Xhaferri: Rilindja e mjerimit Migjenian në Pukë, 5 orë në këmbë për të shkuar në shkollë!

0
184

Nga Besart Xhaferri:

Në një kohë që fasada dhe propaganda për Rilindjen e Arsimit janë kryefjalë në çdo dalje televizive të kreut të qeverisë, realiteti jashtë Tiranës në shkolla dhe institucione arsimore është rrënqethës.

Emisioni “Piranjat” në Syri Tv solli rastin e disa fëmijëve të mitur në fshatin Blerim të Pukës, që për të shkuar në shkollë detyrohen të ecin 5 orë në këmbë.

Rrugëtimi drejt dijes i këtyre vogëlushëve kalon përmes një terreni të thyer malor me shtigje, lugina e përrenj, ku jeta e të miturve është në mëshirë të kushteve të motit dhe disa urave të improvizuara, të ndërtuara nga prindërit e këtyre fëmijëve.

Si prind i dy fëmijëve, si qytetar i angazhuar, si njeri i lidhur me sipërmarrjen në arsimin privat, jam thellësisht i tronditur për ata fëmijë, që në 2023, duhet të jetojnë si në dekadën kur Migjeni shërbente si arsimtar në këtë trevë dhe na njohu të gjithëve me realitetin e Lulit të vocërr.

Ata fëmijë për t’u arsimuar duhet të ecin në të njëjtat gjurmë e shtigje të stërgjyshërve, gjyshërve, e prindërve të tyre, për të vetmin faj, se jetojnë në një zonë të thellë malore që shteti e ka harruar.

Nuk i jap dot shpjegim se si Zyra Arsimore Pukë, Drejtoria Rajonale Arsimore për Veriun dhe MAS  kanë heshtur përballë këtij realiteti, duke lënë disa fëmijë të mitur në mëshirë të fatit për mëkatin e vetëm se duan të arsimohen.

Konviktet e Pukës e Fushë -Arrëzit janë të boshatisur, e fare mirë ata fëmijë mund të strehoheshin në këto konvikte e të ndiqnin arsimin në shkollat e qytetit ose në Shkodër.

Ajo çfarë të trishton më shumë është fakti se ky realitet nuk është vetëm në Pukë, por në shumë shkolla në zonat e thella malore, si në veri dhe në jug të Shqipërisë.

E kam ende në mendje një shkollë në Mirditë që kremtonte  në një ceremoni festive 100 vjetorin e hapjes pak ditë me parë, por sot aty kishte vetëm 5 nxënës në një klasë kolektive.

Në 2023 asnjë fëmijë shqiptar nuk mund të privohet nga e drejta për arsim dinjitoz.

Historia e këtyre nxënësve në fshatin Blerim të Pukës duhet të shkundë MAS, e ky institucion duhet të hartojë një platformë jo vetëm për këta fëmijë por për çdo bashkëmoshatar të tyre që arsimohet në kushte të ngjashme në çdo skaj të vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here