Amnistia fiskale/ Lavatriçe e parave të pista apo lehtësi për emigrantët?

0
140

Qeveria shqiptare sapo i ka shkelur syrin emigrantëve dhe çdo të huaji që ka një biznes në vendin tonë, me ofertën për t’i pastruar deri në 2 milion euro pasuri të fshehur.

Ideja duket joshëse për ata që paratë i kanë të bllokuara, por a do t’ia dalë Rama ta bëjë realitet kësaj radhe?

Ambicien për një amnisti fiskale, kryeministri nuk e ka fshehur prej vitesh. Frenimi ka ardhur pas sinjaleve të Bashkimit Europian dhe FMN-së.

Dy vite më parë, tha se ishte gati ta votonte amnistinë në parlament. “Qindra mijëra qytetarë në emigracion kanë punuar punë nga më të ndryshmet dhe kanë plot kursime që e kanë pasur dhe e kanë ende sot të pamundur t’i depozitojnë në banka” ishte arsyetimi kryesor me të cilën kërkonte ta votonte amnistinë.

Por, drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkonte qeverisë shqiptare sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar pastrimin e parave të korrupsionit.

“Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore” shkruante shefja e misionit të FMN.

Ndërkohë Komisioni Europian nuk e ka fshehur shqetësimin se amnistia do të përdorej për pastrimin e parave të krimit.

Sipas KE-së Moneyval ishte e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontekstin e një amnistie të tillë”.

Por kësaj radhe, Rama i ka marrë masat. Në Prill organizoi Këshillimin Kombëtar, me një nga pyetjet që prekte direkt idenë e amnistisë fiskale: Ka njerëz që thonë se emigrantët shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre, duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë mendojnë se depozitimi i tyre në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion, nuk duhet inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni Ju?

Votat, që i numëroi vetë, ishin 66% pro, ose 330 mijë përgjigje pozitive. Kush votoi? Këtë nuk e di askush, por rezultatin Rama ia vuri përballë kritikëve.

“Do ta bëjmë amnistinë fiskale, sepse sic e patë është edhe dëshira e një shumice të popullit shqiptar. Komuniteti ndërkombëtar kundër? Nuk është komuniteti ndërkombëtar që do ndërtojë Shqipërinë. Ka ikur koha kur Shqipëria ishte vasale” u shpreh kryeministri para pak muajsh.

Kur e dëgjon ta mbrojë amnistinë, argumenti i parë i Ramës janë sakrificat e paimagjinueshme të emigrantëve shqiptarë, që nuk mund të sjellin në Shqipëri paratë e fituara me mund. Në prill të këtij viti në emisionin Opinion, Rama shprehej:

“Unë kam takuar dike që flinte në pemë. Pse flinte në pemë? Sepse nuk donte që ta zinte gjumi, realisht. Të gjithë këta njerëz kanë kursyer. Tani këto kursime duhet të vinë në Shqipëri dhe duhet të bëhen nëpër banka” tha kryeministri.

Por projektligji duket larg shtresës së emigrantëve që vjelin ullinj tek fqinjët dhe shtrihen në pemë për të mos i zënë gjumi.

Shifra prej 2 milion eurosh ngjan me një ftesë për një shtresë tjetër emigrantësh, që edhe ata kanë bërë sakrifica, por për një punë shumë herë më fitimprurëse. Në mediat e huaja cilësohen cilësohen si mafia shqiptare dhe aktivitet kryesor, kanë trafikun e drogës.

Është kjo pjesë e emigrantëve, që kanë vështirësi të kthejnë në Shqipëri 2 milion euro të fituara mes rrezikut konstant të botës së krimit.

Një mundësi tjetër i amnistisë fiskale është pastrimi i parave brenda një kohe të shkurtër, nga shtetas të huaj përkundrejt një takse prej 30%. Amnistia parashikon që pasuria e deklaruar, fillimisht pëson një lloj “ngrirjeje” brenda bankave të Shqipërisë për 5 vjet. Por nëse personi dëshiron të largohet nga Shqipëria bashkë me paratë, duhet të paguajë 30% të shumës dhe mjafton: paratë janë të pastra.

Neni 11, pika 4 e projektligjit thotë: Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

Procedura ngjan me një skemë të thjeshtë të pastrimit të parave dhe do të jetë e vlefshme për këdo të huaj që ka një biznes në vendin tonë.

Një grup tjetër përfituesish nga amnistia janë biznesmenët, që kanë bërë evasion fiscal dhe tashmë kanë një shans të pastrojnë paratë e fshehura. Edhe këtë, kryeministri e kishte parashikuar.

“Edhe këtu brenda qarkullon një pjesë, ose fle një pjesë e parasë së bizneseve që është në vite puro evazion fiskal. Edhe për këtë do të shikojmë se si mund të integrohet në këtë amnisti. Se në fund të fundit për këtë bëhet amnistia.” – u shpreh Rama.

Nga amnistia nuk mund të përfitojnë zyrtarët që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, politikanë, ministra, deputetë, presidentë, gjyqtarë, prokurorë etj.

Jashtë amnistisë mbeten edhe subjektet e ligjit për parandalimin e krimit të organizuar dhe trafikimit, individët që janë shpallur ose që janë në proces shpallje për financim terrorizmi, apo personat për të cilët ka nisur procedura penale për evazion tatimor dhe doganor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here