalë, ndoshta sot askush nuk do të fliste për Rudolf Hesin, kriminelin nazist përgjegjës për makinerinë më të tmerrshme të vdekjes të konceptuar ndonjëherë nga mendja njerëzore, Aushvicin, aktualisht subjekt i filmit më të ri “Zona e interesit”, fitues i Çmimit të Madh Special të Jurisë në Festivalin e 76-të të Filmit në Kanë dhe i nominuar për 5 çmime Oscar.

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917, edhe pse vetëm 16 vjeç, Rudolf Hes (1901-1947), doli vullnetar dhe u rekrutua nga Regjimenti i 21-të. U rikthye në shtëpi me Kryqin e Hekurt për guxim dhe trimëri. Në klimën e pasluftës, në Gjermaninë e mundur dhe të poshtëruar nga forcat fitimtare, Hes e pati të vështirë të ri-integrohej në jetën civile.

Ai u regjistrua në Freikorps Roßbach, një trupë paraushtarake vullnetarësh, së cilës iu besua detyra e shtypjes së revoltave gjatë Republikës së Vajmarit. Në moshën 23-vjeçare u bë anëtar i Partisë Naziste. Një ditë u përfshi në vrasjen politike të ish-mësuesit të shkollës fillore, Valther Kadov, fajtor për denoncimin në polici të nazistit Leo Shlageter.

U dënua me 10 vjet burg dhe u mbyll në burgun e Brandenburgut, të cilin më vonë e cilësoi si “një shkollë e vërtetë e kriminalitetit”. Aty Hes u soll si një i burgosur model. Ashpërsia e disiplinës së burgut i përshtatej për karakterin dhe temperamentin që kishte, dhe e nxiti të zhvillonte parimin e tij moral. “Urdhrat janë në parim të mira, dhe ato duhen zbatuar me ndërgjegje”- do të shkruante në atë kohë.

I amnistuar pas 6 vjetësh, për pak kohë u duk sikur e ardhmja e tij do të ishte ndryshe. I punësuar në një fermë, u martua me Edvig Hensel, duke ëndërruar të ndërtonte  një fermë bashkë me të. Por gjërat shkuan ndryshe. Pasi u bashkua me Ligën Artaman nën thirrjen “Gjak dhe tokë” ( Blut und Boden), Hes u njoh me Hajrih Himlerin, kreun e trupave para-militare SS, që i propozoi t’u bashkohej atyre.

Paga ishte e mirë dhe mosndëshkimi i garantuar. Hes e pranoi ofertën. Pas emërimit të Hitlerit si Kancelar i Rajhut më 30 janar 1933, Rudolf ishte shumë entuziast. Ai u caktua në detyra policore në “kampin model të përqendrimit” të Dahaut në Bavari, i menduar si një mjet ndëshkimi alternativ ndaj burgut.

I ngjiti shpejt shkallët e karrierës. Në fillim u bë drejtues i një seksioni të burgosurish, më pas koordinator, dhe më në fund ndihmës/drejtues i kampit. Më 1 shtator 1939, kur Gjermania pushtoi Poloninë , ai ishte tashmë kreu i kampit të përqendrimit Sazenhauzen.

Ndërkohë pranoi me kënaqësi emërimin si komandant i një kampi të ri në ndërtim:atë pranë qytetit të panjohur polak Osviecim (Aushvic në gjermanisht). Punimet nisën më majin e vitit 1940 në rrënojat e një ish-kazerme të artilerisë polake. Në një kohë rekord priti “ngarkesën” e parë me 728 të burgosur politikë polakë dhe hebrenj të dëbuar me urdhër policisë sekrete në Krakov.

Kur Himleri bëri inspektimin e parë më 1 mars 1941, ai e përgëzoi Hes për punën dhe i propozoi skenarë edhe më ambiciozë. E urdhëroi të niste të zgjeronte kampin në përgatitje për ardhjen e një numri edhe më të mëdha të burgosurish. Himleri kishte në mendje një kapacitet prej 100.000 të internuarish.

“Ishin shifra të padëgjuara më parë në historinë e kampeve të përqendrimit”- do të shkruante në kujtimet e tij komandanti i Aushvicit. Por pas këtyre shifrave fshihej një plan strategjik: ”Aushvici do të bëhej një fabrikë e madhe armatimi, që do të shfrytëzonte punën e burgosurve”.

Në përputhje me porositë e marra, Hes nisi ndërtimin e kampeve të reja në Birkenau, 3 kilometra larg Aushvicit, duke siguruar fuqi punëtore për industritë gjermane. Të burgosurit më të shëndetshëm dhe më të fortë ishin të destinuar për punë të detyruar, ndërsa të dobëtit ose të sëmurët eliminoheshin menjëherë.

Pas pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, Hes mori nga Himler një udhëzim edhe më monstruoz. Aushvici do të bëhej “qendra më e madhe e shfarosjes së të gjitha kohërave “. Hes nuk u shqetësua aspak nga kjo gjë. Sepse në Poloni ekzistonin tashmë kampe shfarosjeje në Nelzec, Treblinka dhe Volzek.

Gjithsesi, problemi ishte gjetja e një metode efikase të shfarosjes në masë. Metoda e vënë në zbatim në Treblinka, me monoksid karboni të prodhuar nga motorët me naftë, iu duk shumë primitive. Për me tepër donte të shmangte gjakderdhjen:”Të shtënat me armë më tmerronin, sidomos kur mendoja për gratë dhe fëmijët”.

Në shtatorin e vitit 1941 zëvendësuesi i tij Karl Fric e gjeti zgjidhjen, Ziklon B, një preparat i acidit prusik që përdoret në fusha për dezinfektimin e parazitëve, dhe që gjendej në sasi të mëdha. Testi i parë u zhvillua mbi 900 të burgosur sovjetikë.

Siç tregoi Hes më vonë “rusët u detyruan të zhvishen dhe të hynin me qetësi në dhomën ku u ishte thënë se do të dezinfektoheshin nga parazitët“. Ziklon B u lëshua nga pjesa e tavanit përmes disa tubave. Të burgosurit e nuhatën rrezikun dhe përpoqën të hapnin me forcë dyert, por pa dobi.

Pas gjysmë ore, kur nga brenda nuk dëgjohej me asgjë zhurmë, dyert u hapën nga gardianët. “Për herë të parë pashë një numër të madh kufomash të mbytura nga gazi. Kisha imagjinuar një mbytje të tmerrshme të tyre, por viktimat nuk shfaqnin shenja tkurrjeje apo spazmash. Mjekët më shpjeguan se acidi prusik vepronte në mushkëri me një efekt paralizues”- do të shkruante në ditar.

Hes u lehtësua. “U ndjeva i lehtësuar, sepse së shpejti do të fillonte shfarosja masive e hebrenjve”- shkruante ai. Nga viti 1942 dhe deri në fund të vitit 1944, trenat plot me hebrenj vinin pothuajse çdo ditë nga vendet evropiane të pushtuara nga gjermanët apo aleatët e tyre. 250 barakat prej druri mund të strehonin 300 të burgosur secila, ndërsa 4 dhomat e gazit në Birkenau ishin në gjendje të vrisnin 2.000 të burgosur në të njëjtën kohë.

Furrat e krematoriumeve punonin pa pushim. Ndërsa disa vite më parë hebrenjtë shpresonin se një ditë mund të liroheshin, tani e dinin se ishin të destinuar të vdisnin. Dhe kolapsi shpirtëror e përshpejtoi atë fizik. “Ky është Aushvici. Këtu nuk mund të jetoni për shumë kohë. Dhe ata nisnin të na dhunonin”- kujton i mbijetuari Moris Kornberg.

Kur mbërritën hebrenjtë nga Selaniku, SS u dha të gjithëve kartolina për t’ua dërguar të afërmve të tyre, duke i nxitur të shkruanin se “gjermanët na trajtojnë mirë, dhe ne mezi presim ardhjen tuaj”. “Familje të tëra mbërritën aty, duke kërkuar që t’u bashkoheshin të afërmve të tyre“- dëshmon e mbijetuara tjetër Mari Kuturie.

Pasi u transferua për disa kohë në Zyrën Qendrore dhe Ekonomike të SS në Berlin në fund të vitit 1943, Hes u rikthye në Aushvic në majin e vitit 1944 për operacionin Ungarn-Aktion, për eliminimin e 400.000 hebrenjve hungarezë në vetëm 3 muaj.

“Isha detyra ime të kontrolloja kur ata digjnin kufomat dhe nxirrnin dhëmbët prej floriri, pavarësisht erës së rëndë. Unë isha ai që e shihnin të gjithë”- tha më vonë Hes. Më në fund, fitoret e aleatëve ringjallën shpresat. Në dimrin e vitit 1944, SS urdhëroi evakuimin e kampeve dhe shkatërrimin e Totenbuch (“libri i të vdekurve” me shifrat e të shfarosurve). Aushvici u evakuua nga SS më 17 janar 1945, dhe u çlirua nga sovjetikët 10 ditë më vonë. Pas një tentative arratisjeje, xhelati i Aushvicit u kap më 11 mars 1946 nga britanikët. Një muaj më vonë, në gjyqet e Nurembergut ai bëri një rrëfim tronditës: “Unë deklaroj se gjatë periudhës kur isha komandant, miliona hebrenj u vranë në dhomat e gazit dhe gjysmë milioni u eliminuan me mjete të tjera “.

Dëshmia e tij për avokatin Kurt Kaufman ishte rrëqethëse. “A është e vërtetë që furrat kanë punuar pa pushim? “. “Po“ . “A është e vërtetë që edhe fëmijët e porsalindur kanë përfunduar në dhomat e gazit?“. “Po“. “A keni ndjerë ndonjëherë keqardhje për këto viktima?“. “Ajo që kishte rëndësi mbi të gjitha ishte urdhri i Hitlerit!”.

I transferuar në Poloni dhe i dënuar me vdekje nga Gjykata e Lartë e Varshavës, Hes u var në litar po në Aushvic më 16 prill 1947. “Sa zili i kam shokët e mi, që patën vdekjen e nderuar të ushtarit në fushën e betejës”- shkroi ai gjatë qëndrimit në burg. Nuk u pendua asnjëherë. “Unë isha shndërruar në një ingranazh në makinerinë e madhe shfarosëse të Rajhut të Tretë. Tani që kjo makineri është shkatërruar edhe unë duhet të vdes. Këtë po e kërkon bota”’- do të theksonte shfarosësi i Aushvicit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here