Nisja e sesionit parlamentar, Rama mbledh grupin e PS-së, i pranishëm dhe Agron Çela

0
84

Pak orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Kryeministri Rama ka mbledhur grupin e deputetëve të Partisë Socialiste, ku i pranishëm në takim është edhe deputeti Agron Cela.

Në mbledhje do të diskutohet performanca e ministrave dhe deputetëve në parlament.

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet pasditen e sotme për herë të parë për vitin 2023, ku do të çelë zyrtarisht sesionin e ri parlamentar që përkon me një vit elektoral, sa i përket zgjedhjeve vendore të 14 majit, ndërsa në fund të muajit korrik pritet përfundimi i legjislaturës.

Seanca do të jetë ceremoniale dhe do të nisë në orën 16:00, ku pritet të mbaje fjalën kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe krerët e grupeve parlamentarë.

Po ashtu pritet që të këtë një debat mes opozitës dhe mazhorancës në lidhje me situatën politike dhe ekonomike.

Konferenca e Kryetarëve vendosi më 12 janar zhvillimin e seancave plenare më datat 16 janar 2023, 26 janar 2023 dhe 2 shkurt 2023.

Ndërsa më datën 26 janar 2023 do të zhvillohen dy seanca plenare, njëra e dedikuar përkujtimit të viktimave të Holokaustit.

Pika e fundit e rendit të ditës së mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ishte diskutimi për kërkesën e paraqitur nga 35 deputetë të pakicës parlamentare për ngritjen e një komisioni hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit në detyrë, nga datat 10.09.2013 deri më datë 31.10.2022”.

Për shkak të mos arritjes së dakordësisë, në bazë të Rregullores, çështja  i kaloi për shqyrtim seancës plenare të datës 26 janar 2023.

Pritet që Kuvendi të nisë menjëherë thirrje  për kandidatura për zgjedhjet të Avokatit të Popullit, pasi në dhjetor nuk u miratua propozimi i opozitës. Mbetet për tu parë nëse mazhoranca do vazhdojë propozimin për amnistinë fiskale.

Me interes pritet dhe trajtimi i dekretit të Presidentit të Shtetit, i cili nuk e miratoi ligjin për dekoratat e titujt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here