BSH mbyll blerjet e valutës për 2022 me 15.4 milionë euro, por kursi i Euros bie sërish

0
155

Banka e Shqipërisë organizoi të premten ankandin e fundit të blerjes së valutës për vitin 2022.

Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë të plotë vlerën e sipërme të intervalit prej tetë milionë eurosh.

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 114.49 dhe 114.85 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 114.57 lekë.

Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 7.4 milionë eurosh, me kursin mesatar prej 114.57 lekësh. Megjithëse në ankand u ble një shumë e konsiderueshme prej gjithsej 15.4 milionë eurosh, as në këtë rast, ankandi i planifikuar i Bankës së Shqipërisë nuk ka ndikuar në forcimin e Euros në kursin e këmbimit valutor.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të premten Euro u këmbye me 114.48 lekë, me një tjetër rënie të lehtë krahasuar me një ditë më parë dhe duke shënuar njëkohësisht një rekord të ri historik. Që nga fillimi i muajit dhjetor, Euro ka pësuar një rënie me 1.7% në kursin e këmbimit me Lekun, ndërsa prej fillimit të vitit rënia ka arritur në pothuajse 5%.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se rënia e kursit të monedhës europiane i detyrohet ofertës së lartë të saj në tregun e brendshëm. Në muajin dhjetor, kjo ofertë rritet më tej, për shkak të zhvillimeve sezonale të lidhura me turizmin dhe kthimin e emigrantëve.

Ndërkohë, në javët e fundit kërkesa për Euro në treg ka rënë ndjeshëm pas përmirësimit të situatës së prodhimit të energjisë në vend dhe uljes së nevojës për importe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Një situatë e tillë i ka dobësuar akoma më shumë pozitat e Euros në kursin e këmbimit.

Gjatë vitit të ardhshëm, pritet që Banka e Shqipërisë pritet të rrisë blerjet në tregun e brendshëm valutor. Sipas kalendarit të ankandeve, vlera e parashikuar e blerjeve të euros parashikohet në intervalin midis 160 dhe 220 milionë eurove.

Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e pritshme të këtij viti, kur shuma e blerë në tregun e brendshëm valutor vlerësohet të ketë qenë pranë nivelit të 145 milionë eurove.

Në fund të muajit tetor, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 4.96 miliardë eurove, në rritje me 17.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Madhësia e rezervës valutore të Shqipërisë përgjithësisht vlerësohet nga institucionet e specializuara si mjaft e kënaqshme për mbulimin e nevojave të ekonomisë për valutë.

Një nga kriteret kryesore në përcaktimin e vlerës minimale të nevojshme të rezervës valutore është arritja e një vlerë të mjaftueshme për të mbuluar të paktën katër muaj importe, ndërsa sipas vlerësimeve të fundit të Bankës së Shqipërisë aktualisht rezerva valutore e vendit mbulon rreth 7.3 muaj importe, duke qenë dukshëm sipër objektivave të saj minimale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here