E superpaguar/ Kontrata absurde e makinave të Policisë, efektivët detyrohen të patrullojnë në këmbë

0
77

Shteti e kap lepurin me qerre!” Bindja e qeverisë se kjo shprehje funksionon gjithmonë duket se i ka lënë efektivët e Policisë së Shtetit në mëshirë të fatit.

Policia e Shtetit ka marrë nga kompani private makina me kontratë “leasing”, por pavarësisht se i paguan me çmim të plotë, këto kontrata kanë të vendosura edhe limitet e kilometrave që një makinë duhet të bëjë çdo muaj.

Sipas kontratës, një makinë policie nuk mund të bëjë më shumë se 2700 kilometra në muaj, çfarë do të thotë 90 km në ditë. Duke qenë se Policia e Shtetit është në shërbim 24 orë, atëherë për çdo turn efektivët e patrullës nuk duhet të kalojnë limitin prej 30 kilometra.

Media Ditari ka komunikuar me disa efektivë policie, të cilët shprehen se kilometrat e parashikuar në kontratë plotësohen përpara afatit, ndaj ata janë të detyruar që t’i mbyllin makinat dhe të patrullojnë në këmbë.

Kontrata 4 vjeçare e lidhur nga Policia e Shtetit me kompaninë private ka edhe një pikë ku thotë se “nëse përpara përfundimit të afatit të kësaj kontrate, një automjet arrin kufirin e përdorimit prej 130.000 km (si afati maksimal, i parashikuar për 48 muaj), kjo kontratë do të konsiderohet automatikisht e përfunduar për atë automjet”.

Pra, kompania që ka dhënë makinat ka të drejtën ta marrë automjetin nëse arrihen 130 mijë kilometra, pavarësisht se nuk kanë kaluar 48 muaj, si dhe do të përfitojë pagesën e plotë të marrëveshjes.

Patrullimi në këmbë i efektivëve sjell problematika të shumta, pasi ata detyrohen të përdorin mjetet private apo t’i kërkojnë qytetarëve të tjerë t’i transportojnë në deri në vendngjarje, në rastet kur ndodhin ngjarjet kriminale.

Kontrata është nënshkruar në vitin 2021, çfarë do të thotë se ka edhe 1 vit kohëzgjatje, por Ministria e Brendshme duhet të bëjë kujdes me kontratën e ardhshme, për të mos i lënë sërish efektivët nën presionin e kilometrave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here