Putini lë ‘topin’ në fushën e Zelenskit: ‘Më në fund gati për paqe!’ po tani?

0
122

Putini duket se po i përgjigjet kërkesave të Zelenskit por a është e vërtetë që Rusia është gati për paqe apo mos është ky kurthi i radhës?

Forcat ruse janë tërhequr përfundimisht mbrëmjen e sotme nga një nga qytetet kryesore ukrainase, në Kherson.

Kjo lëvizje nuk është e lehtë për Putin, sidomos pasi Khersoni u aneksua e më pas u shpall me ligj si pjesë e tokës ruse. Kreu rus është shprehur i bindur se tashmë Khersoni së bashku me 4 rajonet e tjera të ankesuara (Donetsk, Luhansk, Zaporizha, Krime) janë pjesë e “Nënës Rusi’ dhe ai do të ishte i gatshëm t’i mbronte ato edhe duke përdorur armë bërthamore.

Atëherë, çfarë e shtyu atë të hiqte dorë pikërisht tani? A e kishte të pamundur ushtria e kuqe këtë përballje me forcat ukrainase në këtë pikë strategjike për Rusinë – aq sa t’i detyrojë ato të zmbrapsen duke ulur kështu jo vetëm moralin por edhe pozicionin e ushtrisë ruse në arenën globale – apo është ky bllofi i radhës i Putinit?

Vetëm 2 ditë më parë, disa pamje satelitore treguan një grumbullim të kampeve të ushtrisë ruse në Bjellorusi. Fotot tregonin rreth 300 çadra dhe rreth 30,000 trupa në 3 lokacione të ndryshme në kufirin bjellorus.

Foto satelitore e trupave ruse te grumbulluar ne Bjellorusi / REL

Në fakt gjithë këtë muaj, autoritetet ukrainase kanë shprehur shqetësimin se Putin mund të jetë duke ndërtuar një kurth, duke e bërë të duket sikur rusët po tërhiqeshin nga Kherson, por mbrëmjen e sotme vendimi u bë zyrtar.

Dhe veç kësaj, Kremlin ka dhënë edhe një mesazh për Perëndimin dhe Zelenskin me anë të një deklarate të ministres së jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila ka thënë se Rusia tashmë është gati të flasë për paqen.

“Federata Ruse është e gatshme të negociojë me Ukrainën, duke marrë parasysh realitetet që po zhvillohen në këtë moment”, tha Zakharova duke shtuar se Rusia ka kohë që këmbëngul se ka ardhur koha që dy vendet të hyjnë në negociata për të ndalur luftën.

Kjo deklaratë erdhi pak përpara se gjeneralët rusë të thoshin se forcat do të tërhiqen nga Kherson dhe pavarësisht skepticizmit që vjen natyrshëm kur lexon këto komente, tashmë duket e qartë se Putini po e ‘lë topin në portën’ e Zelenskit. Ç’do të thotë kjo?

Pak ditë më parë, kur dukej se thirrjet e Putinit dhe të SHBA-së për nisjen e negociatave ishin në një linjë, Zelensky bëri një deklaratë të fuqishme, duke thënë se ai do të hynte në negociata me Putinin vetëm ditën kur të gjithë rusët të ishin larguar nga Ukraina përfshi, tha ai, Krimenë.

Kujtojmë se në muajt e parë të luftës, Zelensky ka pranuar se ishte gati të hiqte dorë nga Krimea madje edhe nga anëtarësimi në NATO nëse kjo do të nënkuptonte paqen por tashmë duket se qëndrimi i tij ka ndryshuar ndjeshëm. Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, 8 vite përpara luftës së 24 shkurtit dhe Zelensky tashmë po kërkon që mos të heqë dorë as prej saj duke kërkuar që kufijtë e Ukrainës të rikthehen në pozicionet e mëparshme.

Por si do të ndikojë tërheqja e Rusisë nga Khersoni? Putin duket se i është përgjigjur të paktën pjesërisht kërkesës së Zelenskit për t’u larguar nga Ukraina. Ndaj, si do të përgjigjet Zelensky ndaj ftesës së Putinit për t’u ulur në dialog? Dhe mbi të gjitha, sa gjasa ka që ky të jetë fillimi i fundit të luftës, ose thjesht kurthi i radhës i ideuar nga Putin?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here