Rinia shqiptare, mes burgut dhe emigrimit

0
108

Shqipëria ka më shumë të paraburgosur dhe të burgosur se sa kapacitetet që ka! Kjo ishte deklarata e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manjës, vetëm disa ditë më parë, i cili për ta përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në burgje, shtoi se në vendin tonë ka 2500 persona të burgosur më shumë sesa standardet e BE-së.

Deklarata e tij, më shumë se për të treguar gjendjen në burgjet shqiptare, ishte për të bindur opozitën për votimin e amnistisë penale, nga e cila do të përfitonin rreth 700 persona, por që do të sillte sadopak një normalizim të situatës në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Por, pavarësisht qëllimit në deklaratën e ministrit, shifrat e treguara prej tij janë një këmbanë alarmi për Shqipërinë, që tregojnë se përveç emigrimit, rruga tjetër e qytetarëve mbetet ajo drejt burgut. Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2011 deri në vitin 2022 kanë emigruar nga vendi mbi 512 mijë persona, ku rreth 70 për qind e tyre ishin të rinj.

Ndërkohë, çdo ditë Policia e Shtetit nxjerr disa njoftime ku tregon se në kuadër të operacioneve  “Sundimi i Ligjit” dhe “Tempulli” arrestohen dhjetëra persona çdo ditë. Pjesa më e madhe e tyre vihen në pranga si të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, ndërkohë që në shumë raste gjykatat i lënë në burg, pavarësisht se kanë mundësi për masa më të lehta sigurie, për shkak edhe të sasive të vogla me të cilat ata kapen në flagrancë.

Vendime të tilla, ku prokurorët dhe gjyqtarët kërkojnë të respektojnë me çdo kusht ligjin për këta persona, ndërkohë që çdo ditë lirohen anëtarë bandash dhe vrasës, kanë sjellë këtë situatë në burgjet shqiptare, ku përveç mbipopullimit, problem tjetër mbeten edhe kushtet në të cilat të burgosurit qëndrojnë.

Rruga drejt emigrimit nuk është e lehtë për të rinjtë shqiptarë, që detyrohen të lënë shkollën, familjet dhe të punojnë në të zezë për të siguruar sadopak të ardhura, por edhe më e vështirë është rruga drejt punëve “të pista”, si shitja e lëndëve narkotike.

Varfëria dhe pamundësia për të punuar dhe jetuar normalisht në Shqipëri i kanë shtyrë të rinjtë drejt 2 rrugëve, asaj të emigrimit ose të krimit. Ata duhet të zgjedhin, pasi korruspioni në këtë vend nuk u ka lënë zgjedhje tjetër!

Ditar.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here