Më shumë se gjysma e ndërtesave të Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që kur Izraeli nisi hakmarrjen për sulmet e Hamasit të 7 tetorit, zbulon një analizë e BBC, pas vëzhgimit në terren.
Izraeli u ka bërë thirrje vazhdimisht banorëve të Gazës që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre.
Në të gjithë Gazën, zonat e banuara kanë mbetur të rrënuara, rrugët e frekuentuara më parë tregtare janë kthyer në gërmadha, universitetet e shkatërruara dhe tokat bujqësore të shkatërruara, me qytete me tenda që ngrihen në kufirin jugor për të strehuar mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 1.7 milionë njerëz, më shumë se 80% e popullsisë së Gazës, janë të zhvendosur, në skajin më jugor të rripit .
Analiza e mëtejshme, nga ‘BBC Verify’, zbulon shkallën e shkatërrimit të tokës bujqësore, duke identifikuar zona të shumta me dëme të mëdha. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë në shënjestër si luftëtarët e Hamasit ashtu edhe “infrastrukturën terroriste”, kur sfidohen për shkallën e dëmit.
Pamjet nga sateliti tregojnë shkallën e vërtetë të shkatërrimit, ku midis 144,000 dhe 175,000 ndërtesa në të gjithë Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar. Pra mes 50% dhe 61% e ndërtesave të Gazës.
Analiza, e kryer nga Corey Scher i City University of New York dhe Jamon Van Den Hoek i Oregon State University, krahason imazhet për të zbuluar ndryshime të papritura në lartësinë ose strukturën e ndërtesave që tregojnë dëme.