Deklarata për zgjedhjet e 14 majit/ Kë godet ambasada e SHBA

0
156

Krejt papritur ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë për zgjedhjet e 14 majit. Në krye të saj u kërkohet partive politike dhe institucioneve të sigurohen që aktivitetet për zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.
Më pas ambasada përmend raportin e ODIHR pas zgjedhjeve të vitit 2021 ku nuk kursen të ripkujtojë mangësitë e atyre zgjedhjeve.

“Pas zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021, raporti i ODIHR-it përshkruan fushat ku është bërë përparim i vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Në veçanti, pati raportime të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë, partive dhe institucioneve shtetërore që të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it” – thuhet në deklaratë që tingëllon qartazi “tërheqje veshi” për qeverinë.

Më pas vijohet me kërkesën për të pasur kandidatë të pastër në zgjedhje ku një theks të veçantë merr lufta ndaj të korruptuarve. Kjo duket se shkon për të dyja palët.

“Ashtu siç ambasadorja Kim diskutoi kohët e fundit me drejtuesit e partive, partitë politike duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente. Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë”- citon deklarata.

Duket se një sinjal ka edhe për PD-në e Berishës kur përmend korrupsionin si kërcënim për demokracinë.

“Strategjia e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare” – thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të fortë. Ne nxisim të gjithë drejtuesit dhe institucionet që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe të sigurojnë që Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj demokratike” – mbyllet deklarata.

Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit që këtë herë ishte mjaft kritik për qeverinë. ©LAPSI.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here