Banorët e një prej qarqeve më të varfra të vendit, Kukësit, po marrin shumë shpesh këto ditë fushate ndihma me pako ushqimore. Një ditë më parë banorët e shtresave në nevojë u njoftuan nga përgjegjësit e Njësive Administrative të tërhiqnin pakot ushqimore pranë magazinave të bashkisë se Kukësit.
“Ne Komuna na ka thirr, na kanë thënë të bashkisë japin. Në më dhënshin falimners, për jetimët i kam”, shprehen disa të moshuara.
“Mua më ka njoftuar shefi i Komunës Imisht”, thotë një tjetër banorë.
“Janë nga shoqata e jetimëve të Balkanit që në muajin e Ramazanit ka sjellë 100 pako të shtresave në nevojë. Kemi shpërndarë ndihma pothuajse gjatë vitit. Nuk ka lidhje me fushatën elektorale”, shprehet ai.
Kodi zgjedhor parashikon se me fillimin e muajit të fushatës zgjedhore, ndalohet dhënia e ndihmave për qytetarët, pasi kjo konsiderohet si një mënyrë për të ndikuar votën e tyre. Megjithatë as ligji mesa duket nuk është frenues që forma të tilla të përdoren si një mënyrë për të ndikuar banorët e varfër të zonës në përzgjedhjen e kandidatit.