Intervista/ Argita Malltezi: Pse vendosa të flas

0
248

Nga Gazeta Si – Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Berisha, ishte supriza e Kuvendit Kombëtar të PD të drejtuar nga Sali Berisha. Shumë kanë vënë bast se ajo pa paralajmëron një karrierë të afërt politike. Pas 2 dhjetorit zaret janë hedhur, por Argita Malltezi po përpiqet t’i hedhë ujë zjarrit politik.

Aktive me PD që prej themelimit, por e tërhequr nga angazhimi publik, e njohur për strukturat dhe qeverisjen e PD, por diskrete në shfaqjen e pushtetit, Argita Malltezi theu të shtunën çdo rregull të vendosur prej saj gjatë 3 dekadave, duke u bërë protagoniste e aktivitetit më të madh politik të partisë së drejtuar nga babai i saj.

Me prozhektorët të gjithë mbi vete, vajza e Sali Berishës, që po lufton njëkohësisht edhe për bashkëshortin Jamarbër Malltezi, aktualisht në arrest shtëpie, ndezi sensorët e të gjithëve: Argita Malltezi po përfshihet në politikë? Një pyetje të cilës ajo i jep përgjigje në një intervistë që Gazeta Si, ia kërkoi menjëherë pas fjalës së saj në Kuvendin Kombëtar të PD.

Gazeta Si: Pse vendosët të merrni pjesë në Kuvendin e Partisë Demokratike, si asnjëherë më parë?

Argita Malltezi: Kam marrë pjesë në shumicën e aktiviteteve dhe protestave të PD që nga themelimi i saj! Nuk kam qenë prezente vetëm kur e kam pasur të pamundur për shkak të largësisë.

Gazeta Si: Nëse nuk do të ishte situata e Jamarbrit dhe zotit Berisha do të flisnit në Kuvend?

Argita Malltezi: Fjalën e mbajtur në Kuvend e kam parë si një detyrim ndaj gjithë atyre që më kanë shprehur mbështetjen që kur nisi rrugëtimi i Rithemelimit e deri tani. Pyetjes suaj do t’i përgjigjem me pyetjen ekuivalente sipas meje: A do të ishim në këtë gjendje sikur pushteti i Edi Ramës të mos kishte deformuar dhe nxjerrë jashtë funksionit shtetin e së drejtës? Sikur gjykatat dhe prokuroria do të vepronin sipas ligjit dhe jo me urdhër dhe do të ofronin garanci edhe për qytetarin e thjeshtë që nuk ka mundësi të flasë në media? A duhet të reagojmë ne ndaj një pushteti të kriminalizuar?

Gazeta Si: Jamarbri duhet të ishte pjesë e Kuvendit. Ju shprehu keqardhje që s’mund të jetë për shkak të masës së sigurisë?

Argita Malltezi: Ndonëse besoj se ka qenë i mirëpërfaqësuar, duke ditur pasionin e tij në punën me strukturat, kam keqardhje për mospjesëmarrjen e tij në Kuvend.

Gazeta Si: Pjesëmarrja juaj në Kuvendin Kombëtar do të thotë vendim për t’u përfshirë në politikë?

Argita Malltezi: Mesazhi i fjalës së mbajtur ishte nevoja që çdo qytetar duhet të bëjë atë që mundet për të ndaluar të keqen! Nëse qendron indiferent ndaj së keqes ajo të vë përfund! Pra, fjala ishte një ftesë për qëndresë! Proceset politike, për fat të keq nuk janë të vetmet përpjekje për të shkatërruar opozitarizmin, por shenja të theksuara të instalimit të një regjimi. Mendoj se përballja me regjimin, pra, qendresa ndaj tij, nuk kërkon domosdoshmërisht angazhim në parti politike, por angazhim qytetar në çdo moment, në çdo gjë me të cilën përballemi.

/Gazeta Si/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here