Noka: Ne kemi për detyrë të ngrihemi në mosbindje civile! Ne do t’i marrim në dorë fatet e vendit siç bëmë para 33 vitesh

0
112

Të dashur miq, të nderuar demokrate e demokratë shqiptarë.

E thërrasim këtë mbledhje me porosi të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sot është mbledhja e parë që zhvillojmë ne së bashku me liderin tonë, kryetarin e PD, të dënuar politiuk.

Me këtë akt kriminal, Edi Rama mendonte ti jepte goditje përfundimtare opozitës, pasi ai e dinte shumë mirë, se arrestimi i Sali Berishës, pa asnjë motiv ligjor, por strikt politik është defakto arrestimi i opozitës.

Sepse sot, për ata që e duan, por edhe për ata që nuk e duan, Sali Berisha është opozita.

Me këtë akt politik, pjesë të një skenari të vjetër, Edi Rama dhe regjimi i hapi luftë PD-së, i hapi luftë opozitës shqiptare.

Ndaj sot PD dhe demokratët janë në luftë me Edi Ramën.

Sali Berisha sot është i burgosur politik i Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Me këtë vendim kriminal Edi Rama çeli siparin e instalimit defakto të një neodiktature, me këtë akt ai synon të kthejë monizmin dhe të zhdukë opozitën.

Me këtë akt të imponuar çdo demokrate, demokrat, çdo drejtuese dhe drejtues i PD duhet dhe do të lidhet në betejë.

Ne duhet të marrim me shpejtësi kthesën, ne duhet ti përgjigjemi Edi Ramës dhe klikës së tij dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hezitim.

Në Kuvendin e fundit ne përcaktuam platformën tonë të mosbindjes civile, ne e votuam atë platforme dhe duhet ta zbatojmë.

Pra, t’i përgjigjemi armikut tone me mosbindje civile dhe me betejë pa kthim.

Sali Berisha, kryetari i kësaj partie dhe lideri historik, është sot i izoluar, i arrestuar, por i pamposhtur. Ai, në një sfidë midis vendimeve antikushtetuese, antiligjore dhe Kushtetutës dhe ligjit zgjodhi Kushtetutën dhe ligjin.

Lufta ndaj Sali Berishës është përpjekja e Edi Ramës dhe mafias së George Soros-it për një Shqipëri pa opozitë, apo me një opozitë të kontrolluar nga Edi Rama. D.m.th për një diktaturë të Edi Ramës mbi shqiptarët, që me gjenocid po i shfaros nga vendi i tyre.

Është strategji me synime afatgjata, që synon konsolidimin në Shqipëri të diktaturës, të aleancës së Edi Ramës me krimin, drogën dhe vjedhjen. Është një përpjekje për të fshirë nga historia kontributin e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike në transformimin epokal të Shqipërisë; për të krijuar një “Shqipëri të re” nga “Kinostudio Shqipëria e re” e propagandës, ku mbeten vetëm Enver Hoxha dhe Edi Rama.

Skema për ta asgjësuar opozitën është e vjetër, siç e dini. Ata që nuk e besonin në fillim, na japin të drejtë tani. Atë që desh e arritën, përmes blerjes dhe marrjes peng të ish-kryetarit, kaluan në fazën finale: të rrëzojmë liderin.

I kanë bërë llogaritë pa hanxhinë.

Ka një dallim mes liderëve dhe kryetarëve. Të dytët shkojnë e vijnë, të parët mbeten. Dhe ky është sekreti i Sali Berishës. Ai nuk ka marrë askënd peng, nuk ka lutur askënd, nuk ka shtyrë askënd për të qenë ndjekës i tij. Ndjekësit e tij, ne këtu dhe me mijëra jashtë kësaj salle, janë besimtarë jo të Doktorit, por të dinjitetit, të lirisë. Ne jemi konservatorë, ata që konservojnë, që ruajnë, pikërisht për këtë arsye: ne ruajmë vlerat, i kuptojmë ato dhe bëjmë betejë për to.

Nuk ka asnjë lidhje apo sekret tjetër mes nesh dhe Sali Berishës. Mes Sali Berishës dhe Shqipërisë. Mes Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, e cila nuk bëhet nëse nuk e shohim të shkuarën për atë që është.

Kjo që po ndodh sot është, ndër të tjera, përpjekje për të ndryshuar të shkuarën.

Por çfarë mund të thuhet për të shkuarën.

Që Sali Berisha është politikani kyç në ndryshimet demokratike të vitit 1990.

Që Sali Berisha i priu PD dhe Shqipërisë në një set reformash dhe transformimesh epokale.

Që Sali Berisha futi vendin në NATO.

Që liberalizoi vizat.

Që lidhi kufijtë dhe ëndrrat e shqiptarëve nëpërmes Rrugës së Kombit.

Që priti në Tiranë Bushin e ri dhe takoi në Uashington Bushin e vjetër.

Që pavarësia e Kosovës u shpall ne Tirane.

Qe luajti rol përcaktues ne projektin strategjik të kohës, gazsjellësin TAP.

Si mund të ndryshohen këto? Si mundet historia të lexohet mbrapsht?

Ne jemi parti e historisë, por nuk lejojmë të na arkivojnë në histori me pahir. Vetëm shqiptarët dhe vota e tyre e lirë dhe e drejtë ka të drejtë ta bëjë këtë.

Ne sot, si demokratë dhe si shqiptarë, kemi detyrat tona para historisë dhe të ardhmes. E lamë vendin me zgjedhje të lira në vitin 2013 dhe duhet të sigurojmë që në këtë vend bëhen sërish zgjedhje të lira.

Ne kemi sot si detyrë te marrim kthesën, të hidhemi në mosbindje civile, që ta çlirojmë Shqipërinë nga pengmarrësit dhe të pengmarrët.

Ne kemi për detyrë të ngrihemi ne mosbindje civile, jo vetëm për Sali Berishën, por edhe për Sali Berishën. Të ngrihemi ne mosbindje civile jo vetëm për veten, por edhe për veten. Të ngrihemi ne mosbindje civile jo vetëm për PD, por edhe për PD. Të ngrihemi ne mosbindje civile jo vetëm për demokratët, por të gjithë opozitaret, madje edhe për socialistët. Për shqiptarët që e konsiderojnë votën e lirë dhe pluralizmin politik si themel të lirisë dhe rendit demokratik

Po, është e vërtetë që sot po ikin opozitarët nga vendi, por nesër vjen edhe radha e socialistëve. Ata duhet ta kuptojnë këtë. Një vend që zbrazet nuk është një vend ku rroga, pushteti dhe sehiri mjaftojnë.

Të dashur demokratë, të dashur shqiptarë:

Sali Berisha nuk është vetëm lider demokrat, ai është edhe udhëheqës shqiptar. Arrestimi i tij është një vepër antishqiptare sepse shkel mbi Kushtetutën e Shqipërisë, mbi traditat shqiptare, sepse shqiptari nuk e ka zakon pritën e pabesë dhe të padrejtë.

Ndaj Sali Berishës, edhe me Kushtetutë edhe me Konventën Europiane të të drejtave te njeriut, ka sot një padrejtësi dhe një pabesi nga Edi Rama dhe mercenarët e tij Dumani, Kraja, Millonai e Gjoka.

A i lexoni lajmet për Ramën, që harxhon mijëra dollarë në natë për të fjetur në hotelin e Trumpit? Të atij që deri dje e quante “turp të qytetërimit”. A e dini se pasi flinte në hotelin e Trump, shkonte dhe darkonte me darka dhjetëra mijëra dollarëshe me McGonigalin. Të cilit i paguante qindra mijëra dollarë për të lobuar kundër PD, kundër Sali Berishës.

Por për të gjitha këto, ai ka mburojë mercenarët e SKAP-it, Dumanër e kompani, që rrëmbejnë gazetarë për të fshirë emrin e tij nga dosje krimi.

Ne e kuptuam kush ishte SKAP që ditën e pare, kur dosjet 184 dhe 338 të masakrës zgjedhore në Durrës dhe Dibër, ua përcolli prokurorive të rretheve. Me këtë veprim SPAK i dha viston krimit zgjedhor dhe u pozicionua politikisht duke u bërë hanxhar politik në duart e Ramës kundër zgjedhjeve të lira dhe opozitës.

Sot, me veprimet ndaj Sali Berishës dhe liderëve të tjerë të opozitës, po vazhdon misionin politik si organizatë e strukturuar kriminale për të shuar opozitën.

Kjo nuk është drejtësi. As e re dhe as e vjetër. Kjo është poshtërsi.

Por, ne nuk do ta lejojmë poshtërsinë që të përmbysë Shqipërinë.

Ne do t’i marrim në dorë fatet e vendit, siç bëmë para 33 vitesh, siç bëmë në 2005. Është detyra dhe fati jonë. Është detyra e shqiptarëve që të ngrihen për një Shqipëri normale, ku të bardhës i thuhet e bardhë dhe të zezës së zezë.

Ku atdheu është për t’u jetuar dhe jo për t’u shitur dhe as për të ikur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here