Gjatë vitit që lam pas çmimet u rritën me 7.1%. Sipas INSTAT, shtesën më të madhe e ka pësuar grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 11.8%, që pasohet nga transporti me 6.9% dhe mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 6.7%. Shtrenjtim kanë pësuar edhe veshjet me 5.3%, si dhe pijet alkoolike, duhani, hotelet, kafenet dhe restorantet.
Trendi rritës ka vijuar edhe në janar me një shtrenjtim prej mesatarisht 1.1% e ku koston më të lartë e kanë sërisht ushqimet dhe pijet joalkolike.
Por edhe pse konsumatorët duhet të paguajnë më shumë për të siguruar produktet, efekti pozitiv duket në buxhetin e shtetit. Kështu sipas të dhënave zyrtare borxhi publik gjatë vitit 2022 është ulur. Një efekt vjen si pasojë e rritjes së të ardhurave në buxhet prej taksave si nga blerjet me pakicë apo dhe ato me shumicë. Në këtë mënyrë edhe nevoja për financime shtesë ka rënë.