Përtej pagës, mungojnë kushtet bazë/ Indeksi: Në Shqipëri shkelen rregullisht të drejtat e punonjësve

0
79

Në këtë mungesë të madhe të punonjësve dhe valë të lartë të emigracionit të fuqisë punëtore, Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon përsa i përket shkeljes rregullisht të të drejtave të punonjësve.

Indeksi i të Drejtave Globale të Punonjësve tregon se Shqipëria nuk është përmirësuar gjatë 2 viteve të fundit, duke mbetur në nivelin 3 nga një sistem pikësimi, ku 1 është vlerësim i lartë dhe 5 është vlerësim i ulët.

Ekspertët e në vend thonë se paga nuk është më shkaku kryesor për të braktisur punën, por dhe kushtet që ofrojnë punëdhënësit.

“Duhet të kujdesemi që punonjësit të qëndrojnë këtu dhe të trajtohen me dinjitet. Patjetër që kanë nevojë të paguhen më tepër seç paguhen tani dhe paga është një faktor kryesor që të qëndrojë në një vend por jo e vetmja. Puna në vetvete ka shumë elementë dhe nëse i respketojmë të gjithë këto element mudn të kemi njerëz që mund të qëndrojnë në Shqipëri”, u shpreh ekspertja Gentiana Hasalla.

Raporti i cili hartohet nën kujdesin e Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave dhe ILO-s tregon se si Shqipëria, por dhe vendet e rajonit kanë shkelur një sërë të drejtash të punonjësve të vendit të tyre.

Në një këndvështrim rajonal, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina gjenden në një grupshtetesh me ne, sa i përket shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të punonjësve. Ndërsa në një renditje më negative është Serbia e Maqedonia e Veriut, të cilat kanë shkelur sistematikisht të drejtat e punonjësve. Këto shkaqe sipas ekspertes Hasalla kanë sjellë dhe mungesën e theksuar të profesionistëve në treg.

“Është bërë gjithmonë më e vështirë për të gjetur profesione të llojeve të ndryshme në Shqipëri sepse njerëzit janë larguar për një punë më të mirë, që jo vetëm paguhet mirë por që t’i garanton të gjitha kushtet dhe respektohesh si punonjës. Sepse flasim që një e treta e jetës sonë si të rritur kalon në punë dhe si e tillë duhet të kemi kushte të mira patjetër. Shumica që largohen nga puna nuk e gjejnë një punë që i ofron këto kushte”, shtoi Hasalla.

Në nivel europian e drejta më e shkelur e punonjësve është e drejta e grevave. Ndërkohë u është mohuar dhe “E drejta për drejtësi” në 31% të vendeve ku punëtorët nuk kishin akses ose ishte e kufizuar në drejtësi.

Në 10 botimet e fundit, Indeksi i të Drejtave Globale ka shënuar një rritje të ndjeshme në sulmet ndaj fjalës së lirë dhe tubimit nga 26% të vendeve në 2014 në 42% të vendeve në 2023.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here