Mbi 80% e rritjes së çmimeve vjen nga ekonomia e brendshme

0
141

Presionet e huaja inflacioniste janë ngadalësuar më tej gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023. Rritja vjetore e treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste zbriti në 3.4%, nga 16.3% një tremujor më parë. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit së kursit nominal efektiv të këmbimit

Ngadalësimi lidhet paralelisht me rënien e çmimeve të mallrave në tregjet e huaja, por edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor. Rritja e çmimeve të huaja në tremujorin e dytë të vitit ra në 16.2%, nga 25.3% në tremujorin e parë.Paralelisht me të, mbiçmimi i kursit të këmbimit u zgjerua krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Mbiçmimi në terma vjetorë u thellua në 12.8%, nga 9% një tremujor më parë.Lehtësimi i presioneve të huaja inflacioniste, është materializuar në rënien e vazhduar të kontributit të inflacionit të importuar në atë total gjatë gjithë pjesës së parë të vitit 2023.

Kjo ka bërë që pesha e inflacionit të importuar të zbresë në 19 % të inflacionit total gjatë tremujorit të dytë të vitit, nga 26% në tremujorin e mëparshëm. Si rrjedhojë, kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin e përgjithshëm ka zbritur në 0.9 pikë përqindje, nga 1.7 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë të vitit 2023.

Kjo shifër dëshmon qartë se pjesa më e madhe e inflacionit në ekonominë shqiptare gjatë tremujorit të fundit është gjeneruar nga produktet dhe shërbimet e importuara në vend. Inflacioni i brendshëm rezultoi rreth 4.6% në tremujorin e dytë, me një prirje rritëse përgjatë muajve të tij, por duke qëndruar nën mesataren e tremujorit të parë të vitit aktual.

Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj. Kjo nënkupton se pas tremujorit të katërt të vitit inflacioni i importuar pritet të pësojë një rënie të mëtejshme, për të faktorizuar rënien e TPHI në tremujorin e dytë të vitit.

Por, Banka e Shqipërisë konstaton se dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste nuk ka arritur të përhapet gjerësisht tek komponentët më të qëndrueshëm të inflacionin, për shkak të presioneve të larta nga tregu i punës dhe pagat. Si rezultat, vlerat e inflacionit total vijojnë të diktohen nga normat e larta dhe mbi objektiv të inflacionit bazë dhe të brendshëm, me një kontribut rreth 81% në formimin e inflacionit total.Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë parashikon që trajektorja e inflacionit parashikohet të vijojë kahun rënës, për shkak të presioneve më të moderuara nga çmimet e huaja. Presionet e brendshme inflacioniste, gjithashtu, pritet të zbuten nën ndikimin e ciklit normalizues të politikës monetare dhe prirjes rënëse të pritjeve inflacioniste afatmesme. Sipas projeksioneve të raportit të fundit të politikës monetare, inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024./Monitor

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here