Nga 5 tetori deri në fund të dhjetorit kur u mbyll edhe sesioni parlamentar, PS jo vetëm që nuk ishte e gatshme të dialogonte për kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, por ju kundërpërgjigj aksionit të saj me ndëshkime parlamentare.
Me anë të Sekretariatit të Etikës të mbledhur fizikisht dhe online, mazhoranca përjashtoi 29 deputetë demokratë, me në krye Sali Berishën dhe kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhin. Pasi u pa që masa disiplionore me 10 ditë përjashtim nuk po e zmbrapste aksionin e pakicës, të majtët ndërmorën nismën duke e ligjëruar më pas në Parlament për të ashpërsuar dënimet deri në 60 ditë.
Në harkun e tre muajve socialistët morën 64 vendime në 10 mbledhje të Sekretariatit të Etikës, pas çdo seance plenare, të cilën opozita nuk e lejoi të zhvillohej normalisht duke ndezur tymueset dhe kthyer përmbys karriget. Në total, 29 deputetëve të cilën u shpallën fajtorë nga socialistët u janë hequr 623 ditë pune dhe page.Më shumë i ndëshkuari mes të demokratëve rezulton Flamur Noka me 40 ditë përjashtim, dhe një kërkesë për 60 ditë, për të cilin ende nuk është marrë një vendim, por pritet të jetë i pari që do të inaugurojë rregulloren e re duke u penalizuar për ndezjen e tymuesve në seancën e fundit, me 60 ditë nga çdo punim i Parlamentit dhe komisioneve parlamentare gjatë 2024.
5 herë është përjashtuar edhe deputeti Bledion Nallbati, duke i hequr 50 ditë punë. Përveçse dënimit parlamentar, ndaj demokratit Nallbati socialistët nuk janë mjaftuar vetëm me zbatimin e rregullores së vjetër por e kanë kallëzuar atë edhe në SPAK për përplasjen e tij fizike me kolegun e mazhorancës Vullnet Sina.
Edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka qenë në top 5 e deputetëve më të “goditur” nga PS përmes përjashtimeve, duke e shmangur atë për 50 ditë nga aksioni parlamentar i opozitës.
Një ndër gratë më aktive të PD ka qenë Albana Vokshi, e cila u dënua nga mazhoranca 4 herë me nga 10 ditë përjashtim. Të njëjtin fat 4 herë radhazi kishte edhe Saimir Korreshi, me përjashtimin e vetëm se dënimi i fundit u zbut në 3 ditë, me argumentin se kishte bërë “pak faj”.
Këtij aksioni përjashtimesh i kanë shpëtuar 33 deputetë opozitarë, 9 mbështetës të grupit Berisha-Bardhi, 11 nga radhët e aleatëve, si dhe dy deputetët Jorida Tabaku e Agron Shehaj.
Gjithashtu pjesë e kësaj liste shtohen edhe 11 deputetët që qëndrojnë në krah të Lulzim Bashës, të cilët jo vetëm që nuk u janë bashkuar aksionit kundër mazhorancës por në shumicën e seancave nuk kanë qenë fare të pranishëm në seanca.