Zjarri te Urgjenca e Re e QSUT, bëhet “tym” investimi 17 milionë euro

0
91

Nga Boldnews.al

Pacientët e Shërbimit të Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) dolën me urgjencë nga godina të dielën në mëngjes, pasi një zjarr në katin e nëndheshëm shpërndau tym të rrezikshëm për jetën dhe shëndetin e tyre.

Familjarë, stafi mjekësor, punonjës të Policisë dhe shërbimit zjarrfikës u angazhuan për evakuimin e pacientëve dhe dërgimin e tyre për trajtim në Spitalin e Traumës dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi” (Senatorium).

Shërbimi i Urgjencës nuk pranoi gjatë të gjithë ditës së dielë pacientë të rinj, deri në normalizimin e situatës.

Në foto: Policia dhe zjarrëfikësit evakuuan pacientët e Urgjencës në QSUT pas përhapjes së tymit

Policia deklaroi se paraprakisht dyshohet që zjarri ka ndodhur në katin -1 për shkak të një shkëndije elektrike. Megjithatë, po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ky rast përbën incidentin e parë serioz të raportuar në Urgjencën e Re të QSUT-së. Shërbimi i Urgjencës  është pjesë integrale e Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Godina 7-katëshe u mor në dorëzim nga Ministria e Shëndetësisë vetëm pak muaj më parë.

Në foto: Kryeministri Rama njoftoi në rrjete sociale hapjen e Urgjencës së Re të QSUT, në Prill 2023

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme (dhe Urgjenca e Re) përbëjnë investimin më serioz në Shëndetësi në 30 vitet e fundit.

Por, incidenti i rëndë i së dielës, kur Spitali i ri ende nuk ka mbushur një vit punë, tregon se fjalët në rrjete sociale të kryeministrit duhen marrë me rezervë të theksuar.

Investim 17 milionë euro

Investimi për Spitalin e Ri në Qendrën Spitalore Universitare ka kushtuar rreth 17 milionë euro. Nga kjo vlerë, më shumë se 11 milionë euro janë shpenzuar për godinën dhe pjesa tjetër për aparatura spitalore.

Investimi është kryer me një kredi të marrë nga Bankë e Këshillit të Europës (CEB), si edhe me financim nga qeveria.

Në vitin 2015, qeveria shqiptare, nëpërmjet ministrit të Shëndetësisë së kohës, Ilir Beqja, negocioi për marrjen e një kredi për sistemin shëndetësor në shumë totale prej 24 milionë euro. Kjo shumë do të përdorej kryesisht për infrastrukturën e QSUT-së, por edhe për disa spitale rajonale.

Marrëveshja e qeverisë me Bankën e Këshillit të Europës u ratifikua në Parlament në vitin 2016.

Në Maj të vitit 2018, Ministrja e Shëndetësisë së kohës, Ogerta Manastirliu, nënshkroi kontratën për ndërtimin e godinës së re me drejtorin ekzekutiv të shoqërisë italiane “INSO”, Fabrizio Puccarelli.

Në foto: Ministrja e Shëndetësisë së kohës, Ogerta Manastirliu, nënshkroi kontratën me kompaninë italiane, “INSO”, për ndërtimin e godinës së re

Kontrata parashikonte që Spitali i Ri, me një investim prej 14.4 milionë euro, do të ndërtohej nga themelet brenda ambjenteve të QSUT, ku do të përqëndrohen të gjitha repartet e sëmundjeve të brendshme (të 6-katëshit aktual) duke filluar nga kardiologjia, hemodinamika, nefrologjia etj. si dhe do të bëjë bashkë shërbimin e mjekësisë interne, alergologjisë, të cilat së bashku me shërbimet ekzistuese do të kompletojnë profilin e nje spitali të mirëfilltë të sëmundjeve interne.

Po ashtu, për një organizim dhe funksionim më të mirë të shërbimit të urgjencës, me ndërtimin e këtij spitali të ri, Shërbimi i Urgjencës do të transfrohet në godinën e re me hyrje nga rruga e Dibrës, duke krijuar kështu lehtesi në lëvizjen e autoambulancave.

Vonesat në ndërtim

Kontrata mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë italiane parashikonte ndërtimin e godinës së Spitalit të Ri të QSUT-së brenda një periudhe 36-mujore, afat që përfundonte në vitin 2021.

Në foto: Godina e re duhej të mbaronte në vitin 2021

Nën justifikimin e tërmetit dhe pandemisë Covid-19, afati për përfundimin e projektit u shty edhe për dy vite të tjera.

Në Mars të vitit 2023, Kryeministri Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu përuruan godinën e re të Spitalit në QSUT.

Në foto: Rama dhe Manastirliu përuruan Urgjencën e rë në QSUT, në Mars 2023

Një muaj më vonë, Rama njoftoi nëpërmjet rrjete sociale se nisi nga puna Urgjenca e Re në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), pikërisht, ajo godinë ku tymi i flakëve u përhap rrezikshëm në të gjithë katet mëngjesin e së dielës së 11 shkurtit 2024.

Kryeministri Edi Rama ende nuk ka dhënë një koment mbi situatën në godinën e re. fjalët e tij për godinën e Spitalit të Ri janë ndaluar një vit më parë, në kohën kur propagandonte investimin.

Një investim, i cili, mesa duket, ka probleme serioze, pavarësisht shumës së madhe financiare që është përdorur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here