Përfundon ballafaqimi i ish-zyrtares së qeverisë Alda Klosi dhe Rozeta Dobit në prokurori/ Zbardhen dëshmitë e tyre

0
139

Ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë, Alda Klosi dhe pastruesja e saj Rozeta Dobi, janë ballafaquar ditën e sotme në Prokurori, për të dëshmuar lidhur me origjinën e parave të gjetura në shtëpinë e zonjës Dobi.

Të dyja kanë mbajtur të njëjtën linjë me dëshmitë e dhëna më parë gjatë rrëfimit të sotëm dhe pas përfundimit të deklaratave, ato janë drejtuar sërish në ambientet e burgut.

Mësohet se Alda Klosi ka dalë duke qeshur nga Prokuroria dhe ka përsëritur se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, për të cilat ajo dyshon se autore është pastruesja Rozeta Dobi.

Njësoj siç kishte deklaruar më herët, burimet për mediat  bëjnë me dije se ajo është shprehur se paratë që kishte mbajtur në shtëpi ishin të xhaxhait të saj për kurimin e tij, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë pak kohë pas ngjarjes.

Ndërsa për 500 mijë eurot e tjera të gjetura në tubin e aspirimit në shtëpinë e pastrueses Dobi, shprehet se nuk ka dijeni dhe se nuk ka disponuar ndonjëherë shuma aq të mëdha.

Ndërkohë pastruesja Rozeta Dobi ka dëshmuar se 500 mijë eurot ishin të ish-zyrtares Alda Klosi dhe sipas saj vjedhja ishte e inskenuar nga të dyja zonjat, pasi paratë sipas saj ishin lënë në ruajtje të saj nga vetë Klosi.

E gjithë kjo skemë sipas saj u bë me qëllim që Alda Klosi të akuzonte ish-burrin e saj me të cilin kishte përplasje.

Ndërkohë hetimet po vijojnë për zbardhjen e origjinës së parave, ndërkohë që Klosi pritet të dalë para gjykatës të hënën, për të kërkuar një masë më të lehtë sigurie.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here