KAS pranon ankimimin e Maliqit: KQZ të rishqyrtojë mandatin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari

0
120

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka pranuar pjesërisht në mbledhjen e sotme ankimimin e ish-deputetit Lefter Maliqi, duke detyruar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë sërish mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

KAS ka shfuqizuar vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, i cili vendosi të “fali” Kreshnik Hajdarin edhe pse ai kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar për dënimin në Greqi.

“Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së paraqitur nga subjekti Partia e Lirisë. Shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjthshëm për subjektin e vetëdeklaruar Kreshnik Riza Hajdari kryetar të Bashkisë Kuçovë. Kthimin e çështjes për shqyrtim tek Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duke i lënë në detyrë faktin se KQZ në trajtimin e kërkesës ndodhet në kushtet e nenit 66 të Kodit të Procedurës Administrative.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimimi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë brenda 45 ditëve nga shpallja e tij.” – u shpreh në mbledhjen e sotme KAS

Kujtojmë se kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) nën akuzën për veprën penale “falsifikim të formularëve”.

Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje.

Nga verifikimet e Prokurorisë, gjithashtu konfirmuar nga ministria e Drejtësisë greke, Kreshnik Hajdari rezulton i bashkëgjykuar i mitur dhe është dënuar me “masa riedukuese e qortimit”. Sipas drejtësisë greke, i pandehuri në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.

Kjo çështje u shqyrtua nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, i cili vendosi të mos i ndërpresë mandatin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdarit. Por, sipas juristëve të koalicionit “Bashkë Fitojnë”, mjaftonte vetëm mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit të dëbimit të zotit Hajdari në vitin 1999 nga Greqia për t’i ndërprerë mandatin. Madje ata ngulmuan se ai kishte konsumuar edhe një vepër penale.

Por, sipas Ilirjan Celibashit, KQZ për të tilla raste e kishte tashmë një praktikë të konsoliduar, duke vlerësuar se nuk ka një shkak ligjor që kryetarit bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kuçovën, Lefter Maliqi nuk u pranua me këtë vendim duke e konsideruar si të padrejtë dhe e ankimoi, dhe tashmë pas vendimit të KAS, Ilirjan Celibashi duhet të vendosë sërish për mandatin e Kreshnik Hajdarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here