‘Trekëndëshi i Vajmarit’ bën thirrje të ecet drejt liberalizimit të vizave për Kosovën

0
92

Ministrat për çështjet evropiane të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë bënë thirrje të premten për përparim në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, që mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Këto thirrje që u bënë nëpërmjet një deklarate të përbashkët nga këto tri vende që njihen edhe si “Trekëndëshi i Vajmarit”, në të cilën theksohet edhe rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Zeri i Amerikës.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që u mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në qëndrueshmërinë e rajonit”, thuhet në deklaratë.

Ministrat e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë thanë se vendet e tyre janë të përkushtuara ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”, thuhet në deklaratë duke paralajmëruar një vizitë trepalëshe në rajon për forcimin e lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në twitter tha se mirëpret “riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit”.

Diplomacia evropiane është vënë në një përpjekje për të nxitur përparim te vendet e Ballkanit Perëndimor pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Gjermania, Franca dhe Polonia në deklaratën e tyre të përbashkët rikonfirmuan siç thanë angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këto shtete thanë se mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ndërsa shprehën mbështetjen për proceset e reformave në rajon, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale.

Ata janë shprehur të shqetësuar ndërkaq për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë ndërsa u bënë thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira që pritet të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here