Miliarderi majtist Soros shpenzoi 131 mln USD për të ndikuar mbi median

0
143

Nga Brian Flood, FOX NEWS

Miliarderi liberal George Soros ka shpenzuar të paktën 131 milionë dollarë midis 2016 e 2020 për të influencuar median, sipas një studimi të ri të kryer nga MRC Business.

“Soros ka derdhur të paktën 131,111,250 dollarë midis 2016 e 2020 në 253 grupe gazetarie dhe aktivistësh në gjithë botën për të përhapur idetë e tij të majta radikale mbi abortin, ekonominë marksiste, anti-amerikanizmin, mosfinancimin e policisë, ekstremizmin ambientalit dhe fanatizmin LGBT”, shkruajnë analistët Joseph Vazquez e Daniel Schneider.

MRC Business, pjesë e Media Research Center konservative, zbuloi raportin e dytë nga tre gjithsej që eksplorojnë shkallën e influencës së Sorosit mbi median ndërkombëtare. Themeluesi dhe presidenti i MRC, Brent Bozell, doli në “Varney & Company” në Fox Business Network të enjten për të diskutuar se sa thellë shkojnë paratë që Soros ka investuar në media.

“Është një numër mahnitës, 131 milion dollarë midis 2016 e 2020, kjo është shumë më tepër se çdo njësi, fondacion apo çfarëdo tjetër ndoshta në botë”, tha Bozell. “Ky është një person që dëshiron të ndryshojë rrënjësisht botën”.

Muajin e kaluar, pjesa e parë e studimit të MRC Business zbuloi se Soros është i lidhur me organizata mediatike kudo në botë, përfshirë The Marshall Project, Disinformation Governance Board të administratës Biden, tashmë të shpërbërë, Project Syndicate, International Fact-Checking Network të Poynter Institute, NPR, ProPublica dhe Free Press. Pjesa e dytë e studimit shqyrton shpenzimet e miliarderit të majtë.

“Soros pompoi 103,236,632 dollarë në grupe të medias që qarkullojnë idetë e tij ekstreme nëpër SHBA dhe jashtë midis 2000 e 2014. Në periudhën 2016-2020, Soros e kaloi përsëri cakun e 100 milionë dollarëve brenda një harku 4-vjeçar për median globale. Është e lehtë ta kritikosh politikën e Sorosit. Por ai është investues i zgjuar, pavarësisht nëse përpiqet të fitojë pará apo të çojë përpara programin e tij”.

Studimi zbuloi se Open Society Foundations përdori krahun e tij të investimeve për influencë, të njohur si The Soros Economic Development Fund, për të realizuar programin e tij në tema që përfshijnë barazinë racore dhe ndryshimet klimatike.

“Pikëpamjet e nxitura nga media e financuar nga Soros janë radikale, distopike”, shkruajnë Vazquez e Schneider, duke vënë në dukje se organe të medias që kanë marrë pará nga Soros kanë publikuar opinione/editoriale që bëjnë thirrje për t’i “dhënë fund” familjes bërthamore, justifikuar sulmet terroriste palestineze dhe argumentojnë nevojën për një “lockdown klimatik” global.

“Soros e ka çimentuar veten si një nga influencuesit më të fuqishëm në politikën globale përmes ndikimit të madh në media”.

Soros ishte donatori më i madh i së majtës gjatë zgjedhjeve afatmesme 2022 dhe ka hedhur pará për kandidatët politikë liberalë, përfshirë prokurorët lokalë dhe prokurorët rajonalë, prej vitesh.

“Përfshirja e Sorosit në media nuk kufizohet me 131 milionët në shpenzime filantropike në media”, shkruajnë autorët. “Një grup investimesh i drejtuar nga Soros, Lakestar Finance, ka ofruar financim borxhi për të mbështetur blerjen 60-milionëshe të 18 stacioneve radiofonike Univision nga Latino Media Network, një grup mediatik i drejtuar nga ish-operativë të Obamës e Clintonit”.

E famshmja anti-komuniste Radio Mambi, një stacion radiofonik konservator në gjuhën spanjolle me bazë në Miami ishte ndër organet e blerë nga Soros dhe njerëzit e Obamës e Clintonit. Shumë nga drejtuesit konservativë të programeve janë larguar që atëherë, duke refuzuar të punojnë për Sorosin pasi besojnë se blerja është një përpjekje për të kontrolluar informacionin politik për votuesit spanjishtfolës.

“Soros ka kuptuar diçka që konservativët amerikanë nuk kuptuan kurrë plotësisht: organet e medias janë thelbësore për ndikimin e njerëzve”, shkruajnë Vazquez e Schneider. “Ndikimi i medias që ka blerë Soros mjaftoi për të krijuar rreth tij një flluskë mbrojtëse karshi investigimit nga shumë gazetarë”.

Pjesa e tretë e studimit të MRC Business pritet të zbulojë se cilat janë organet e medias të lidhura me Soros.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here