7 kandidatët e PD prezantojnë programin në degët 3, 4 dhe 14: Të largojmë të keqen e Tiranës, Veliajn

0
123

Shtatë kandidatët në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, vijuan pasditen e sotme fushatën në degën 3, 4 dhe 14 në kryeqytet. Kandidatët shpalosën programet e tyre. Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Julian Deda shpalosën platformat e tyre, për Tiranën, duke kërkuar votën e demokratëve, të cilët do zgjedhin njërin prej tyre, si kandidatin e opozitës për zgjedhjet e 14 majit.

Shtatë kandidatët prezantuan vizionin e tyre me anëtarët e PD të degëve, 3, 4 dhe 14 në kryeqytet, ndërsa fushata e tyre do të vijojë deri në datë 4 dhjetor. Në këtë ditë do të jenë demokratët që do të vendosin se cili prej tyre, do përballet me Erion Veliaj, në betejën për Bashkinë e Tiranës.

Kandidatja Adriana Kalaja tha se më 15 maj Bashkia Tiranë do të jetë e qytetarëve.

Më jepni votën të rrëzojmë Erion Veliajn.”-tha Kalaja.

Belind Këlliçi tha se PS-ja procesin e zgjedhjeve e ka harruar. Ai deklaroi se sido që të shkojnë primaret, janë të gjithë bashkë kundër Veliajt.

“Nuk bëjnë zgjedhje as për kryetar partie, jo më primare. Ne jemi 7 kandidatë që kemi ofertat tona. Sido të shkojë gara e primareve, ne do jemi të gjithë bashkë përballë Veliajt për ta rrëzuar. Beteja në Tiranë është betejë që bëhet për gjithë Shqipërinë. Tirana sot është bërë e pajetueshme.”-tha Këlliçi.

Kandidatja Enkelejda Fejzo u shpreh se garën nuk e kanë vetëm mes njëri-tjetrit, por ndaj kryebashkiakut Veliaj. Fejzo tha se më 14 maj do shndërrisë një yll, duke nënkuptuar fitoren e PD-së.

“Sot erdhi vota e anëtarit. Një votë është shumë e rëndësishme për të zgjedhur më të mirin. Betejën e kemi për ide, vizion, për të sjellë më të mirën. Duhet programi më i mirë që më 14 maj kur do shndërrijë një yll, do jemi më të qeshur se kurrë. Brenda PD-së ka garë. Forca juaj nuk është e kryetarit, por e anëtarit. Jam punëtore si ju dhe dua një fjalë magjike që duhet ta mbani mend, ‘sot, jo nesër’. Familja, arsimi, atdheu janë në rrezik.“-tha Fejzo.

Fatmir Merkoçi tha se primaret janë risi e PD dhe një garë ndryshe nga të tjerat. Ai tha se futet në garë për të fituar ndërsa shtoi se ngre kauza për kombin, për atdheun.

“Jam prodhues i Partisë Demokratike. Jam këtu se jam kundër komunizmit. Te gjithë e dinë çfarë ka bërë Veliaj. Unë kam bërë 32 vjet luftë. Jam përball me çdo njeri për ato kullat, jam përballur dhe me partinë time. Jam përballur për të mirën e demokratëve dhe demokracisë. Unë hyj në betejë për të fituar, gjithmonë kam fituar. Kam fituar edhe kur më hodhi Lul Basha gaz. Unë fitoj, di të fitoj. Ngre kauza për ju, për popullin, për kombin. Gjithmonë kam dalë në protestë. Shumica hesht prej frikës, por unë e them se jam hapur kundër diktaturës.”-tha Merkoçi.

Kandidati Gerti Bogdani deklaroi se është kundër atij që i quan zdromsa qytetarët e vet, duke iu referuar Erion Veliajt.

“Ne do punojmë me transparencë. Tirana është sot e përmbytur, u përmbyt edhe në verë. me 10 minuta shi. Ka të drejtë Verliaj kur thotë e kam zgjeruar liqenin, është bërë e gjithë Tirana, liqen. Veliaj e vret mendjen vetëm për të ndërtuar pallate dhe jo për të rregulluar lagje. Më 14 maj në Bashkinë e Tiranës gjëja e parë që do ndryshojë është ligjshmëria. Dukefilluar nga 5 maji, Teatri Kombëtar, e prishën me arrogancë. Atë arrogancë e tregon në çdo cep të Tiranës. Do të prishi pallatet e banorëve për t’i hapur rrugë kullave me justifikimin e tërmetit. Tirana më 14 maj do marrë ndryshimin e merituar.”-tha Bogdani.

Mjeku Ilir Alimehmeti deklaroi i bindur se PD fiton në zgjedhje te 14 majit.

“Besoj te puna dhe jo te fjalët. E njoh mirë Tiranën. Këtu jam lindur, këtu jam rritur, këtu jam zhvilluar. Tirana ka nevojë për ndryshim. Në këto momente të vështira jam riaktivizuar, jam i lumtur që shoh rritje të PD-së. E shoh se çfarë do ndodhë më 14 maj, më 14 maj ne fitojmë. Kjo është e vërteta. Fitojmë me antitezën e atij që është sot në Bashkinë e Tiranës.“-tha Alimehmeti.

Aktori Julian Deda i cili gjithashtu kandidon në primaret e PD për Bashkinë e Tiranës, deklaroi se 7 kandidatët janë përballë Erion Veliajt sido të shkojë gara e primareve.

“Gjithë këto vite i kam shërbyer njerëzve. Jam mësuar të shërbej, diku kokëulur e diku kokëngritur. Ju do na pyesni ne për program. Në fakt kemi vizion, e jo program. Në 9 vite demokratët humbën kontaktin me njëri-tjetrin për shkak të keqmenaxhimit nga lidershipi i kaluar. Ne jemi të 7-të përballë Erion Veliajt. Ne do bëjmë të kundërtën e asaj që ka bërë Erion Veliaj. Ky qytet prej tij nuk po buzëqesh më. Që do e fitojmë këtë garë, nuk diskutohet fare. Veliaj më 15 maj do marrë dhe mamin e do bëjë pushime me lekët e mamit se është mësuar.”-tha Deda.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here