Primaret/ Loka kandidon në Krujë: Bashkia do u kthehet qytetarëve

0
128

Agron Loka prezantoi kandidaturën në primare për Bashkinë e Krujës.

DEKLARATA E PLOTE

Të nderuar qytetar, të nderuar demokratë;

Përmes këtij komunikimi, kam nderin dhe kënaqësinë të ndaj me ju vendimin për të marrë pjesë në primaret e degës së PD Krujë dhe Fushë Krujë, për përzgjedhjen e Kandidatit për Kryetar të Bashkisë.

Vendimi për të marrë pjesë në këto primare, mbështetet në qytetarinë, energjinë dhe patriotizmin që treguan bashkëqytetarët e mi, të cilët menjëherë ju bashkuan lëvizjes së demokratëve shqiptarë për të shpëtuar pluralizmin, për të rithemeluar dhe për ta rikthyer Partinë Demokratike në identitetin e saj euro-atlantik dhe në vlerat e saj të lirisë, demokracisë, votës së lirë dhe interesit kombëtar.

Unë jam Agron Loka, lindur e rritur në Fushë Krujë, në një familje të thjeshtë, e cila ashtu si shumë familje shqiptare, ka mundur t’i rrisë fëmijët e saj me dashurinë për punën, me dashurinë për vendlindjen, me dashurinë dhe respektin për njerëzit dhe me besimin në Zot.

Tradita familjare, arsimi, përvoja ime politike, eksperienca në punë dhe në sipërmarrjet private, por sidomos, marrëdhëniet e mia me bashkëqytetarët, kanë qenë frymëzimi dhe motivi im për të kandiduar në këto zgjedhje.

Sot, nga drejtimi i Bashkisë sonë nga Rilindja, Kruja dhe krutanët, ashtu si e gjithë Shqipëria  po përjetojnë më shumë varfëri, më shumë mjerim, më shumë korrupsion, më shumë emigrim dhe më shumë mashtrim dhe gënjeshtra.

Përballja dhe trajtimi i pasojave dhe dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit të 2019, braktisja në pandeminë Covid 19, helmimi i qytetarëve nga uji i pijshëm, shfaqën papërgjegjshmërinë dhe fytyrën antinjerëzore të këtij klani politik.

Sot çdo prind krutan, përballet me papunësinë dhe ndjehet i pambrojtur dhe i pambështetur për të realizuar përgjegjësitë e tij prindërore në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të tij.

Sot, çdo i ri dhe e re krutane, ka të gjitha arsyet për tu ndjerë të dëshpëruar. Ata janë plotësisht të braktisur nga Bashkia dhe nuk kanë asnjë mundësi për arsimim, kualifikim profesional dhe punësim.

Sot një fermer dhe blegtor krutan, është krejtësisht i braktisur nga pushteti vendor dhe ai qendror. Kjo ka bërë që tokat dhe arat e Bashkisë sonë të jenë gjithnjë e më pak të punuara e të mbjella. Numri i fermave blegtorale dhe i krerëve të bagëtive të jetë gjithnjë e më vogël.

Sot, çdo nxënës i shkollave të Bashkisë sonë, përballet më cilësinë më të dobët të shërbimit arsimor. Kjo pasi arsimi dhe sidomos drejtimi  dhe administrimi i tij, është tërësisht i politizuar, larg cdo standardi profesional dhe infrastrukturor dhe larg interesave të prindërve.

Sot një artist krutan, është krejtësisht i pa konsideruar nga planifikimet dhe agjendat kulturale të Bashkisë. Artistët dhe konsumatorët e artit, kinemaja, teatri, Teatri i Kukullave, strukturat për promovimin e talentit artistik, janë krejtësisht koncepte të panjohura për Bashkinë aktuale.

Sot një ZEJTAR krutan është plotësisht i panjohur nga Bashkia. Asnjë projekt, asnjë nismë për mbështetjen, ruajtjen dhe promovimin e zejeve nuk është pjesë e buxheteve të Bashkisë.

Sot, një fëmijë krutan, për të shijuar një kënd lodrash duhet të udhëtojë me prindërit për në Tiranë ose Durrës. Krijimi i të tilla këndeve dhe hapësirave për fëmijët, është krejtësisht jashtë vëmendjes së Bashkisë aktuale.

Sot, një pensionist krutan është gjithnjë e më i varfër ekonomikisht dhe plotësisht i braktisur nga aspekti social.

Sot e gjatë gjithë këtyre viteve, Bashkia aktuale ka treguar se nuk ka asnjë plan, asnjë mbështetje dhe asnjë vizion për zhvillimin e turizmit dhe llojeve të tij, në një kohë që potencialet turistike të Bashkisë sonë janë të mirënjohura përtej kufirit shqiptar.

Sot numri i bizneseve të vogla është në nivelin më të ulët që ka qenë ndonjë herë. Njësitë e shitjeve dhe shërbimeve sot janë të kërcënuara në ekzistencën e tyre. Edhe në këtë sektor, roli, përfshirja dhe ndikimi i Bashkisë ka qenë krejtësisht i munguar.

Të dashur bashkëqytetarë,

më lejoni të shpreh besimin, angazhimin dhe përkushtimin tim që kjo situatë, më 14 maj 2023 merr FUND dhe Bashkia Krujë do të kthehet në duart tuaja dhe në shërbimin tuaj. Unë jam i sigurt që energjia, mençuria dhe patriotizmi i krutanëve do të fitojë mbi braktisjen, korrupsionin dhe varfërinë që mbolli Rilindja!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here