Sezoni i dështuar/ Rama heq Çuçin e turizmit dhe fluturon drejt Antalias

0
140

Më shumë se reflektim për një sezon turistik të dështuar, largimi nga detyra i zv.ministres së Turizmit, Ornela Çuçi ngjan më shumë një përgjigjeje cinike që Rama i dha opozitës, e cila kërkoi shkarkimin e Blendi Çuçit të Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit i vunë ultimatum ta shkarkonte Çuçin brenda 48 orësh dhe Rama, Çuçin u dha, me disa orë vonesë.

Në fakt, shkarkimi zv.ministres së turizmit Ornela Çuçi në kulmin e sezonit turistik duhej të ishte një shenjë reflektimi. Si rrallë herë në gusht, këtë vit u panë plazhe të boshatisura nga veriu në jug.

Gjatë ditëve të javës në Velipojë, në Shëngjin në Dhërmi, Jalë apo Himarë pushuesit qenë më të paktë, ndërsa disa aksidente me mjetet lundruese shtuan pasigurinë.

Por reagimet që lëshoi qeveria, duket sikur vijnë nga një planet tjetër.

Si aliene tingëlloi deklarata e Ministres së Turizmit Mirela Kumbaro, e cila pretendoi se i kishte kthyer rrugën turistëve këtë vit nga Greqia për në Shqipëri.

“Është shumë interesante fakti që praktikisht shumë fluks të cilat shkonin drejt Greqisë, po kthehen drejt Shqipërisë, për shkak të klimës së përafërt”, u shpreh Kumbaro në një deklaratë që frymëzoi disa meme në rrjetet sociale.

Po kaq jashtë realitetit ishte edhe Rama kur në reagimin për vdekjen e Jonada Avdisë në Potam, tha mes rreshtave se ky këtë vit ishte edhe “sezoni më i qetë e më i sigurt, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër”.

Rama kishte fshirë nga memoria se para se polici me skaf t’i merrte jetën vogëlushes 7-vjeçare në Potam, një tjetër skaf kërceu mbi trupat e një çifti në bregun e Jalit, ndërsa një tjetër pushues u plagos në Jonufër të Vlorës dhe ende nuk ka dalë nga spitali.

Si përherë qesharak ka qenë kryetari i Bashkisë, Eron Veliaj, që propagandën e pompon aq fort, sa kalon në absurditet. Kështu sipas një raporti që shpërndau bashkia në media, agjencia me emrin “Forward Keys” e renditi Tiranën të dytën mes destinacioneve të preferuara europiane për numrin e prenotimeve nga turistët e huaj.

“Edhe pse nuk ka plazhe, Tirana lë pas qytete bregdetare europiane të konsideruara si destinacionet më të famshme turistike të kontinentit, si ishujt grekë Mikonos e Rodos apo Selanikun, madje edhe Alikanten e Spanjës dhe Funkalin e Portugalisë”, thuhej në raportimin e mediave pranë bashkisë së Tiranës. Rritjen më të madhe sipas këtij raporti e kishte Antalja e Turqisë.

Pikërisht në Antalja ka përfunduar kryeministri këto ditë. Fare pranë plazheve të Konia-s, ku do të kalojë disa ditë me ftesë të Erdogan.

Si sebep, Rama gjeti ceremoninë e hapjes së Lojërave të Solidaritetit Islamik. E ku ka më mirë se plazhet e Turqisë, për t’u çlodhur nga gjullurdia e sezonit turistik shqiptar, plot aksidente, ankesa për çmimet e larta dhe protesta në rrugë./LAPSI

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here