Prokurorët në Hagë kërkojnë 35 vjet heqje lirie për ish pjesëtarin e UÇK-së Sali Mustafa

0
115

Prokurorët në Hagë kërkuan të martën që një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënohet me 35 vjet heqje lirie, nën pretendimet se kishte drejtuar një “dhomë torture” gjatë luftës së viteve 1998-99.

Salih Mustafa përballet me akuza për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.

Në akuzën kundër zotit Mustafa thuhet se ai personalisht ka marrë pjesë në disa nga rrahjet dhe torturimet e të paktën gjashtë të burgosurve dhe kishte qenë i pranishëm kur njëri prej tyre është lënduar aq rëndë sa që më vonë ka vdekur.

“E vërteta është se … disa udhëheqës të UÇK-së si zoti Mustafa, përdorën fuqinë e tyre për ushtruar dhunë brutale ndaj bashkëkombësve të tyre në Kosovë”, përfshirë kundërshtarët politikë dhe të tjerë që konsideroheshin jo besnikë ndaj UÇK-së, u tha gjykatësve prokurori Jack Smith.

Sali Mustafa, 50 vjeçar, i ka mohuar akuzat dhe avokatët e tij thanë se dëshmitarët e prokurorisë i kanë shpikur rrëfimet e tyre.

Vendimi i gjykatës për këtë rast pritet në fillim të vitit të ardhshëm. Procesi kundër zotit Mustafa filloi në shtator të vitit 2021 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës më seli në Hagë. Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 nën akuzat për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Sipas akuzës që është ngritur në qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në shtator të po atij viti, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të komunës së Prishtinës.

Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më shumë se 13 mijë veta besohet se janë vrarë gjatë kryengritjes së viteve 1998-99 në Kosovë, kur ajo ishte ende nën administrimin serb nën presidentin e atëhershëm Slobodan Millosheviç. Lufta mori fund më ndërhyrjen e NATO-s dhe Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e saj./ VOA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here