Dokumentat e “Partizanit”/ Si e ndihmoi Rama Bolinon për pronat

0
172

Të gjendur nën presionin e proceseve gjyqësore për privatizimin e kompleksit “Partizani”, familja Berisha ka kaluar në kundërsulm me një denoncim të fortë që prek të njëjtën zonë të Tiranës, por që vendos në pozitat e të akuzuarit, Edi Ramën. Bëhet fjalë për truallin ku Karlo Bolino ka vendosur mediat e tij prej disa vitesh. S’ka ndonjë të fshehtë në faktin që mediat e Bolinos janë në mbështetje të qeverisë Rama dhe denoncimi i Berishës mnd të zbulojë edhe arsyet e kësaj simpatie.

Sipas Berishës, Bolino rezulton përfitues i një trualli me vlerë të konsiderueshme falë një skeme të vënë në zbatim nga kryeministri Edi Rama.

Bëhet fjalë për një truall që familjet trashëgimtare të tokës ku ishte ngritur kompleksi Partizani, vendosën që t’ia dhurojnë bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një gjimnaz, pretendon Berisha.

Si provë të kësaj dhurate për Bashkinë, Berisha nuk ka një dokument që të tregojë se trashëgimtarët e truallit e falën pronën e tyre për gjimnaz, por ai ka nxjerrë dokumentat e planit rregullues nga viti 2013, siç shihet më poshtë:

Në dokumentin që tregon rregulloren e planit, (dokumenti poshtë) sipas Berishës shkruhet qartë se në pronën që iu dhurua bashkisë në rrugën Ndre Mjeda, njesia bashkiake nr.7, zona nr.11, ishte parashikuar ndërtimi i një shkolle të mesme.

Por çfarë ndodhi më pas? Në vend se Bashkia të niste punën për ndërtimin e gjimnazit, brenda 7 muajsh prona i ka kaluar pronarit të mediave, Karlo Bolinos për të cilin u hap edhe rruga e privatizimit

 

Skema u bë e mundur me tre vendime të njëpasnjëshme të qeverisë së Edi Ramës.

“Me vendimin e parë të Këshillit të Ministrave me nr. 642 datë. 02.10.2019, Edi Rama i dhuron vetes dhe Bollinos së tij 4020 m2 tokë dhe mbi 1600 m2 ndërtesë për një 1 euro për 20 vjet” thotë Berisha, duke nxjerrë dokumentin më poshtë:

Me vendimin e dytë, shkurt 2020, pra 4 muaj më vonë, sipërfaqja për Bolinon shtohet me 870 metër katrorë. Prona shtohet, por qiraja mbetet e njëjtë,  1 euro.

Tre muaj më vonë del vendimi i tretë. Në maj të 2020 kryeministri vendos t’i prishë tre ndërtesat që ia kishte dhënë me qira Bolinos. Të njëjtat që i kishte dhënë me qira 1 euro, pak më herët.

“Kjo bëhet që investimet Rama-Bollino të tejkalojnë në vlerë, vlerën e tokës dhe të bëhen de fakto në vitet në vazhdim, pronë e tyre. Të bëhet pronë e tyre edhe toka” shpjegon Berisha.

Denoncimi bëhet jo vetëm për të treguar se si funksionon skema e kalimit të pronës nga shteti te privati për të marrë mbështetje mediatike, por edhe për heshtjen e SPAK mbi këtë çështje.

Për akuzat e Berishës, ka reaguar botuesi Karlo Bolino. Duke qenë gazetar me eksperiencë, pritej që ai të demontonte nëpërmjet fakteve atë që e quan “një hakmarrje primitive dhe shpifëse” të Berishës ndaj tij.

Por Bolino nuk ka përgënjeshtruar asgjë.

Në vend se t’i marrë faktet një për një dhe t’i rrëzojë ato, në reagimin e pronarit të mediave pranë qeverisë shprehet shqetësimi se konferenca e Berishës u transmetua live si nga RTSH 24, po ashtu edhe nga Klan News. Dy televizionet supozohet t’i shërbejnë Edi Ramës me devotshmërinë e një eskorte që është paguar për shërbimin që po jep, por kësaj radhe ata kanë dalë nga rreshti dhe për Bolinon duhet reagimi i AMA.

“Monologu i “prokurorit Berisha” kundër meje u transmetua live nga disa televizione duke përfshirë RTSH 24 dhe Klan News, pra dy televizione me licencë kombëtare, një nga të cilat i paguar me lekët e taksapaguesve, pra edhe me lekët e mia. Duke e ditur që nuk jam as një politikan as një zyrtar, por thjesht një gazetar, pronar i një media, çfarë mundësie më është ofruar nga këto media që kanë detyrime të veçanta ndaj ligjit, për të garantuar integritetin dhe dinjitetin tim ndaj kësaj hakmarrje primitive dhe shpifëse të një ish-presidenti dhe ish-kryeministri nën hetim, që nuk përfaqëson më asnjë parti politike? A i takon Autoritetit të Mediave Audiovizive të reagojë?” shkruan Bolino.

Pa folur për dokumentat që publikoi Berisha, pa komentuar manovrën e qeverisë Rama që i jep me qira një pronë shtetërore për 1 euro dhe më pas i shemb ato, pa mbajtur asnjë qëndrim për opsionin nëse do ta bëjë të vetin truallin në fjalë, Bolino kërkon që Berisha dhe Malltezi të heshtin, meqë janë nën akuzë. Në të kundërt, pra nëse ata flasin, sipas tij ata ndjehen fajtorë, shkruhet në përgjigjen që ai ka botuar në Shqiptarja.com.

“Nëse ata dy persona do të ishin seriozë dhe të bindur se nuk kishin bërë asgjë të keqe, duhet të heshtin duke pritur që drejtësia t’i shpallë të pafajshëm. Në të kundërt, nëse ndihen fajtorë, ata sulmojnë gjyqtarët, prokurorët dhe gazetarët në përpjekje për të delegjitimuar që tani verdiktin e paepur të drejtësisë” shkruan Bolino.

Kjo nuk është hera e parë që Bolino akuzohet se ka përfituar favore nga pushteti. Opozita e ka akuzuar më herët se ka përfituar para nga bosët e inceneratorëve për të financuar propagandën e Veliajt gjatë fushatës së 14 Majit.

Në konferencën e Berishës ku ai publikoi dokumentat dhe denoncoi favoret e Ramës për Bolinon, gazetarja e Report Tv i vuri në dukje Berishës  se ai nuk e provon dot se trualli që përfitoi Bolino ishte dhuratë e pronarëve për Bashkinë.

Por Berisha tha se ky moment nuk kishte asnjë rëndësi, sepse e rëndësishme ishte që trualli shtetëror po kalonte në pronësi të privatit. “Më kujton dy personazhe të Çehovit, që dolën në pyllë për gjah, dhe duke gjuajtur vranë një njeri gabimisht, një i vobektë. E kontrollojnë, i gjejnë ca kopjekë, qindarka të rublës dhe i gjejnë një kuti sardele. Njëri thotë ta hapim këtë kuti, jo i thotë jemi në kreshpë, nuk mund ta hapim. Edhe Karloja thotë, nuk ishte dhuratë e familjes, por ishte tokë publike” tha Berisha./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here