Rama përmend sërish burgun/ Qeveria e Zvicrës e përgënjeshtron

0
97

Teksa fliste për shpifjet, kryeministri Edi Rama vazhdoi të shpifë vetë, kur deklaroi se Zvicra të dënon me burg për energjinë elektrike.

“Sot, Gjermania vendi më i pasur i Evropës po bën gjëra që ne në Shqipëri nëse do i artikulonim, nuk e di me çfarë do përballeshim, nëse do vendosnim rregullin me ligj që ka vënë Zvicra, 3 vjet burg për kë e rrit shpenzimin energjitik për ngrohjen mbi 19 gradë. Një vend që nga pikëpamja e të ardhurave është në majë të botës. Jetojmë në një kohë tejet të vështirë,” tha Rama.

Por portali investigativ ‘Faktoje’ verifikoi si të pavërtetë këtë deklaratë të Ramës dhe një qëndrim të ministres së Energjisë Balluku se Zvicra dënon me burg qytetarët që ngrohen me më shumë se 19 gradë. Përgjigjja e qeverisë zvicerane për Faktoje tregon se ky shtet nuk ka mungesa të energjisë elektrike dhe si pasojë as masa ndëshkuese, por ka ftuar qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë përdorimin e gazit.

Qeveria Zvicerane i ktheu përgjigje ‘Faktoje’ vetëm pak orë pas dërgimit të emailit, përmes zëdhënësit të Departamentit Federal të Ekonomisë dhe Kërkimit, i cili mohon vendimmarrjen për dënimin me burg për rastin në fjalë. Në këtë përgjigje, zëdhënësi shkruan se aktualisht në Zvicra nuk ka mungesë të energjisë elektrike dhe për këtë arsye nuk janë vendosur kufizime, aq më pak masa ndëshkuese. Ai pranon se një artikull i gazetës Blick është keqkuptuar dhe interpretuar nga persona të caktuar.

“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe për përpjekjet tuaja për verifikim.

Një artikull në gazetën Blick është keqkuptuar ose riprodhuar gabimisht nga anëtarë të caktuar të publikut. Aktualisht në Zvicër nuk ka mungesë të energjisë elektrike apo gazit natyror. Prandaj nuk ka në fuqi kufizime apo ndalime për përdorimin e energjisë që mund të shkelen. Aktualisht po përgatiten koncepte nëse kufizimet apo masat mund të bëhen të nevojshme në rast të mungesës së ashpër të gazit natyror ose të energjisë elektrike. Procedurat e konsultimit për një projekt-urdhëresë në lidhje me një mungesë të madhe të gazit janë në vazhdim me grupet e interesit Énergie : mise en consultation des mesures prévues en cas de pénurie de gaz (admin.ch) / Energie: Massnahmen für eine Gasmangellage gehen in Konsultation (admin.ch).

Natyrisht, duhet të mbahet parasysh se si duhet të zbatohen dhe monitorohen kufizimet ose ndalimet e mundshme. Akti Kombëtar i Furnizimit Ekonomik (NESA), i cili do të shërbente si bazë për çdo kufizim apo ndalim, nuk parashikon gjoba administrative në formën e tij aktuale. Për rrjedhojë, ndjekja e shkeljeve sipas NESA do të ishte më e ndërlikuar; megjithatë, çdo gjobë e mundshme nuk do të ishte më e lartë se një gjobë normale administrative. Në çdo rast, një pikë e rëndësishme është se kontrollet e rrepta nuk janë as të realizueshme dhe as të dëshirueshme. Në Zvicër, ne u besojmë njerëzve që të respektojnë ligjin”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Zvicrës për Faktoje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here