Nikola Kedhi: Socializëm ose liri, dilema që ka sot Shqipëria

0
215

I nderuar lider historik i të djathtës shqiptare, kryetar i Partisë Demokratike, doktor Sali Berisha,

Të nderuar anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar,Socializëm ose liri” ishte alternativa fituese e kandidates për Guvernatore të Madridit dy vite më parë

Kjo është dilema që kanë përpara tyre popujt e botës sot.

Kjo është dilema që ka sot Shqipëria.

Njerëzit, kur lihen të lirë të zgjedhin, zgjedhin lirinë, do thoshte Thatcher.

Kjo e frikëson tejmase të majtën. PD do duhet të jetë partia e lirisë, partia e ideve që funksionojnë.

Premtimi i Doktorit gjatë Foltores për një Doktrinë të djathtë konservatore që bashkon të gjithë rrymat nga qendra e djathtas sot është më në fund realitet.

Doktrina është në dorën tuaj si delegatë për ta votuar si Kushtetutën e ideve të kësaj partie.

Atyre që thonë se PD nuk ka ide, nuk ka alternativë apo vizion për të ardhmen, për ta bërë këtë vend më të mirë, PD u përgjigjet për herë të parë me një Kushtetutë ideore, që do të qëndrojë në themel të veprimit të saj politik.

Një nga qëllimet tona kryesore kur me kërkesë të Doktorit, së bashku me Edithin që drejtoi këtë proces, me Gentin, Melisën, Albertin, Gjorgun, ishte rikthimi i debatit civil të ideve në vend dhe rikthimi i politikeberjes, që është ajo që prek direkt jetën e çdo qytetari.

PD, tashmë ka në letër një vizion të qartë, optimist dhe koherent.  Lind detyra e vështirë për te folur, shpjeguar e më pas zbatuar këto ide, për të prekur mendje dhe zemra, e për të krijuar jo thjesht një shumicë demokrate, por një shumicë shqiptare.

Kjo Doktrinë u bën thirrje dhe mbron parimet që lidhin pronarët legjitimë, të persekutuarit, liberalët ekonomikë, konservatorët socialë, sipërmarrësit, pasardhësit e Monarkisë, trashëgimtarët e Ballit, shtresën e mesme e shumë grupime antikomuniste.

Kjo Doktrinë shërben jo vetëm si një mea culpapër pronarët dhe të persekutuarit e viteve të komunizmit, por është një hap i parë për t’u dhënë atyre vendin që u takon në themel të PD, me një zotim lidhës që kur e djathta të vijë në pushtet, do bëjë gjithçka që dinjiteti i pronarëve dhe të persekutuarëve të vihet në vend.

Ky dokument është një kontratë, për të gjithë grupet që qëndrojnë djathtas, për t’u bashkuar dhe punuar së bashku. Ajo që i bashkon të djathtët është më e fortë se ajo që i ndan.

Një Parti, që nuk udhëhiqet nga parimet, nënshtrohet nga pazaret. Dhe shpesh, duke braktisur parimet, PD është gjymtuar nga pazaret e një pakice.

Kjo doktrinë e djathtë, që shërben si bazë për programin tonë elektoral, është një thirrje për liri, një angazhim për fuqizimin e individit dhe një përkushtim ndaj sipërmarrjes së lirë, familjes, traditës, dhe kombit.

Përgjatë historisë njerëzore, kombinimi i liberalizmit ekonomik me konservatorizmin social ka qenë receta e vetme e zhvillimit të një kombi. Le ta provojmë dhe në Shqipëri.

Një konservator, një i djathtë, e sheh veten si gardian të asaj që ka trashëguar.

Konservatori është ai që kupton më së miri lidhjen që ekziston mes atyre që nuk jetojnë më, atyre që jetojnë sot dhe atyre që ende nuk kanë lindur.

Në këtë aspekt, çdo i djathtë në pushtet, ul borxhin publik, për të mos u lënë një barrë brezave të ardhshëm, fuqizon individin dhe i jep mundësi të çlirojë potencialin e vetë ekonomik, për të fuqizuar familjen, komunitetin dhe kombin. Këtë e bën nëpërmjet taksave të ulëta, tregjeve të lira, shtetit të vogël me veprim të limituar, tërheqjes së investimeve, institucioneve të forta, ndarjes së pushteteve, rendit e sigurisë.

E djathta beson te individi, te potenciali i tij dhe te mësimet që ai merr nga e kaluara. E majta progresiste, nuk e ka problem ta shkatërrojë të kaluarën, trashëgiminë historike, për të ndërtuar modernen. Është kjo mënyrë mendimi, që ndan të djathtën me të majtën, e cila zgjeron burokracinë shtetërore për të pasur një kontroll më të madh te jeta e gjithsecilit.

Unë besoj se shqiptarët dinë ta bëjnë diferencën mes shtrëngimit dhe lirisë, mes të qenit thjesht një statistikë më tepër në librat e historisë, pa trajtë e formë, dhe të qenit një individ me identitet, i lirë të formësojë historinë e vet.

Në një peizazh postkomunist, PD nuk është thjesht një parti politike; ajo do duhet të arkitektja e lirisë, ndërtuesja e një të ardhmeje ku çdo qytetar ka shansin të ngrihet.

Për të zbuluar rrugën që duhet ndjekur, unë ftoj çdo demokrat dhe çdo shqiptar ta lexojë këtë dokument.

Demokratët e Shqipërisë janë më të fortë sesa mendojnë kundërshtarët e tyre. Pikërisht kur ata duken të mundur, kanë forcën e jashtëzakonshme të ringrihen.

Vullneti i çdo të djathti është i pacënuar, në këtë sallë dhe jashtë saj. Por që njerëzit t’i pergjigjen thirrjes se PD per protesta dhe mosbindje civile, qe atyre tu rikthehet besimi te PD, nevojitet te ecet nepermjet një rruge te padhkelur ne keto 10 vite, ate te trinomit gare e hapur qe prodhon nje elite meritokratike e te afte, nje baze doktrinare dhe ideore dhe pune ne terren. Nuk la rruge tjeter per te ngritur frymen, per te afruar njerezit dhe per te fituar.

Demokratët janë mundim, pasion, vuajtje, lodhje, histori suksesi, sakrifice që kanë bërë shumë rrugë, dhe do shkojnë ende shumë larg. Demokratët janë ana e drejtë e historisë, puna e ndershme, krenaria e arritjeve të këtij vendi, mëngët e përveshura dhe duart e pastra. Janë e djathta kokëforte, e lirë e aftë të japë alternativë, zgjidhje dhe një të ardhme.

Kjo Kushtetutë vlerash, këto ide në këtë dokument, do duhet të jenë një simfoni shprese, në një vend ku shpesh duket se shpresë ka pak, do duhet të krijojnë një dallgë optimizmi për të tejkaluar çdo manipulim, dhe do duhet të jenë një deklaratë se kombi ynë, dikur i lidhur me zinxhirë, mund të fluturojë në krahët e lirisë, i sigurt se ditët më të mira të tij janë përpara, duke ribërë PD të madhe, si i vetmi mekanizëm për të bërë Shqipërinë të madhe.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here