Kalonin mallra kontrabandë, arrestohen 4 punonjës të portit të Durrësit

0
153

Katër persona janë arrestuar dhe një i pestë është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë shpërdorur detyrën duke favorizuar kalimin e mallrave kontrabandë në Portin e Durrësit.

Të arrestuarit janë: Alketa Kollçaku, Denis Musaj, Egnis Gojani dhe Adelino Vila. Tre nga të arrestuarit janë inspektorë mbikëqyrës në kompaninë private që merret me përpunimin e mallrave dhe të kontenierëve në portin e Durrësit, si dhe një 27-vjeçar, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit.

Në kërkim u shpall një 56-vjeçar, i cili dyshohet se duke falsifikuar elementet e sigurisë (plumbçet) të kontenierit të kamionit që drejtonte, ka kaluar mallra të kontrabanduara.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinkroni”, i zhvilluar nga Seksioni për Kontrollin e Kontenierëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe me Prokurorinë e Durrësit.

Regjistronin të dhëna të rreme, duke shpërdoruar detyrat, në mënyrë që automjete dhe kontenierë t’iu shmangeshin kontrolleve në pkk dhe të kalonin mallra të kontrabanduara, vihen në pranga 4 shtetas.

Vijon puna për kapjen e një 56-vjeçari, i cili dyshohet se duke falsifikuar elementet e sigurisë (plumbçet) të kontenierit të kamionit që drejtonte, ka kaluar mallra të kontrabanduara.

Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, kundër paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Sinkroni”. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit:

E. Gj., 35 vjeç, A. K., 52 vjeçe dhe D. M., 41 vjeç, të tre me detyrë inspektorë mbikëqyrës në kompaninë private që merret me përpunimin e mallrave dhe të kontenierëve në portin e Durrësit, si dhe shtetasi A. V., 27 vjeç, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, duke shpërdoruar detyrat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar të dhëna të rreme në sistemet kompjuterike, me qëllim lejimin e kalimit pa kontroll doganor, të automjeteve dhe kontenierëve që transportonin mallra të kontrabanduara.

Në vijim të këtyre veprimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi D. H., 56 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Kondrabanda me mallra të tjera”, pasi dyshohet se ka falsifikuar vulat e sigurisë (plumbçet) të kontenierit të kamionit që drejtonte dhe me të ka kaluar mallra të kontrabanduara. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. H..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here