Zyrtarisht nën diktaturë

0
278

Java e fundit e vitit 2023 i gjen shqiptarët nën diktaturë. Arrestimi i pritshëm i Sali Berishës është epilogu i përpjekjeve dhjetëvjeçare të rilindjes për të kthyer diktaturën në Shqipëri.

Paralelizmi për këdo që njeh sadopak historinë e Shqipërisë nga viti 1941 e në vazhdim është pothuajse perfekt.

Pa u përpjekur të jem shterues në analizë dhe fakte, po përmend vetëm disa nga ngjashmëritë midis diktaturës së sotme të rilindjes dhe asaj të dikurshme të proletariatit.

1.
PKSH-ja pas krijimit në nëntor 1941 e kuptoi se nuk mund të mbijetonte e vetme. U përpoq me çdo mënyrë të krijonte aleanca me nacionalistë, progresistë, elementë të caktuar të fesë, etj. Sapo u ndjeu veten të fortë, i dërgoi aleatët e dikurshëm në burg, në litar ose para togës së pushkatimit. Edhe rilindja kishte nevojë për aleatë për të ardhur në pushtet, sepse nuk kishte as numrat dhe as besueshmërinë. I gjeti ata tek LSI-ja e vitit 2013 dhe tek partitë e tjera të vogla që mblodhi rreth vetes. Sapo u ndje e fortë dhe pa se numrat qëndronin nga ana e saj, i hodhi në kosh gjithë aleatët duke i çuar ose në zhdukje, ose në prag të zhdukjes.
Nëse pyet sot Metën dhe ekipin e atëhershëm të LSI-së se cili ka qenë vendimi politik më i gabuar i tyre, sigurisht do të përgjigjen “aleanca që pasoi takimin e ngjalave”. Sikundër Enver Hoxha pushkatoi kunatin që e mbajti me bukë dhe i shpëtoi kokën jo njëherë gjatë luftës, ministri që po vuan dhe do të vuajë më gjatë burgun e Boratit është vëllai i atij që organizoi darkën e famshme e cila hapi rrugën e Boratit drejt pushtetit.

2.
Një diktaturë ka nevojë për mjetet e saj të represionit. PKSH dhe PPSH dikur kishin gjykatat popullore dhe rrjetin e spiuneve, disa të paguar dhe disa vullnetare, si dhe gjyqin e opinionit publik që ishte i pamëshirshëm dhe, natyrisht, i dirigjuar.
Sot rrjetet e patronazhistëve dhe aktivistëve, janë plotësuar edhe nga elementi i fundit që i mungonte deri sot rilindjes, gjykatat e tipit Bedri Spahiu, të cilat janë të bindura deri në verbëri, nuk njohin logjikën juridike dhe drejtohen si gijotina politike.
Opinionin publik e kanë zëvendësuar rrjetet sociale dhe mediat e blera të cilat i vënë damkën “fajtorit” shumë kohë para gjykatës dhe e bëjnë vetë gjyqin një formalitet. Gjithçka nën dirigjimin e ekipit gëbelsian të propagandës dhe armatës digjitale të suflaqexhinjve të Boratit.

3.
Asnjë sistem politik nuk ka sistem propagande më të fortë se diktatura. Në kohën e PPSH-së rrjeti kapilar i propagandistëve niste nga komiteti qendror, instituti marksist-leninist dhe arrinte në çdo klasë fëmijësh, brigadë fshatarësh apo ekip punëtorësh.
Të njëjtën gjë bëjnë sot rrjetet e aktivistëve, patronazhistëve, ministrat dhe drejtorët të cilët u matin vartësve “like-t” dhe “komentet” në facebook, instagram apo tik-tok. Këtë bën edhe vetë Borati me ato dhjetëra statuset ditore, daljet mediatike dhe podkastet.
Një propagandë intensive, që nuk pushon kurrë, që reklamon “fitorjet” dhe shënjestron armiqtë dhe që nuk e njeh turpin në përpjekjet për ta paraqitur të zezën si të bardhë dhe anasjelltas.

4.
Në fund diktaturat e kanë një qëllim, të rralla janë ato që bëhen thjesht për ideologji. Qëllimi është që një pakicë e shoqërisë, “të përzgjedhurit”, të përdorë burimet dhe të ketë qasje të pakufizuar në to.
Liderët e dikurshëm komunistë krijuan bllokun ku jetonin si njerëz, ushqeheshin si njerëz, i lejonin vetes mundësinë për të udhëtuar në gjithë botën, herë për qejf dhe herë për hall, etj. Në krahasim me popullatën që vuante për bukë dhe banonte në kushte ç’njerëzore, këto ishin luksi i kohës.
Këto përfitime nuk ndalonin tek bllokmenët, por shtriheshin tek sekretarët e parë, tek drejtorët dhe kryetarët e kooperativave, madje deri tek përgjegjësit dhe brigadierët të cilët nën mburojën e “të besuarve” bënin një jetë shumë më cilësore se ajo e shqiptarëve të thjeshtë.
Pasardhësit e tyre rilindas sot janë autorë të disa vjedhjeve që nuk krahasohen jo vetëm me abuzimet e dikurshme të pushtetit në Shqipëri, por as edhe me kleptokratët më të këqinj të historisë.
Vetëm dy afera të zbuluara tashmë, djegësit dhe koncesionet e shëndetësisë, kalojnë secila mbi 500 milionë euro! Sikundër etërit komunistë hanin si derra ndërkohë që shqiptarët vuanin nga uria, bijtë e sotëm hanë biftekët një mijë euro të Nusretit dhe darkat dhjetë mijë dollarëshe me McGonigal-ët.

5.
Diktaturat kanë edhe një tipar tjetër që, në fakt, përbën një ligjësi historike. Ato e kanë një fund dhe fundet shpesh janë të dhimbshëm.
Në shekullin e kaluar ka patur edhe funde si ai i Çausheskut apo Macias Nguemës, por në Shqipërinë dhe Evropën e shekullit të 21-të, fundi i tyre duhet dhe do të jetë vetëm para drejtësisë për të dhënë llogari për kusaritë dhe arrogancën.
Historia mëson edhe se arrestimi i kundërshtarit është shpesh preludi i rrëzimit dhe rrënimit të diktaturave dhe se opozitarët arrijnë të bëjnë nga burgu, atë që nuk mund ta arrijnë në liri, hapjen e syve të turmave që i bëjnë hosana diktaturave dhe diktatorëve.
Siç ka shkruar Aleksandër Dyma në mbyllje të një prej romaneve më të fuqishëm të letërsisë botërore:
“… urtësia njerëzore përmblidhet në dy fjalë, të presim dhe të shpresojmë!”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here