Salianji: Balla të japë llogari për TIMS-in. U mor për të fshirë gjurmët, apo për të marrë të dhëna

0
133

Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, në çelje të punimeve në sesionin e ri, nisi me kërkesën e opozitës për të filluar punimet me diskutimet për dyshimet për ndërhyrjen në të dhënat e sistemit TIMS.

Ervin Salianji, deputet i Partisë Demokratike, kërkoi që punimet në këtë komision të nisin me seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm, kreun e Policisë së Shtetit dhe kryetaren e Shërbimit Informativ Shtetëror.

“Duke qenë se në sesionin e shkuar mbledhja e këtij komisioni u mbyll me rrëmujë, pa diskutim që nuk duhet të jetë jashtë vëmendjes së këtij komisioni, që institucione që duhet të japin llogaridhënie para parlamentit, institucione që janë nën monitorimin e këtij komisioni, të vijnë të japin llogari ashtu siç e parashikon kushtetuta”, tha Salianji.

‘Këtu kam parasysh, po e quaj “rrëshkitjen” e kryetares së SHISH, këtu kam parasysh ministrin e Brendshëm dhe drejtuesin e Policisë së Shtetit që nuk morën pjesë për çështje të kërkuara me shkresë konform rregullores së Kuvendit dhe që nuk morën pjesë për çështje të kërkuara nga opozita dhe me ndonjë rast dhe me dakordësinë e deputetëve të mazhorancës. Të rikthehemi aty ku e kemi lënë, për ta kthyer në shinat e ligjit vijueshmërinë punës së komisionit”, theksoi Salianji.

“Ne do të bëjmë kërkesë, si fillim dhe pastaj edhe në komision për më tej, pasi është shqetësim thelbësor, që në mbledhjen e parë të këtij komisioni ne të diskutojmë për një prej ngjarjeve më të rënda të raportuara nga ndërkombëtarët, por dhe mediet në vend, siç është tentativa apo ndërhyrja në sistemin TIMS, për të fshirë gjurmët, apo për të marrë të dhëna, apo për të transferuar të dhëna, apo për t’i devijuar ato. Besoj se mbledhja duhet të nisë mbi këtë çështje, që është thelbësore për sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Para se ta diskutojmë këtë, do doja dhe dakordësinë tuaj për këto sa thashë. Të rikërkojmë të vijë në komision, kryetarja e SHISH, ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”, përfundoi Salianji.

Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Nasip Naço, u shpreh se komisioni do të vijojë me rendin e ditës, dhe kur opozita të dorëzojë kërkesat me shkrim, do ia bëj me dije institucioneve përkatëse, teksa propozoi që në seancë dëgjimore të jenë ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e Emergjencave Civile.

“Në lidhje me kërkesat tuaja, ato duhen bërë në formën e kërkuara nga rregullorja e Kuvendit. Është një sesion i ri që ka filluar. Kemi një ministër të ri të Brendshëm, që nëse ju do të bëni kërkesë në përputhje me Rregulloren, duke plotësuar kërkesat e rregullores, sigurisht do ia transmetojmë. Sot kemi një rend të ditës së përcaktuar. Sot do të vazhdojmë me rendin e ditës”, tha Naço.

“Komisioni do të bëjë një draftkalendar për të thirrur një pjesë të rëndësishme të drejtuesve të institucioneve nën objektin e këtij komisioni, duke nisur nga drejtuesit e emergjencave civile dhe ministrit të Mbrojtjes. Kjo do të jetë kërkesa ime. Do nisim me këtë dhe pastaj do vazhdojmë me të gjitha kërkesat e tjera. Ata që s’kanë bërë kërkesë e që s’janë pajisur me certifikatë sigurie, plotësoni formularët për t’u pajisur me certifikata sigurie”, përfundoi kryetari i Komisionit të Sigurisë.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare pasi miratoi kalendarin e punës së sesionit të shkuar, ka nisur të martën shqyrtimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 75/2014, “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”. I pranishëm për prezantimin e ndryshimeve ligjore ishte zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here