Kandidati i partisë “Fronti i Majtë”, Marko Dajti, që kandidon për Bashkinë e Tiranës, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për fushatën, zgjedhjet dhe arsyet pse kandidon.
Dajti u pyet nga Ylli Rakipi se si bën fushatë, kur nuk ka para, ndryshe nga partitë e tjera që kanë paratë e veta dhe të oligarkëve.
Kandidati “komunist”, deklaroi se nuk ka fare para, por ka 100 litra raki që i kanë dhënë në Vlorë për t’ua shpërndarë votuesve.
Dajti gjithashtu sqaroi se Flamur Noka ia ka dhënë firmën për kandidimin në Tiranë, për shkak se janë miq me njëri tjetrin.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Pse vendose të kandidosh për Bashkinë e Tiranës?
Marko Dajti: Është kandidaturë revolte, për t’ju hapur sytë socialiste për të pastruar PS-në nga llumi, siç është pastruar PD që sot është shumë e pastër. Ky katarsis duhet të bëhet patjetër edhe te PS.
Ylli Rakipi: Si ka mundësi jeni kaq afër me demokratët dhe jo me socialistët?
Marko Dajti: Ne jemi shqiptarë. Aq dinim dikur për demokracinë, ishte prapambetje.
Ylli Rakipi: Duhet të të them një gjë shumë hapur, partitë e tjera hedhin shume lekë në fushatë, të vetat dhe të oligarkëve. Ti pa kokërr leku, si do t’ja bësh? Keni mbledhur donacione nga populli?
Marko Dajti: Ne nuk kemi ku ti gjejmë paratë, nuk na jep njeri.
Ylli Rakipi: Ndonjë oligark nuk ju jep?
Marko Dajti: As bëhet llaf për këtë. Edhe vetë shteti nuk më ka dhënë asgjë. Kam një historik, por nuk ka dhënë asgjë.
Ylli Rakipi: Asgjë nuk ke mbledhur?
Marko Dajti: Kur partia është futur në zgjedhje s’kam marrë as ato tre milionë lek, sepse do t’i kërkonin mbrapsht.
Ylli Rakipi: Kur folëm në telefon, më the që të kishte sjellë njëri nga Vlora 100 litra raki që t’i shpërndash popullit.
Marko Dajti: E kanë në shpirt dhe gjak, sepse e kuptojnë që PS është zhdukur.
Ylli Rakipi: Po ndaji këto ti, sepse lek nuk ke.
Marko Dajti: Po nga një gotë raki ua japim patjetër.
***
Ylli Rakipi: Flamur Noka vendosi të mbështesë një kandidat komunist si puna juaj, kur Flamuri është kokë e këmbë kundër komunizmit. Si ka mundësi?!
Marko Dajti: Flamuri është demorkat i vërtetë. E vlerësoj punën e tij. Unë e kam një lidhje miqësore me të. Partia Socialiste, nuk lejonte asnjë të futej në garë, siç bëri në 2019 që i mori të gjithë bashkitë vetë. Flamuri bëri gjestin civil. Unë ia kërkova Flamurit, duke parë që Edi Rama nuk kishte lënë hapësirë që ne të kandidonim, ishte shumë e vështirë, ja kërkova Flamurit dhe ai u tregua i gatshëm, ma dha.