Anijet shqiptare u renditën për të shtatin vit radhazi në ‘listën e zezë’ të performancës nga Memorandumi i Parisit – një organizatë me 27 vende anëtare që kryen inspektime mbi standardet e anijeve në Europë.
Shqipëria renditet në këtë listë së bashku me Tanzaninë, Sierra Leonen, Togon, Moldavinë apo Algjerinë – një vlerësim që tregon se anijet shqiptare janë mjete lundruese me rrezik të lartë për operatorët ndërkombëtarë. Gjithashtu, pikëpyetje ngrihen për rolin e autoriteteve përgjegjëse për kontrollet dhe marrjen e masave për daljen nga kjo listë.
Në deklaratën zyrtare, Komiteti i Memorandumit të Parisit njoftoi se miratoi listat e reja të performancës për flamujt e 66 vendeve që ata kanë pasur në monitorim.
Të 66 vendet u kategorizuan në tre lista, të bardhë, gri dhe të zezë, sipas standardeve të shërbimit dhe sigurisë. Lista e fundit e performancës së anijeve hyri në fuqi me 1 korrik të këtij viti.
Nga të dhënat rezulton se në anijet shqiptare u kryen mbi 55 inspektime gjatë periudhës 2020-2022, nga të cilat anijet me flamur shqiptar u bllokuan 8 herë. Prania e anijeve shqiptare në listën e zezë është tregues se ato do të inspektohen sa herë që do të prekin porte të Bashkimit Evropian.
Shqipëria ka aderuar në Memorandumin e Parisit, Paris MoU me ligjin nr.9852 të datës 26.12.2007, proces të cilit i ka paraprirë dhe një memorandum mirëkuptimi “Për kontrollin shtetëror portual”. Memorandumi i Parisit ushtron një regjim inspektimi për anijet qe prekin në porte te BE, me qëllim që të merren masa kundër anijeve që nuk janë në përputhje me rregullat dhe standardet e kërkuara të sigurisë.
Prej vitesh, gjendja teknike, vjetërsia, higjena, kultura detare dhe problemet në punësimin dhe përvojën e kualifikimit të marinarëve e ka mbajtur flotën tregtare shqiptare në listën e zezë të lundrimit ndërkombëtar. E ndërsa situata në lidhje me kontratat e punës dhe përvojën detare të marinarëve është përmirësuar vitet e fundit dhe falë Konventës Detare të Punës, gjendja teknike dhe aspekte të tjerë të përmendura më sipër mbeten problematike.