Boçi: Hapini pra dosjet, hapini dhe t’i japim fund regjimit të fuksave të vjetër dhe rinj!

0
470

“Hapini dosjet, hapini pa kushte dhe bashkë me dosjet t’i japim fund dhe regjimit të fuksave të vjetër dhe të rinj!” – Këtë thirrje i bëri sot, Qeverisë, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, në vazhdën e tymnajës së krijuar së fundmi nga qeveria me akuza dhe dosje të Sigurimit të Shtetit ndaj kundërshtarëve të saj.

“Jemi deri në fyt me ish-fuksa e fuksa. I kemi kudo, – shpërtheu Luçiano Boçi. – Përballë, anash, tek lagja, në stadium, në kinema. Jetojmë në regjimin e fuksave që u ndërtua tullë pas tulle nga ish-sigurimi famëkeq i dikurshëm. Fjala që dëgjohet më shpesh tani sikurse dikur para ‘90 është “mos fol”.

Mos fol se të heqin nga puna. Mos fol se të kërcënojnë me polici. Mos fol se të shpallin antiamerikan!

Fuksllik kudo. Tradhëti kudo. Gara midis ish-fuksave dhe fuksave të rinj (patronazhistët) është e madhe.

Të parët ankohen se nuk iu dihet nderi e se me kontributet e tyre është ndërtuar regjimi i ri, ku fuksat-patronazhistë shpërblehen me dogana, me drejtori, me poste kyçe. Ata vetë bërtasin se e bëjnë për ideal, për ideal të urrejtjes. Ndërsa fuksat e rinj i bien gjoksit për “fitorjen” e rradhës. Bërtasin se ishte meritë e fuksllikut të tyre që Rama është koka e regjimit.

Nga ana tjetër, nuk ngopen. Duan para, punë, favore, ndere. Shteti si shtet është i fuksave. Fuksat e trashëgimtarët e ish fuksave janë kudo. Në qeveri, në polici, në drejtësi, në sport, në art.

Fuksat e vjetër dhe të rinj grinden midis tyre se cilët janë më efikas në sundimin e sotëm të së keqes dhe cilët i kanë shërbyer më fort partisë duke i ngulur thikën atdheut e shqiptarëve.

Të vjetrit me krenari listojnë vrasjet, burgosjet, internimet. Të rinjtë ia presin me falimentimet, shkarkimet, kallzimet, përgjimet.

E midis tyre janë ato: Dosjet! Dosjet që kurrë nuk u hapën. Dosjet që lidhin fuksat e vjetër me të rinj, sikur të ishte lidhje gjaku. Që lidhin regjimin me drejtimin. Majtizmin me antishqiptarizmin. E që janë arma më e mirë e ish sigurimsave dhe sigurimsave të rinj për të luftuar me “armiqtë”.

Kur i duhet ndonjë rekrut i ri, votues i ri, patronazhistët e shantazhojnë: ta hapëm dosjen. Kur duan të sajojnë ndonjë dosje luanjë me iniciale. Është një I.M, kujdes. Pastaj një V.L, ndoshta një V.K. E loja vazhdon.

Kryefuksi ndërkohë bën sikur qeveris, por realisht vazhdon atë shërbimin e dikurshëm të fuksit, me antishqiptarizëm, me shitje trashëgimie, me falje deti, me dorëzim Kosove, me grabitje, me pasurim, me arrogancën e fuksit omnipotent dhe impotent dhe me lojën e dosjeve.

Hapini pra dosjet! Hapini pa kushte. Pse bëni sikur duhet një ligj kushedi. Ligjet e juaja janë thjesht “gjoja” dhe “loja” për të shpëtuar veten tuaj! Hapja e tyre jo vetëm do na shërojë si shoqëri, por do mjekojë dhe antishqiptarizmin e ngritur në sistem.

E bashkë me Dosjet t’i japim fund dhe regjimit të fuksave të vjetër dhe të rinj!” përfundon deputeti demokrat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here