Revista e njohur britanike: Shqiptarët po ikin nga një ‘shtet i dështuar’

0
108

THE WEEK

Në një oborr shkolle të shtruar me beton në Kukës – rajoni më i varfër i Shqipërisë – një grup adoleshentësh vijnë rrotull, duke luajtur me një top volejbolli të vjetër. Këta janë ata që kanë mbetur pas, thotë Ben Ellery në The Times.

Shumica e shokëve të tyre e kanë lënë shkollën, jo për të shkuar në universitet apo për të nisur punë në ndonjë fabrikë lokale, por për të udhëtuar drejt Francës e prej andej për të kaluar La Manshin. Drejtoresha e shkollës, Vjollca Gashi, e përshkruan si epidemi: nga 1500 nxënës, tani ka vetëm 1050.

Zakonisht nxënësit zhduken gjatë vitit të fundit, por disa janë vetëm 15 vjeç. “Ata shkojnë pas shokëve të tyre në Angli, sapo ndonjë i njohur shkon atje, e kanë bërë gjysmën e rrugës tashmë”, thotë. Dhe nuk ka asgjë unike në atë çka provon ajo. Në qytetet e këtij rajoni verior e më gjerë, të rinjtë shqiptarë inkurajohen nga eksperiencat e shokëve dhe të afërmve të tyre – si dhe nga seria e videove joshëse të postuara nga trafikuesit në – për të lënë vendin, në kërkim të një jete më të mirë në Britani.

Numri i shqiptarëve që kalojnë La Manshin është në rritje. 12 mijë nga thuajse 40 mijë që kanë mbërritur në Britani me varka këtë vit janë shqiptarë, numri i të cilëve është rritur nga 50 më 2020.

Shumica janë meshkujt të rinj beqarë, të cilët kanë pak shanse që t’u jepet azil: 53% të shqiptarëve iu jepet leje qëndrimi, por prej tyre vetëm 14% janë meshkuj të rinj (shumica dërrmuese janë gra e fëmijë që janë trafikuar). Kështu që në vend që të kalojnë përmes procesit, shumica thjesht zhduken, ose për të punuar në ekonominë informate, ose drejt bandave shqiptare që tani kontrollojnë pjesë të mëdha të tregtisë së drogës.

Kudo që të shkojnë, thotë BBC News, shpresojnë që të fitojnë shumë më tepër në Britani nga sa mund të fitonin në vendin e tyre: më 2018, të ardhurat mesatare vjetore për familje në Shqipëri ishin vetëm 1,997 euro.

Kushtet e punës janë të këqija, standardet e jetesës të ulëta. Kushtet ekonomike janë faktori nxitës, shkruan Melanie McDonagh në The Spectator, por nuk janë vetëm paratë. Shumë shqiptarë kanë ndjesinë se jetojnë në një “shtet të dështuar: mungesa e ligjit, ndjesia se vendi drejtohet nga një kastë e korruptuar për përfitimet e veta, mungesa e shpresës për të ardhmen”.

Si rezultat, nuk janë vetëm të varfrit që ikin. Edhe klasat profesionale largohen. Mijëra doktorë kanë ikur nga Shqipëria dekadën e fundit. Pjesërisht si rezultat i ikjes së trurit, Shqipëria (me popullsi 2.8 milion) kishte vetëm 12 mjekë për çdo 10 mijë banorë më 2016 – raporti më i ulët në Evropë. Për krahasim, Serbia kishte 31.

Në Britani, numri i emigrantëve që mbërrijnë me varka është shndërruar në çështje politike, shkruan Amelia Gentleman në The Guardian. Nuk është e qartë, megjithatë, nëse numri i përgjithshëm i të ardhurve është rritur: mijëra vinin me trena e kamionë deri në momentin që këto rrugë u ndërprenë. Një fenomen i fshehur u bë i dukshëm dhe për një qeveri që premtonte rimarrjen nën kontroll të kufijve pas Brexit optika është e varfër.

E vetëdijshme për figurën e keqe para zgjedhësve, ish-Sekretarja e Brendshme Priti Patel urdhëroi zyrtarët të provonin një numër zgjidhjesh, nga ndalimi i blerjes së gomoneve në Francë (gjë e kotë, sepse trafikuesit i blinin në internet nga Kina) deri në angazhimin e flotës për të detyruar kthimin mbrapsht të gomoneve (ndoshta e paligjshme, sepse nuk kishte asnjë mënyrë për ta bërë të sigurt).

Tani pasuesja e saj, Suella Braverman, ëndërron t’i hipë emigrantët në avionë që shkojnë në Ruanda dhe paralajmëron për “pushtim”. Duke ashpërsuar gjuhën, ajo shpreson të fitojë pikë politike, shkruan Kenan Malik në The Observer, por mbetet rreziku i armiqësimit me imigrantët – ndërkohë që tërheq vëmendjen te një krizë që konservatorët nuk kanë qenë në gjendje ta zgjidhin. Pavarësisht pengesave, imigrantët vazhdojnë të vijnë.

Forcimi i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim me Francën, do t’i zvogëlonte numrat, shkruan Madeleine Sumption në Financial Times. Ofrimi i rrugëve të ligjshme për të azilkërkuesit që vijnë në Britani do ta ulte edhe më tepër numrin: asnjë ukrainas nuk vjen me varka, sepse ata mund të marrin viza. Por është e vështirë ta imagjinosh këtë skemë të aplikuar për të gjitha kombësitë e njerëzve që kalojnë La Manshin, ndonëse shumë prej tyre ikin nga lufta e persekutimi.

Nuk ka zgjidhje të lehta, thotë Patrick O’Flynn në The Spectator – por mundemi të bëjmë më tepër. Mund të luftojmë ekonominë informale dhe mund të përmirësojmë praktikën e dëbimit për jo-refugjatët. Numri i dëbimeve është përgjysmuar në një dekadë.

Mund të përshpejtojmë e reformojmë edhe procesion e azilit, shkruan The Independent. Për të përpunuar një aplikim duhen mesatarisht 449 ditë. Në vend që të paguajmë 7 milion paund në ditë për akomodimin e azilkërkuesve në hotele, më mirë t’i lëmë të punojnë në industritë britanike që janë të dëshpëruara për forcë punëtore. Me miliona në lëvizje në gjithë botën, imigrantët do të vazhdojnë të vijnë. Sfida për Britaninë është të bëjë më të mirën në këtë situatë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here