Qeveria refuzoi pagesat/ Veliaj prek buxhetin e arsimit për inceneratorin e Tiranës

0
76

Kryebashkiaku Erjon Veliaj është detyruar këtë të premte të marrë përsipër një akt të vështirë, në një moment të sikletshëm që lidhet me inceneratorin e Tiranës. Në një kohë që SPAK ka sekuestruar pronën dhe po heton zyrtarët që u përfshinë në grabitjen e fondeve shtetërore, Veliaj kërkoi që Këshilli Bashkiak të kalojë 600 milion lekë pagesa të prapambetura për inceneratorin.Në sallën e Këshillit Bashkiak, Veliaj shpërtheu në të bërtitura dhe fyerje ndaj këshilltarëve të opozitës që kundërshtuan pagesën qindra miliona lekë për inceneratorin që nuk ekziston.

Fillimisht kryebashkiaku nxorri pagesat e Bashkisë së Kavajës për inceneratorin. Me dy tabelat në duar, ai u tha këshilltarëve të opozitës se po përdornin standarte të dyfishta.

“Bashkia e Kavajës në 22 Gusht e ka paguar inceneratorin 22 milion lekë. Që e drejtojnë këta. Pra këta thonë në Kavajë do ta bëjmë pastrimin. Janë ca hipokritë që vajtën të parët të paguajnë lekët, por Tiranën duan ta lënë pis. Këta janë ca hipokritë” nisi të bërtasë Veliaj në mbledhjen e Këshillit.

I ndërgjegjshëm se paralelizimi me Kavajën nuk mjafton, pasi ai personalisht ka marrë përsipër pagesat në emër të të gjitha bashkive, Veliaj kaloi në akuza politike.

“Është turp që çuna të rinj i japin fytyrën Saliut, turp që goca të reja i japin fytyrën Ilir Metës. Nuk ka drekë falas. Edhe kur e menaxhon shteti ka kosto. Bashkia e Tiranës është më e pastër se sa kur e latë ju, është qyteti më i pastër në Ballkan” tha Veliaj mes zhurmës dhe thirrjeve që përfshinë sallën e Këshillit Bashkiak.

Por kur këshilltarët bashkiakë i kujtuan hetimin e SPAK dhe sekuestrimin e inceneratorit, Erjon Veliaj kaloi në akuza banale.

“Siç vajtët me tanga, me rexhipeta me rroba banjo në 22Gusht ta paguanit, tani ne që jemi vesh me kostum do shkojmë ta paguajmë. Se nuk mund ta lënë Tiranën në dorë të zhulsave” thirri kreu i bashkisë, para se të dilte nga salla.

Acarimi i Erjon Veliajt për pagesën prej 600 milion lekësh për inceneratorin e Tiranës ndodh për disa arsye. Pagesa shtesë pëpr inceneratorin e Tiranës këto ditë është një lëvizje e rrezikshme, që e ekspozon edhe një herë Veliajn përballë hetimeve të SPAK.

Së pari, pagesa që Veliaj detyrohet të paguajë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës ndodh sepse qeveria Rama i ka lënë në dorë “pataten e nxehtë” që hetohet nga SPAK. Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku ka refuzuar të bëjë pagesën këtë vit ndryshe nga sa ka bërë në vitet e shkuara. Në një dokument të publikuar nga Tedi Blushi, këshilltar i PL në Këshillin Bashkiak të Tiranës pasqyrohet përgjigjia e Ministrisë së Financave që Veliaj t’i bëjë pagesat nga buxheti i bashkisë. Përgjigjia është dhënë në datën 4 Shtator në kushtet e emergjencës në Sharrë.

Refuzimi i Ballukut e vendos Veliajn në një pozicion të vështirë për shkak të momentit ku janë hetimet e SPAK. Pasi ka sekuestruar inceneratorin, prokuroria po heton zyrtarët që i hapën rrugë koncensionit në bashkëpunim me Klodian Zoton, që ishte pronari real i inceneratorit të Tiranës.

Së dyti kryebashkiaku Veliaj është përgjegjës direkt për faturat e fryra të inceneratorit të Tiranës, sepse ka pranuar pagesën prej 29 euro për ton megjithëse mbetjet nuk digjen. Veliaj ka firmosur personalisht angazhimin financiar të bashkisë së Tiranës, madje duke marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak. Përveç kësaj, çdo ndërtues në Tiranë detyrohet të depozitojë dherat dhe mbetjet e ndërtimeve në incenerator.

Së treti, Veliaj detyrohet të bëjë një akt që ia rrëzon propagandën e investimeve në shkolla dhe kopshte në Tiranë. Këshilltarët bashkiakë të opozitës zbuluan se për të paguar 600 milion lekët e inceneratorit të Tiranës, Veliaj ka prekur buxhetin e arsimit. Sipas tyre, 420 milionë lekë janë hequr nga zëri i arsimit dhe 180 milionë lekë i ka hequr nga fondi i emergjencës për  të çuar paratë në kompaninë që mneaxhon inceneratorin e Tiranës.

Inceneratori i Tiranës nuk ekziston, pasi kompanitë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit nuk e kanë ndërtuar megjithëse kanë marrë paratë prej thuajse 6 vitesh. Pas vendosjes së sekuestros nga SPAK, pritet që përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë.

Në dosjen që SPAK hartoi për të arrestuar Arben Ahmetajn bëhej një skaner edhe për procedurat që u ndoqën për koncensionin e inceneratorit të Tiranës. Në emailin e Klodian Zotos u zbuluan komunikimet e tij me njerëz të afërt më Veliajn./Lapsi.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here