“Informaliteti dhe ulja e çmimeve dëmtojnë turizmin shëndetësor”

0
105

Flet Dritan Gremi, drejtues i “Gremi Clinics, Viaggiare e Sorridere”

Turizmi në vend ka potencial të lartë zhvillimi, por problemi më i madh mbetet informaliteti.

Dritan Gremi, drejtues i “Gremi Clinics, Viaggiare e Sorridere” pohon se ka një kaos informacioni, sepse mungojnë elementet bazë tregues të një sektori, ku dominon informaliteti.

Ai shton se një sistem i mirëfilltë dhe i organizuar do të garantonte qëndrueshmëri në vite dhe do të konsolidonte sektorin e turizmit mjekësor.

Si ka qenë ecuria pas pandemisë për turizmin shëndetësor në vendin tonë? A vijon që turisti dentar të jetë pjesa më e madhe e tortës?

Fatkeqësisht është e pamundur të kemi një përgjigje shteruese për këtë pyetje. Unë besoj që po, turizmi dentar zë pjesën kryesore në të gjithë turizmin mjekësor që zhvillohet në vend, por shifrat zyrtare që do të duhej të na e konfirmonin këtë fakt, mungojnë. Mungojnë statistikat nga Instituti i Statistikave, mungojnë të dhënat nga tatimet, mungojnë deklarimet nga hyrjet dhe daljet në pikat kufitare të vendit.

Në këtë aspekt ka një kaos, sepse sikurse shihet mungojnë elementët bazë tregues të një sektori, ku dominon informaliteti. Në kushte normale, do mjaftonin deklarimet në tatime për të kuptuar vendin e turizmit dentar në të gjithë sektorin. Nga ana tjetër, mendoj se INSTAT bazuar pikërisht në deklarimet në tatime dhe dogana, do duhej të kishte një zë të veçantë mbi turizmin mjekësor, gjë që do e bënte më të qartë edhe rolin e tij në ekonominë e vendit.

A ka vendi ynë një sistem të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm të organizimit të turizmit mjekësor? Nëse jo, cila do të ishte sipas jush, skema e duhur?

Për fat të keq jo. Është nje lëmsh ku mbizotëron individualiteti i sëmurë dhe strategjitë dritëshkurtëra, të kapim çfarë të kapim duke ulur gjithnjë e më shumë çmimet.

Një sistem i mirëfilltë dhe i organizuar do garantonte qëndrueshmëri ne vite dhe do konsolidonte sektorin e turizmit mjekësor. Unë mendoj se ka ardhur koha që si shoqëri të ndryshojmë mendësinë me të cilën veprojmë. Të konkludojmë në ngritjen e një sistemi që mbart vizionin se ku duam të shkojmë në të ardhmen dhe çfarë duam të bëjmë me turizimin mjekësor, për të mos e lënë zhvillimin e tij rastësor dhe spontan.

Skema e duhur? Mungon një shoqatë e operatorëve të turizmit mjekësor, dhe mund të ngrihet fare lehtë. Për të shkuar më pas, tek hartimi i një strategjie kombëtare dhe standardizimi i shërbimit me disa piketa konkrete dhe të qarta. Dukemi si një ushtri e çorganizuar, pa kokë, pa trup, pa këmbë, pa mendje, pa plan dhe pa projekt. E gjithë kjo është shumë dritëshkurtër dhe pa të ardhme.

Cilat janë problematikat e sektorit, sipas jush?

Do ta nisja me informalitetin, si një element që dëmton jo vetëm sektorin e turizmin shëndetësor, por edhe arkën e shtetit. Është një zinxhir problematikash që burojnë pikërisht nga ky fakt.

Mosdeklarimi i të ardhurave dhe evazioni fiskal, çojnë artificialisht në çmime të ulura, që nuk arrijnë të garantojnë një produkt cilësor, të qëndrueshëm dhe solid.

Nëse të gjitha klinikat e futura nëpër lagje e pallate do të deklaronin çdo shërbim dhe të ardhur, ju garantoj se asnjë prej tyre nuk do të kishte mundësi të luante me çmimet, që për fat të keq nuk kanë as tavan e as dysheme.

Tendenca për të ulur çmime, sjell uljen e cilësisë së shërbimit. Nëse protokollet e trajtimit dentar do të ndiqeshin me përpikmëri, ju siguroj që asnjë klinikë nuk do të kishte mundësi të ofronte një çmim 50% më pak se një tjetër.

Pa harruar faktin, që një pjesë e mirë e materialeve dentare hyjnë e dalin me çanta dore si të ishin veshje, pa doganë duke anashkaluar edhe depot dentare e njëkohësisht duke anashkaluar edhe kontrollet e cilësisë. E jo vetëm, në treg qarkullojnë implantë dentarë të klonuar të cilët nuk dihet se nga e kan preardhjen dhe përfundojnë në gojën e pacientit. E natyrisht një klinikë që operon si low cost, nuk mundet as të punësojë staf të kualifikuar, çka do të thotë se gjithçka rëndon mbi shëndetin e pacientit.

Pra, ky informalitet, përvçse përkthehet në të ardhura të munguara në buxhet, ka një kosto veçanërisht në imazhin e turizmit mjekësor në Shqipëri. Se sa i kushton industrisë një turist i pakënaqur, besoj e kemi të qartë të gjithë.

Sipas meje ne Shqiperi, në momentin që flasim gjenerohen 20- 25 milion euro të ardhura në vit nga turizimi dentar, që do kishin qenë të dyfishuara nëse klinika te caktuara nuk do kishin abuzuar me brandin e “Dental Tourism in Albania” që me shumë punë dhe mund e ngritëm në nivelet më të larta të rajonit dhe jo vetëm.

Ju sjell në vëmendje edhe një detaj. Kur në vitin 2009 e pashë turizmin shëndetësor si një sektor ku vlente të investohej, në treg ishin hungarezët me Budapestin, kroatët me 5 struktura të mëdha dhe rumunët me Bukureshtin, ku këto shërbime sapo kishin lindur. Kam qenë i pari që kam promovuar për të huajt “incoming” drejt Shqipërisë, kur të gjithë operatorët turistike të kohës bënin “outgoing” drejt vendeve të rajonit dhe Turqisë.

Mendoni që dhe AKT-ja e atëherëshme lejonte promovimin e destinacioneve të rajonit nga operatorët turistikë vendas në panairet ndërkombëtare të turizmit, në stendat e paguara nga taksapaguesit shqiptarë (e turpshme do të thoja). Mbase e kemi harruar, por infrastruktura ashtu si imazhi i Tiranës dhe Shqipërisë, ishtin copë.

Në këto kushte vendosa çmime 30% më të ulëta se Hungaria që ishte pjesë e BE, 15% më pak se kroatët dhe pak a shumë në nivele të njëjta me rumunët. Ndërkohë, Serbia dhe Moldavia ende nuk e kishin nisur këtë udhëtim.

Dhe ky vendim kishte disa arsye: Pozitën gjeografike të Shqipërisë, fakti që turizmi dentar ishte një start-up për ne, niveli i jetesës, por dhe imazhi i Shqipërisë në sytë e italianëve, që atëherë ishin tregu ynë kryesor.

Që nga ajo kohë, çmimet kanë shkuar respektivisht duke u rritur në secilin vend, çka bëri që të ruhej i njëjti standard, ndërkohë që në treg u futën edhe serbët me çmime të afërta me tonat dhe moldavët me 60% më pak se ne.

Sot, do ta quaja skandaloz faktin, që çmimet tona janë 40% më pak se moldavët, 70% më pak se kroatët dhe 80% më pak se hungarezët.

Në këto kushte, imazhi që përcjellim tek pacientët e huaj, është ai i një vendi të botës së tretë ku gjërat bëhen me pak lekë, ku mbizotëron informaliteti, çka nuk është aspak pozitive për një vend qe aspiron të jetë anëtar i BE.

Papëgjegjshmëria e këtyre njerëzve është kaq e madhe sa që kanë stigmatizuar një vend të tërë, me një kosto që nuk e meriton. Është dritëshkurtër ky këndvështrim, sepse ato çmime nuk garancojnë cilësi. E përsëris: çmimet e lira shoqërohen me materiale më të dobëta, mjekë të pakualifikuar, kushte higjieno-sanitare për të dëshiruar e si rezultat punë të bëra keq dhe pacientë të pakënaqur.

Përse kjo panoramë, cila është arsyeja e kësaj qasjeje me çmime të ulëta?

Është rruga më e thjeshtë, duan ta ngrenë sistemin duke fituar shpejt, pa e konsoliduar dhe në pjesën më të madhe rezultojnë kështjella rëre. Për të arritur në fitime të shpejta në kohë të shkurtër, mendojnë se rruga e duhur është ulja e çmimeve. Hidh një ofertë, kap një klient, bëj një punë që nuk dihet si shkon…Po më tej?

Kjo është në fakt një rrugë pa vizion, një rrugë dritëshkurtër, që ndoshta të siguron të ardhura momentale, por nuk të jep identitet, nuk të ofron një imazh të qëndrueshëm dhe nuk është efikase për të shkuar larg.

Si zgjidhet kjo, sipas mendimit tuaj?

Ky është momenti kur shteti duhet të ndërhyjë, që kjo hamulli të përfundojë shpejt, të përfundojë tani!

Ministria e Shëndetësisë, Krimi Ekonomik, Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve, Drejtoria e Doganave mund dhe duhet të bashkëpunojnë në një aksion konkret kundër evazionit, kundër çantave kontrabandë me materiale dentare, kundër shërbimeve pa standard e pa cilësi dhe mbi të gjitha kundër implantëve dentarë te klonuar.

Një TASK forcë e kontrollit të këtyre shërbimeve mund të ishte një zgjidhje praktike, e shpejte dhe efikase, që do t’i hapte rrugën formalizimit të sektorit.

Urdhri i stomatologut duhet riorganizohet dhe te ngrihet në një nivel tjetër, duket sikur është në gjumë, i ka ngecur ora në vitin 1994.

Është hera e dytë që e them: Nëse ka një veprim të bashkërenduar, një strategji largpamëse, një sistem të organizuar dhe të kontrolluar, brenda 3-4 viteve ky vend do të gjenerojë 100- 150 milionë euro të ardhura vjetore nga turizmi shëndetësor.

Dhe kur flas për turizëm shëndetësor kam parasysh një sektor ku fiton mjeku, fiton dentisti, mbushen dhomat e hoteleve, punojnë baret dhe restorantet. Një sektor ku fitojnë të gjithë, përfshirë edhe shtetin.

Le të mos harrojmë, Turqia e ka cilësuar turizmin mjekësor sektor strategjik. Dhe është një sektor qe nëse dëmtohet apo funksionon keq do të na etiketojë si një vend i botës së tretë.

A ka ndikim kriza Ukrainë- Rusi në uljen e kërkesave të këtyre shërbimeve?

Nisur nga fakti që Ukraina dhe Moldavia me nivele shumë të larta të shërbimeve janë afektuar drejtpërdrejt nga situata e luftës, pacientët europianë, mendoj se kanë parë alternativa në vende të tjera. Pra teorikisht duhet të ketë shënuar një rritje të numrit të pacientëve edhe në vendin tonë.

Por sikurse thamë statistikat zyrtare tek ne mungojnë dhe nuk mund të flasim me saktësi, ndërkohë që kroatët, turqit apo rumunët kanë të dhëna shumë të sakta.

Po trajtimet estetike, a ka interes për to dhe specifikisht për çfarë?

Me keqardhje them se e shoh të largët ditën kur Shqipëria do mund të konsolidohet me emrin e saj në turizmin shëndetësor dhe të kthehet në një destinacion solid për shërbimet e estetikës nëse nuk ndryshon mëndësi dhe nuk konsolidon një strategji të sajën kombëtare ndërveprimi dhe të koordinuar si duhet.

E them këtë, nisur nga përvoja me turizmin dentar dhe nga pritshmëritë që qytetarët europianë kanë lidhur me këto shërbime.

Duhet investuar, së pari në një strategji afatgjatë e më tej në në shërbime spitalore, në staf të kualifikuar, në akomodim e po ashtu edhe në një strategji shumë të mirë promovimi. Nuk mund të mendosh të ngresh një industri solide të turizmit nëse promovimi nuk bëhet pjesë e strategjisë së gjithsecilit dhe ku nuk investohen të paktën 10% e të ardhurave. Nuk e kam fjalën për shtetin, por për subjektet private të cilat duhet të kuptojnë, që ka ardhur koha të shpenzojnë diçka nga vetja për të kontrastuar konkurencën e fortë në rajon, për të mbrojtur brandin e “Medical Tourism in Albania”, gjë e cila bëhet duke u bashkuar në një strategji të vetme.

Të mos harrojmë se tregu është shume i madh, në rajon kemi konkurentë të fortë e të konsoliduar tashmë. Sjell sërish rastin e Turqisë, ku në të gjithë sektorin turistik, ai mjekësor siguron 10% të të ardhurave. Tipologjia jonë mbetet për fat të keq ajo e një skuadre shqiptare futbolli që fiton të gjitha ndeshjet me ekipet vendase, por jashtë ka probleme dhe humbet gati gjithmonë.

Nuk është vonë të themi, që strukturat spitalore duhet të kthejnë sytë tek tregu i huaj për të thithur jo vetëm shërbimet estetike, por edhe pacientë që kanë nevojë për shërbime mjekësore, që në vendet e tyre kushtojnë shumë më tepër. Eshtë absurde të mendosh që dhe sot që ne flasim nuk kemi profesionistë të specializuar në mbjelljen e flokëve, një degë e rëndësishme e industrisë së turizmit shëndetësor, ku kërkesa e tregut të huaj është vërtet e lartë. Ne marrim ekipe nga Turqia dhe i japim rreth 60% të të ardhurave, para që mund të ngelnin në ekonominë tonë.

E njëjta gjë dhe me kirurgët estetikë të cilët në pjesën më të madhe të rasteve i marrim nga Italia. Pra, ky vend vazhdon të prodhojë pafund juristë dhe ekonomistë, që një Zot e di se ku do punësohen pasi tregu ynë është i tejmbushur me këto dy profesione dhe nuk arrin dot të orientojë energjitë e tij humane në sektorë vërtet fitimprurës siç është turizmi.

Duhet menduar një projekt në investime që përfshin edhe bregdetin, me struktura spitalore, akomoduese, turistike që sigurojnë turizëm të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Dhe për këtë duhet një strategji ndryshe, për të cilën ndoshta do duhet të flasim një herë tjetër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here