Policia në Shkodër ka çmontuar 21 kamera të vendosura në shtyllat elektrike në rrugë, për të mbledhur informacion, për qëllime kriminale.
Sipas policisë, pajisjet ishin vendosur me qëllim mbledhjen e informacionit për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.
21 kamerat ishin të lidhura nëpërmjet celularit. Pesë prej tyre ishin instaluar në vende dhe sheshe publike.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me Ligjin 9887, datë 10.03.2008 “Mbrojtja e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.