“Kur inceneratori ndizet, Elbasani është një krematorium dhe ne jemi të dënuarit e tij” Boçi:Ftoj qytetarët t’i bashkohen thirrjes sime “FIKE PLEHRËN” !

0
113
Nga Luçiano Boçi:

Elbasani e kishte një ndotje historike. Metalurgjiku – me depozitimet nëntokësore të metaleve të rënda dhe me pluhurin e një shkretëtire industriale të mbetur rrënojë – ishte dhe është një kërcënim për shëndetin. Sëmundjet profesionale, gjymtimet e pakthyeshme të mushkërive, talasemia minor e shpërndarë masivisht, trepanocitoza dhe anemia, sëmundjet gjenetike etj., të gjitha flasin për urrejtjen me të cilën sistemi ndëshkoi Elbasanin.

Kësaj ndotjeje historike iu shtua industria e re, e cila falë politikave korruptive dhe zarfit nën dorë (që e paguan ende), kursen energji duke mos ndezur filtrat dhe kështu merr jetë njerëzish. Sot, industria si kërcënim mjedisor – shëndetësor vjen e katërta pas inceneratorit, trafikut dhe ndërtimit.

Përvijues të së njëjtës filozofi të urrejtjes, qeveria Rama nguli në Elbasan një Incenerator me planin që ta kthejë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash – pikë pritjeje të importit të mbeturinave. Inceneratori i Elbasanit ishte Monstrumi i parë i një plani mjedisor makabër.

E mira është se e vërteta dalëngadalë po zbardhet. E keqja është se autorët, duke qenë në pushtet, duan të mbrohen duke shtyrë përpara një plan ku Elbasani konsiderohet ekologjikisht i vdekur dhe krejt i pavlerë.

Ndezja e Inceneratorit në kushtet siç është, e bën planin e tyre një realitet. Ata e dinë se inceneratori shpërndan gjerësisht kancer, si me tymin e djegies ashtu edhe me hirin e zjarrit. Ne e marrim këtë kancer nga ajri dhe nga ujërat, por tashmë edhe nga bimët e mbjella në Jagodinë, Kuqan dhe nga fusha më pjellore që kemi.

Kur inceneratori ndizet, Elbasani është një krematorium dhe ne jemi të dënuarit e tij. Tani ai është ndezur për fushatë. Dhe ne jemi në një rrezik real për jetën dhe shëndetin!

Paturpësisht, njeriu që vjen t’i fyejë elbasanllinjtë në shtëpinë e tyre, ka guximin që ta ndezë këtë armë të shkatërrimit në masë si shenjë të punës së mirë që ka bërë në shfarosjen e tyre. Në fakt është i njëjti që ka detyruar mbi 30% të popullsisë të ikin nga sytë këmbët, nga Shqipëria dhe nga Elbasani.

Logjika e veprimit të tij për shfarosjen e shqiptarëve, në Elbasan është dëshmuar solide.

Tani që flasim, po thithim kancer në vend të ajrit, uji që na arrin është i ndotur, ushqimet që blejmë janë “spërkatur” me helmet e inceneratorit – sepse na qeveris një i papërgjegjshëm.

Do të ftoja të gjithë qytetarët e Elbasanit që t’i bashkohen thirrjes sime “FIKE PLEHRËN!” dhe të postojnë në profilin e tyre në mediat sociale këtë foto…

Pas zgjedhjeve, flasim. Tani Inceneratori duhet të fiket. Menjëherë!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here