Procesi “Khashoggi”/ Një udhërrëfyes për raportin e Ramës me drejtësinë amerikane

0
142

I përfshirë thelbësisht në dosjen e Washingtonit kundër Charles McGonigal, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e gjen veten mes një ekuacioni me disa të panjohura, që mund ta çojë përballë drejtësisë amerikane. Mediat më serioze të SHBA citojnë burime të besueshme nga hetimet, sipas të cilave “Charles McGonigal, ka marrë para për të çuar përpara interesat e kryeministrit shqiptar” apo se “McGonigal ishte i zhytur deri në fyt në marrëveshje sekrete me kryeministrin e Shqipërisë”.

Por pavarësisht logjikës që imponon renditja e fakteve në dosje, prokurorët amerikanë nuk kanë ngritur asnjë akuzë për korrupsion ndaj McGonigal dhe nuk e përfshijnë Ramën në ndonjë skemë korrupsioni, që u pasua me hapjen e hetimit ndaj lobistit amerikan Nick Muzin.

Por edhe sikur hetimi të konkludonte me përfshirjen e Edi Ramës në veprime korruptive me Charles McGonigal, drejtësia amerikane nuk mund ta gjykojë kryeministrin e një vendi tjetër. Sepse e drejta ndërkombëtare garanton imunitet për kryeministrin e një vendi tjetër.

I freskët është rasti i Mohhamed bin Salman. Gjykata amerikane u tërhoq përballë Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, pikërisht në momentin që ai u emërua kryeministër.

Si nisi gjykimi për Mohammed bin Salman

Majtas, gazetari i ëashington Post, Xhemal Khashoggi, djathtas, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman

Pas vrasjes së gazetarit Xhemal Khashoggi në konsullatën saudite në Turqi, e fejuara e tij Hatixhe Çengiz dhe një grup aktivistësh ngritën padi për zbardhjen e çështjes dhe ndëshkimin e urdhëruesve të vrasjes. Më herët agjencitë e inteligjencës amerikane kishte arritur në përfundimin se vrasja e gazetarit kishte të ngjarë të ishte urdhëruar nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman Saudi.

Hatixhe Cengiz iu drejtua gjykatave amerikane me besimin se nuk kishte sistem tjetër gjyqësor aq të pavarur, sa për të dhënë drejtësi për çështjen në fjalë.

Vetë Princi i Kurorës e kishte mohuar urdhrin për vrasjen e Khashoggit.

Si i shpëtoi drejtësisë amerikane Mohammed Bin Salman

Takimi i presidentit të SHBA, Joe Biden me kryeministrin e Arabise Saudite Mohammed bin Salman

Ndërsa shërbimet sekrete amerikane po hetonin vrasjen e Khashoggit, në Arabinë Saudite ndodhi një lëvizje e papritur. Mohhamed bin Salman u emërua kryeministër në datën 27 Shtator të vitit 2022.

Deri në këtë datë, postin e kryeministrit e kishte mbajtur babai i tij, mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud.

Dekreti mbretëror nuk jepte arsye për emërimin e princit si kryeministër, por agjensia zyrtare e lajmeve njoftoi se mbreti do të vazhdonte të drejtonte mbledhjet e qeverisë.

Dy muaj më pas, në 18 Nëntor të 2022 administrata Biden njoftoi gjykatën amerikane se Mohammed Bin Salman nuk mund të gjykohej më nga drejtësia amerikane për shkak të imunitetit që gëzonte si kryeministër.

Në deklaratën gjyqësore thuhej se promovimi i princit në rolin e kryeministrit nënkuptonte se ai ishte “kreu i qeverisë në detyrë dhe, rrjedhimisht, imun”.

Paralelizmi me gjykimin e Ramës në SHBA

Kryeministri i Shqiperise, Edi Rama me Princin e Kurores, Mohammed bin Salman, foto e vitit 2019

Nga rasti i gjykimit të çështjes “Khashoggi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kuptohet se një proces gjyqësor ndaj kryeministrit të Shqipërisë atje, është i pamundur. Çdo hap që do të kishte ndërmarrë prokuroria amerikane ndaj Ramës, do të ishte ndërprerë në gjykatë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, njësoj si kryeministri i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman gëzon imunitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Ndryshimi është se Mohammed bin Salman qëndron de facto në krye të shtetit me eksportet më të mëdha të naftës në botë, një luks që Shqipëria nuk e ka.

Disa muaj para se gjykata amerikane të tërhiqej, Biden u fotografua duke u takuar me grusht me Princin e Kurorës, megjithëse kishte thënë se do ta shmangte një takim të tillë.

Sinjalet që do të marrë Rama nga Departamenti i Shtetit mbeten për t’u parë.

Megjithatë për këtë çështje Rudina Jasini, studiuese dhe avokate e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Universiteti Oxford është shprehur me parë se gjykimi i Ramës mund të kryhet në një kohë të dytë, kur ai të mos jetë më kryeministër.

“Kjo nuk përjashton përgjegjësi të mundshme të mëvonshme kur ai nuk është më Kryetar Shteti. Është prerogative e Prokurorisë të përcaktojë në bazë të provave, evidencës dhe informacionit të disponueshëm se kush do të jetë subjekt i një aktakuze të ngritur. Kjo nuk do të thotë që individë të përfshirë në këtë “afere” të mos përbëjnë në një moment të mëvonshëm subjekt të mëtejshëm të investigimit” është shprehur Jasini./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here