Gjuetia e verës/ Si u tërhoq Rama nga kërcënimet për SPAK

0
480

Për të bërë një bilanc mbi punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion këtë verë, duhet thënë se si merita për goditjet në shenjë, ashtu edhe shkrepjet që kanë dalë bosh i dedikohen vetëm një emri, që është drejtuesi i institucionit, Altin Dumani.

I emëruar në dhjetor të vitit të kaluar me këmbënguljen e veçantë të Juri Kim, Altin Dumani ia ka dalë t’i imponojë prokurorisë ritmin e tij të punës dhe një imazh tjetër në publik. Nga bukuroshja e fjetur që përkundej në krahët e Arben Krajës, sot SPAK ngjan me një kafshë agresive, që herë me leje e herë pa leje, ka kafshuar ç’të mundë nga organizmi i pushtetit duke nxjerrë akoma më në pah leckosjen e një qeverie të kërrusur nën peshën e korrupsionit dhe të abuzimit me taksat e shqiptarëve.

Rama kishte tentuar t’i intimidonte me kërcënime prokurorët e SPAK. Gjatë Kongresit të Partisë Socialiste në muajin Maj të vitit të kaluar, ai kritikoi prokurorët që po bënin drejtësi vetëm në njërën anë.

“Nuk kemi kontestuar asnjë proces të hapur ndaj njerëzve të kësaj familje politike, por ama dhëntë zoti që nuk e shohin si dobësi prokurorët e SPAK-ut” shprehej Rama në kongres.

Si shembull negativ të punës së SPAK merrte arrestimin e zv.ministres Rovena Voda për një arkë peshk dhe për një celular. Por pavarësisht paralajmërimeve të Ramës, goditjet e SPAK vazhduan majtas dhe këtë verë socialistët në pushtet nuk ishin të qetë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu (majtas_ Sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro (djathtas)
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu (majtas_ Sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro (djathtas)

Arrestimi i Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë

Sezoni u hap në 2 Qershor. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro u arrestua nga SPAK në zyrën e saj në ministri. Sekretarja e Ogerta Manastirliut kishte marrë 330 mijë lekë ryshfet për të ndikuar në një tender.

Duro nuk ishte sekretarja e parë që arrestohet në zyrën e një ministrie nga oficerët e BKH-së. Para saj ishte arrestuar edhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë së financave Arlind Gjokutaj dhe para tij, vartësja e Arben Ahmetajt, Alda Klosi.

Para arrestimit të Joana Duros u vu re një detaj i pazakontë. Kryeministri Rama e paralajmëroi arrestimin para se të ndodhte. “Para pak orësh dëgjova për një situatë që të vë në siklet të jashtëzakonshëm, një sekretare e përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo?” tha Rama në një takim, duke dhënë idenë se ishte në koordinim me SPAK.

Arrestimi i Vangjush Dakos

Në 6 Qershor, SPAK lëshoi urdhër-arresti për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon. Arrestimi i tij nuk ishte surprizë. Firmosja e mandat-arrestit përflitej prej ditësh dhe u pa si një kalkulim politik. Katër ditë para se të arrestohej Vangjush Dako ishte liruar nga burgu Saimir Tahiri.

Para se Dako të arrestohej, ambasadorja Juri Kim bëri një status kërcënues për ata që kishin ndikuar në lirimin e Saimir Tahirit nga burgu. Pas arrestimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ndjehej mirë që një bashkëpuntor i tij ishte në qeli. “Me siguri diçka ka ndodhur. Forca e pushtetit mund të përdoret dhe për gjërat që nuk shkojnë” u shpreh kryeministri.

Ndryshe nga rasti i arrestimit të sekretares së ministrisë, Rama kësaj radhe shfaqi habi për vendimin e SPAK për të burgosur Vangjush Dakon.

Pas arrestimit, Rama dhe Kim darkuan bashkë në residencën amerikane.

Dako u arrestua nga SPAK me akuzat për vonesën me lejen e ndërtimit të një pallati me probleme në Durrës dhe për kostot te fryra të një studimi për një shëtitore në këtë qytet.

Pretenca e rëndë për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon

Për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Kokën dhe ish-deputetin Alqi Bllako, prokurorët e SPAK e kanë rënduar dorën në dy pretenca, një për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe një për inceneratorin e Fierit.

Gjatë muajit Korrik, prokurorët e SPAK kanë kërkuar dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg (pas pranimit te gjykimit te shkurtuar) për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për djegësin e Elbasanit dhe 6 vjet e 8 muaj të tjera për djegësin e Fierit.

Pra ish-ministri rrezikon gjithsej 13 vjet e 4 muaj burg dhe sekuestrimin e disa pasurive, nëse gjykata e shpall fajtor.

Dënimi është i rëndë dhe i paprecedentë për një ministër të përfshirë në afera korruptive që pas viteve 90. Rama e ka lëshuar Lefter Kokën dhe nuk bën asnjë përpjekje për ta mbrojtur.

Urdhër-arresti për Arben Ahmetajn

Në datën 10 Korrik u mësua se ishte firmosur urdhër-arresti për një tjetër ish-bashkëpuntor që Edi Rama e kishte servirur prej kohësh tek SPAK. Një vit para arrestimit, Ahmetaj u shkarkua nga të gjitha funksionet në parti dhe në qeveri, ndërsa ishte paralajmëruar për atë që e priste.

Ish-zv.kryeministri u gjend para provave të pakundërshtueshme të SPAK që kishte kryer një hetim të thelluar ndaj pasurisë së tij. Oficerët e BKH bastisën vilat e tij në Palasë dhe në Lalëz, ndërsa Ahmetaj u arratis jashtë vendit, duke u justifikuar me faktin se ai nuk do të kishte mundur të kryente asnjë veprim me inceneratorët, nëse me të nuk do të bashkëpunonte Edi Rama.

Para arratisjes, mes tij dhe Ramës pati disa replika, ku Ahmetaj e sugjeroi kryeministrin të mos bënte gjykatësin, ndërsa Rama iu përgjigj se nëse ai do të ishte gjykatës, gjëra për të do të shkonin akoma më keq.

Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës

Në fillim të Gushtit, prokurorët e SPAK morën një nga vendimet më të forta kundër qeverisë, që ishte sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës. Me këtë vendim u ndërprenë pagesat për Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët ndërkohë ishin në arrati, por qeveria vazhdonte i paguante.

Në të vërtetë inceneratori nuk ekziston.

Vendimi i SPAK e nxorri bllof propagandën e Ramës dhe të Veliajt se pronarët e inceneratorët duheshin lënë të punonin dhe të paguheshin deri në afatin përfundimtar për ndërtimin e inceneratorit.

SPAK nxorri bllof edhe Veliajn që kishte firmosur personalisht për financimin e inceneratorit, megjithëse ligji e detyronte të mblidhte Këshillin Bashkiak për një vendim që prekte financat e bashkisë.

Dosja për inceneratorin e Tiranës është një test se deri ku mund të shkojë SPAK kundër vullnetit të Ramës dhe Veliajt. Tashmë është faktuar se Klodian Zoto kishte komunikim të fshehtë me vartës të Erion Veliajt, me të cilët konsultohej për inceneratorin e Tiranës.

Për dhjetëra miliona euro të hedhura dëm nuk ka ende asnjë të arrestuar dhe dosja ka mbetur pezull.

Arrestimet për koncensionin e sterilizimit

Në fillim të gushtit, sapo biznesmeni Ilir Rrapaj erdhi në Shqipëri për pushime ai u arrestua në plazh me urdhër të Byrosë Kombëtare të Hetimit për mashtrimin me koncensionin e sterilizimit. Bashkë me të u arrestua edhe ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Koncensioni i Sterilizimit me vlerë 100 milion euro është një aferë të cilës Edi Rama i ka dalë për zot që nga krijimi i saj në 2015.

Firmat për hapjen e garës, për shpalljen e fituesit dhe për kontratën e sterilizimit janë të Ilir Beqes, i cili deri tani i ka shpëtuar arrestimit.

Dy prokurorët e SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi e falën Beqajn, por me sugjerim të gjykatësit Erjon Bani, ndaj ish ministrit të shëndetësisë kanë nisur hetimet. është zbuluar se Beqaj ka bërë udhëtime të shumta me Ilir Rrapajn përfituesin e parave të koncensionit duke shtuar dyshimet se e gjitha është një aferë korrupsioni.

Beqaj është një tjetër test për SPAK. Nëse ish-ministri ia hedh pa lagur megjithë provat që e implikojnë në aferën e sterilizimit, atëherë prokuroria e posaçme pranon kapitullimin përballë politikës.

Agresiviteti me të cilin ka levizur Prokuroria e Posaçme gjatë muajve të verës e ka ndryshuar perceptimin mbi “të paprekshmit” që janë në pushtet.

Në mesazhin e fundit që shpërndau për SPAK, Rama nuk i kritikoi më, as i sulmoi prokurorët se po godasin vetëm në njërën anë, ashtu siç thoshte një vit më parë. Përkundrazi, Rama u mburr me punën e SPAK dhe mohoi kundërvënien që përshkruajnë disa, “sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit”

SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli” u shpreh Rama, që mori meritat e krijimit të Prokurorisë Antikorrpsion.

 

 

Në fakt, më shumë se entuziasmi për luftën ndaj korrupsionit, lëvdatat e kryeministrit Rama për punën e Altin Dumanit bëhen më shumë nga sikleti, se çfarë surprize mund të vijë nesër nga prokuroria.

Për raste si këto, shprehja e urtë popullore thotë “Dorën që nuk e kafshon dot, puthe”./Lapsi.al

Linku origjinal: https://lapsi.al/2023/08/31/spak-8/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here