Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha sot se ish deputeti Alqi Bllako u lirua nga burgu pasi kërcënoi kryeministrin Edi Rama se do fliste për aferën e inceneratorëve.
Duke folur në takimin me mbështetësit në Memaliaj ai tha “Dje liruan deputetin pasi ua kërcëlliti dhëmbët Erion Veliajt dhe Edi Ramës, më lironi ose do flas. E nxorrën në shtëpi Bllakon. Bllako i cili me paratë tuaja i kishte lidhur një rrogë mujore 10-12 milionë të atit sikur të ishte ai shef ekzekutivi i ndonjë korporate të madhe. Ne nuk mund të tolerojmë, nuk mund të pranojmë rritjen e çmimit të naftës. Pse Kosova dhe Mali i Zi ta kenë më lirë naftën?”.
Sipas Berishës “Të firmosësh 4 milionë euro një instalancion me arka, e bën vetëm një njeri i verbuar që nuk di se ç’do të thotë uri, ç’do të thotë skamje. Ai nuk di ç’do të thotë një familje si ajo në Mallkuç që jetonte prej katër vitesh në çadër. Këto janë para xhepi, se merrni aferën e inceneratorëve, 420 milionë euro të dhëna një kompanie të Edi Ramës. Të gjitha të firmosura në kundërshtim me ligjet e vendit. Të gjitha në mënyrë antiligjore. 420 milionë euro, asnjë djegës nuk ekziston që ta dini ju. Ka një postulat: Mafia e ka si pikë mjalti plehun. Plehu është terreni më i madh për të shtrirë mafia tentakulat e veta. Edi Rama e dështoi këtë më mirë se kushdo tjetër. Një kompanie të vetes i dhanë çdo tender për plehrat. Sot edhe djegësi i Elbasanit, edhe ai është jashtë funksionit. Sepse u instalua një hedhurinë. i Tiranës nuk ekziston, i Fierit nuk ekziston. Ekzistojnë vetëm dhjetëra e dhjetëra milionë euro të vendosura në konto bankare për t’u fshehur”.